fbpx

Kesler: Dezinformatat janë mjet i fuqishëm i Putinit në Ukrainë

Xhovani Kesler është prokuror italian që ka punuar në zyrën e prokurorit të famshëm sicilian Paolo Borsalino në vitin 1995. Në vitet 1998-1999, ai u emërua zëvendës shef i Misionit Verifikues të Kosovës të OSBE-së në Prishtinë, përgjegjës për Çështjet e Policisë dhe Drejtësisë. Në vitet 2001-2006 u zgjodh në Parlamentin italian si deputet i pavarur. Në vitin 2003, kryesuesi i OSBE-së, ministri i Jashtëm holandez Jap de Hop Shefer, e emëroi Keslerin si të dërguarin e tij të posaçëm për zgjedhjet parlamentare në Armeni. Nga viti 2011 deri në vitin 2017, ai u emërua Drejtor i Përgjithshëm i OLAF, Zyra kundër mashtrimeve në Bashkimin Evropian (nga viti 2021 ky organ është shndërruar në Prokurori evropiane, që drejtohet nga prokurorja rumune Laura Kuveshi). Në 2017-2021, ai u emërua nga BE-ja si anëtar i Bordit Këshillimor Ndërkombëtar kundër Korrupsionit në Ukrainë (IACAB), shkruan Vërtetmatësi.

Shkruan: Goran Lefkov

Si e shihni gjendjen e dezinformimit në muajt dhe javët para dhe tani gjatë pushtimit rus të Ukrainës? A e prisnit këtë kur agjencitë e inteligjencës amerikane filluan të raportonin për pushtimin e mundshëm apo prisnit diçka ndryshe? Ndoshta përdorim më agresiv i dezinformatave?

Ky është një dezinformim klasik, por në fakt kjo është një mënyrë për të bërë luftë. Dezinformata nuk është e javëve apo muajve më të fundit. Dezinformatat dhe propaganda janë përhapur për një kohë të gjatë dhe rusët janë të shkëlqyer në këtë, më të mirët në botë. Ata kanë struktura të dedikuara, kanë mjete të fuqishme dhe mjete financiare, për të krijuar dhe përcjellë pikëpamjet e tyre. Kjo është propagandë, sepse përmban informacion të rremë. Rusia e ka bërë këtë prej vitesh. Diçka interesante dhe e re është mënyra se si ata përdorin ushtrinë dhe propagandën e tyre të luftës. Lufta nuk filloi një javë më parë. Lufta filloi disa muaj më parë, kur 150,000 trupa ruse u vendosën në kufirin me Ukrainën. Ishte interesante që portali i tyre i lajmeve të rreme transmetonte ushtarët (sipas ligjit rus është e ndaluar rreptësisht). Ishte mënyrë për të ushtruar presion të jashtëzakonshëm mbi Ukrainën nga propaganda ruse. Fillimisht ata synojnë t’i portretizojnë institucionet e Ukrainës si shumë të dobëta, në fund doli që nuk janë të dobëta, qëllimi i tyre ishte të lëshonin Ukrainën të dështonte, vetëm duke shfaqur dhe transmetuar propagandë. Lufta në Ukrainë filloi në momentin kur ata filluan të transmetonin propagandën e tyre. Ata donin ta shkatërronin Ukrainën vetëm me propagandë pa u shkrepur asnjë plumb. Kështu bëjnë mediat moderne propagandistike.

A shihni dallime në praktikat dhe shtrirjen e luftës me dezinformimatat në Kremlin, gjatë revolucionit Majdan në Kiev, aneksimit të Krimesë dhe tani?

