Disa muaj pas alarmimit nga Portalbi, sot NP “Parkingu i Qytetit” njoftoi për bllokimin e veturave kur dërgojnë sms

Qytetarët ankohen se gjatë parkimit jo të rregullt automjeteve të tyre ju vendoset menjëherë bllokues, duke mos e potencuar afatin e parashikuar, për këtë në Portalb.mk para disa muajsh arritën ankesa nga qytetarët se u’a bllokojnë veturën edhe kur dërgojnë sms porosi. Sot “NP Parkingu i Qytetit” njoftoi mënyrën e funksionimit të sistemit, shkruan Portalb.mk.

Nga kjo ndërmarrje, te e cila pas ndryshimit të pushtetit lokal u ndryshua edhe udhëheqsia e saj për këtë rast sot u deklaruan kështu:

“Ju informojmë për mënyrën e funksionimit të sistemit, me qëllim që të konstatojmë se në asnjë rast nuk punohet jashtë procedurave të paracaktuara. Që një automjet të bllokohet, fillimisht targa e makinës duhet të futet në një sistem të posaçëm për parkim. Për 10 minuta, vetë aplikacioni i ndan targat e papaguara. Pasi të ketë ardhur ai njoftim, vetëm atëherë mund të lëshohet një urdhër bllokimi. Pa mos kaluar 10 minuta nuk mund të dërgohet urdhër dhe as të bllokohet ndonjë automjet. Qytetarët për çdo automjet të bllokuar informacione mund të marrin në numrin: 044511111, ku përpunohen të gjitha të dhënat dhe ka një procesverbal për çdo automjet. NP “Parkingu i Qytetit” punon sipas procedurave të parapara, në drejtim të krijimit të kushteve më mira dhe më të sigurta për të gjithë qytetarët”.

Rikujtojmë që tetorin e kaluar, në redaksinë tonë arritën ankesa pikërisht për këtë problem, për të cilin aso kohe u drejtuam edhe te ndërmarrja e parkingjeve ku kërkuam rregulloren me të cilën bllokohen veturat e parkuara në formë të parregullt. Nga udhëheqësia e atëhershme e ndërmarrjes nuk morëm përgjigje në asnjë formë (email, sms, telefon), kështu që u detyruam të bëjmë kërkesë në bazë të Ligjit për qasje të lirë me informata të karakterit publik.

Përgjigje për këtë rast morëm tre muaj pas dorëzimit të kërkesës, tani më nga udhëheqsia e re, ku njoftuan se ndërmarrja është duke u riorganizuar dhe për pyetjet tona në përpunim është ueb-faqja e ndërmarrjes në të cilat do të jenë të bashkëngjitura të gjitha rregulloret me të cilat punon ndërmarrja. Por sot, pas dy muaj e gjysmë nga kjo përgjigje, ueb-faqja e ndërmarrjes nuk është lëshuar në funksion. Ndërmarrja informatat dhe njoftimet i shpërndan përmes faqes së saj në Facebook.

Ndryshe, ndërmarrja “Parkingu i Qytetit” ka borxh mbi 187 mijë euro, kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, në të kaluarën vazhdimisht ka punuar në humbje. Në krye të kësaj ndërmarrje aktualisht është Igor Dodevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button