Kosova në NATO – garanci e paqes në Ballkan

Ideja e hyrjes së Republikës së Kosovës në NATO nuk është e sotme, por domosdoshmëria e sendërtimit të saj nisi të ndihet pas dështimeve të njëpasnjëshme të dialogut Kosovë – Serbi, përkatësisht pas fillimit të rimilitarizimit të Serbisë dhe keqpërdorimit të pakicës serbe, vënies së saj në funksion të rikolonizimit të shtetit kosovar nga pinjollët e Kasapit të Ballkanit.

Siç dihet, pas krimeve e gjenocideve të bëra mbi popullatën e pafajshme shqiptare, faji i vetëm i së cilës ishte përkatësia etnike dhe deshira për të qenë e lirë në trojet e të parëve, Kosova bëri kompromisin e dhembshëm për të zgjidhur një herë e përgjithmonë statusin e saj përfundimtar. Ajo pranoi Pakon e Marti Ahtisarit, e vetëdijshme se bëhej fjalë për një dokument, me të cilin diplomati finlandez i ofronte një pavarësi të mbikëqyrur. Pakoja në fjalë, në njërën anë hapi njëfarë udhe drejt statusit përfundimtar të Kosovës, ofroi mundësi për bërjen e saj me Kushtetutë, për shfuqizimin e Rezolutës 1244 dhe për krijimin e forcave mbrojtëse…, kurse në anën tjetër favorizoi serbët me privilegje të pajustifikueshme, mundësoi decentralizimin asimetrik në baza etnike të ca komunave të vogla me shumicë serbe, krijoi zona të mbrojtura përreth kishave e manastireve ortodokse…, që ashiqare pamundësan dhe pamundësojnë pavarësinë reale të shtetit të ri të Kosovës.

Për rrethanat e asokohshme, kjo u duk si zgjidhja më e mundshme për sigurimin e një stabiliteti dhe paqeje afatgjate ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por lëshimet që bëri pala shqiptare me shpresën se pranimi i Pakos së Ahtisarit do ta detyrojë Serbinë ta pranojë Kosovën e pavarur, rezultuan të kota. Ajo madje intensifikoi sabotimet për të penguar forcimin e Kosovës shtet, duke nxitur me këto gjeste dhe ndryshimin gradual të kursit të politikës kosovare, e cila po qartësohet tani pas shpërthimit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, kur kërkon me vendosmëri gjetjen e mënyrave për t’u bërë pjesë e NATO-s, Aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake në botën e sotme, e cila do të shmangë rrezikun eventual që mund të vijë nga Serbia e shndërruar në satelitin rus të Ballkanit Perëndimor.

Në dallim nga e shkuara e afërt, ngulmimi i sotëm i parisë kosovare për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike po pritet mirë nga disa shtete me ndikim në politikën botërore, si: SHBA-ja, Britanina e Madhe, Turqia… dhe, natyrisht, nga shtetet ballkanike që tani më janë bërë anëtare të NATO-s dhe e kanë kuptuar mirëfilli rrezikun që mund t’i vijë Ballkanit nga Serbia  e Vuçiqit, i cili pret me shkrepëse në dorë fitoren e Putinit në Ukrainë. Për habi, këtë nuk e ka të qartë akoma vetëm kryeministri shqiptar, i cili vazhdon ta shohë Putinin e  e vogël serb si burrështetas të urtë dhe prijetar të profkës Ballkani i Hapur, pa çka se ai vetëm para pak muajsh, bashkë me artilerinë e rëndë, raketat dhe aeroplanët bombardues të blerë e falur nga Putini, solli në kufi të Kosovës edhe ambasadorin rus, për t’ia bërë me dije botës se Kosovën e ka ndërmend ta ripushtojë bashkë me vëllain dhe aleatin e saj të madh, që aktualisht është i zënë me vrasjen barbare të popullatës civile – grave, pleqve dhe fëmijëve ukrainas.

Duke pasur parasyshë praninë e KFOR-it në Kosovë (trupës së armatosur ndërkombëtare…), insistimi i parisë aktuale të saj (Kosovës) për t’u bërë me një proces të përshpejtuar anëtare e NATO-s, për shumëkë mund të duket i paarsyeshëm, por rrethanat e reja flasin për të kundërtën, gjë që dëshmohet edhe nga përkrahja serioze që ka kërkesa në fjalë nga hemisfera demokratike e botës, që sot është bashkë me Ukrainën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button