OKB: Kriza humanitare është duke u rritur në mënyrë eksponenciale

Nevojat humanitare në Ukrainë janë “duke u rritur në mënyrë eksponenciale”, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), transmeton REL.

Matthew Saltmarsh, nga kjo Agjenci, ka thënë se situata do të vazhdojë të përkeqësohet nëse nuk i jepet fund luftës.

Shumë njerëz vazhdojnë të jenë të bllokuar në zonat ku po përshkallëzohet konflikti, pa kushte elemente, përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, për shkak të pengimit të dërgesave.

Ai ka thënë se situata është veçanërisht e vështirë në jug, ku qytetet ukrainase janë të rrethuara nga trupat ruse.

“Situata humanitare në qytetet si Mariupol dhe Sumi është jashtëzakonisht e vështirë, pasi banorët po përballen me mungesa kritike të ushqimit, ujit dhe ilaçeve”, ka thënë ai.

Saltmarsh ka thënë se Kombet e Bashkuara janë duke vëzhguar negociatat për korridore të sigurta dhe se janë të gatshme të dërgojë furnizime në Sumi “aq sa lejojnë kushtet”.

Më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.  Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës, duke sanksionuar Rusinë në forma të ndryshme. Sot është dita e 23 që nga fillimi i agresionit rus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button