Abazoviç: BE-ja të përshpejtojë procesin e anëtarësimit për të parandaluar luftërat në Evropë

Zëvendës-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të përshpejtojë proceset e anëtarësimit të vendeve që kërkojnë të anëtarësohen në bllok, në mënyrë që skenarë të ngjashëm si në Ukrainë të mos ndodhin në rajone të tjera të Evropës, transmeton Anadolu Agency.

Abazoviç e vlerësoi si interesant një panel diskutimin mbi përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, veçanërisht në dritën e krizës aktuale midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Ky moment është shumë vendimtar për Evropën, ndoshta edhe për botën. Shpresoj që lufta ruse të ndalet menjëherë. Por, ne duhet të dërgojmë një mesazh që BE-ja ta kuptojë se vendet që duan t’i bashkohen dhe janë shumë larg në procesin e zgjerimit, duhet të kenë një, le të themi, një rrugë të shpejtë në këtë moment nëse ne nuk duam të kemi të njëjtin problem si në pjesën tjetër të Evropës”, tha Abazoviç.

Lidhur me takimin e shefave të diplomacisë ukrainase dhe ruse në forum, Abazoviç shprehu shpresë se një ngjarje e tillë do të ishte shumë mbështetëse në drejtim të promovimit të paqes dhe vlerave civilizuese.

Më tej, ai theksoi se është habitur kur pa vendet e BE-së dhe NATO-s të bashkuara në mbështetje të Ukrainës, duke shtuar se, “Nuk e prisja që të gjithë do të punonim së bashku për të promovuar një grup të vetëm politikash. E kam fjalën për dy javët e fundit”.

Ai tha se Mali i Zi do të vazhdojë të zbatojë sanksionet ndaj Rusisë dhe se brenda vendit të tij do të gjurmohen pronat e oligarkëve rusë. Abazoviç theksoi se vendi, pavarësisht përmasave të vogla, mbështet plotësisht partnerët e NATO-s dhe BE-së.

Më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.  Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës, duke sanksionuar Rusinë në forma të ndryshme. Sot është dita e 23 që nga fillimi i agresionit rus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button