fbpx

La Ru: Situata e mediave në Maqedoni është shumë shqetësuese

Raportuesi special për mediumet i Kombeve të Bashkuara, Frank La Ru, sot me shqetësim të madh ka konstatuar tendencat brengosëse në sferën e mediumeve në Maqedoni.

Vërejtja kryesore e tij ishte se legjislatura e deritanishme është pozitive por assesi të zbatohet në praktikë. Ai këtë e ilustroi me shembujt e mbylljes së TV A1, vdekjen e Nikolla Mlladenovit dhe mbylljen e gazetës Fokus, arrestimin e gazetarit Tomisllav Kezharoski, lëshimin nga puna e kreut të sindikatës së gazetarëve si gazetare në Alsat-M, reklamat qeveritare, jo-funksionaliteti i Ligjit për qasje të lirë në informatat publike si dhe për shkak të etiketimit të gazetarëve që janë kritik ndaj qeverisë. 

La Ru theksoi se do t’i monitorojë ngjarjet në lidhje me përgatitjen e ligjit të ri për mediume, të cilin e konsideron si rrezik për keqësim të kornizës ligjore dhe shtoi se deri më tani nuk ka parë ligj të ngjashëm në botë.

La Ru tha se nuk ka qenë i kënaqur nga përgjigja e institucioneve kompetente sa i përket pyetjes së tij se pse nuk është hapur hetim për vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov. Ky rast nuk mund të shihet thjeshtë si një fatkeqësi, konsideron ai duke u bërë apel autoriteteve të vendit të hapin një hetim të thuktë për ti qartësuar rrethanat e dyshimta në të cilat humbi jetën Mlladenov.

“Gjithashtu, është e palejueshme që një gazetar të jetë i arrestuar vetëm për një tekst. Arrestimi i tij jep edhe një sinjal negativ për lirinë e mediave në këtë vend. Më vjen shumë keq që autoritetet madje e refuzuan kërkesën time për tu takuar me gazetarin në fjalë” tha La Ru.
Edhe pse Ligji për dekriminalizimin e shpifjes është pozitiv, megjithatë ka shumë probleme sepse, si që tha, akuzat për ofendim vazhdojnë të shtohen dhe shndërrohen në pengesë për funksionimin e disa mediave kritike. 

Për sa i përket reklamave qeveritare dhe shfrytëzimit të mjeteve publike, ata duhet të jenë të hapura për monitorim publik, që t’i iket keqpërdorimit të këtyre mjeteve për promovime në mediumet që prijnë, duke i dëmtuar mediumet kritike.

Ai gjithashtu theksoi se kanë ndodhur edhe disa ngjarje shqetësuese në vitet e fundit, siç ishin mbyllja e televizionit A1, gazetat ‘Shpic’, ‘Vreme’ dhe ‘Koha e re’, që sipas tij, ka qenë përgjigje e shpejtuar nga inspektoriati dhe ka pasur përdorim të tepërt të dhunës nga policia.

Ai vuri në spikamë edhe heshtjen shumë të shpeshtë të institucioneve ndaj kërkesave të gazetarëve për informata që garantohen me ligj.

Sa i përket implementimit të ligjeve La Ru tha se rritja e numrit të anëtarëve të Këshillit për radiodifuzion që nga viti 2011 e ngulfat pavarësinë politike të këtij trupi rregullator.

Raporti i OKB-së për mediume në Maqedoni, plotësisht do të prezantohet para Këshillit për të drejtat e njeriut në OKB, më qershor të vitit 2014, ndërsa deri atëherë, do të monitorohet gjendja e lirisë mediatike.

La Ru, si raportues i OKB-së për mediumet, me ftesë të qeverisë erdhi në Maqedoni dhe kishte takim me Ministrin e punëve të jashtme, Poposki, Ministren e punëve të brendshme, Jankulloska, Ministrin për informatikë, Ivanovski, Ministrin për drejtësi, Bexheti, kryetarin e Kuvendit, Velanovski, prokurorin Zvrlevski dhe kryetarin e Gjykatës Supreme, Nedelkovska si dhe me përfaqësues dhe ekspertë të organizatave ndërkomëbtare që mnrojnë lirin e mediave në vend.  /Portalb

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close