Në atë kohë, në vitin 2014, qëllimi i propagandës ruse ishte të tregonte se Majdan financohej nga Shtetet e Bashkuara. Ata thanë se rënia e Janukoviçit u financua nga Shtetet e Bashkuara. Edhe pse e vërteta ishte se ishte një lëvizje e vërtetë popullore dhe spontane, e cila ndodhi ditën e fundit kur Janukoviç vendosi të mos nënshkruajë marrëveshjen për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Sa i përket propagandës aktuale në Rusi për atë që rusët po bëjnë në Ukrainë: Për dezinformatat, nuk është luftë, por operacion ushtarak. Nëse thoni se ka luftë në Ukrainë, rrezikoni deri në 15 vjet burg. Është ligj i miratuar së fundmi në Parlamentin rus (Duma). Dezinformimi tani ka për qëllim qytetarët rusë. Ata nuk duhet të dinë se çfarë po ndodh.

Tjetër ishte qëllimi i propagandës ruse gjatë periudhës së Majdanit në 2014 dhe tani. Me këtë propagandë, Putini po e shtyn diktaturën e tij të krijojë historinë e saj dhe realitetin e saj.

Çfarë mendoni për reagimin e BE-së kur bëhet fjalë për luftën kundër propagandës ruse tani dhe çfarë masash dhe hapash mendoni se duhet të marrë BE për të zbutur efektet nga dezinformatat në Kremlin?

Tani në Rusi nuk ka media të lira, kështu që ne si demokraci nuk duam të bëjmë të njëjtën gjë. Ajo që u krijua nga Bashkimi Evropian disa kohë më parë është e vonuar, dhe ajo është lufta kundër dezinformatave dhe lufta kundër lajmeve të rreme. Modeli është të ekspozojë lajmet e rreme dhe të tregojë faktet. Një tjetër gjë që duhet bërë është hetimi dhe ekspozimi në publik i financimit rus të krijuesve të lajmeve të rreme. Gjithashtu, si pjesë e dezinformatave që duhen ndjekur janë partitë politike dhe lëvizjet që kanë të bëjnë me Rusinë dhe financat ruse. Propaganda ruse financon edhe lëvizjet popullore, ekstremistët, vetëm se ata duhet të orientohen kundër BE-së dhe NATO-s.

Derisa keni punuar me rusët në detyrat tuaja të mëparshme, a mund të na tregoni më shumë për teknikat dhe mënyrat e tyre për të shmangur / mohuar / kundërshtuar akuzat për dezinformim dhe propagandë?

Në Ukrainë, rusët përdorin kanalin e tyre televiziv, i cili transmetohet në të gjithë Ukrainën. Qytetarët e Ukrainës e dinë gjuhën ruse, kështu që rusët kanë të lehtë të “shesin” propagandën e tyre, veçanërisht në fshatra. Në pjesën tjetër të botës ata përdorin kryesisht internetin, duke krijuar llogari të rreme. Arsyeja kryesore që Putini sulmoi Ukrainën dhe filloi luftën ishte se Rusia ishte në rrezik nëse NATO zgjerohej në Ukrainë. Ukraina madje refuzoi të anëtarësohej në NATO. Madje Ukrainës iu tha të mos aplikonte për anëtarësim në NATO. Duke ditur se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se ai nuk mund ta promovonte atë si të vërtetë, Putin tha se Ukraina ishte gabim historik i bërë në komunizëm, gjë që natyrisht nuk është e vërtetë.

A prisni më shumë aktivitete propagandistike të organizuara apo më të forta nga Kremlini derisa pushtimi zvarritet dhe/ose në periudhën pas pushtimit? Si do t’i organizojë Kremlini aktivitetet e tij propagandistike në vende të ndryshme gjeografike – ndërkombëtare, vendase dhe në Ukrainë?

Putini nuk mund të thotë se e humbi luftën. Kështu ai do ta fitojë këtë luftë me forcë. Ajo që ndodhi në terren nuk është plotësisht e qartë. Ai mund të instalojë një qeveri kukull, por atëherë do të ketë guerilë. Kështu që, ai në fund patjetër të ketë një fitore të shpallur. Të deklarojë se kanë fituar. Do të jetë e vështirë për ta. Por ata do ta bëjnë. Duhet. Ata duhet të shpikin një gënjeshtër dhe duhet të investojnë shumë në të. Nuk do të jetë e lehtë për rusët. Çfarëdo që të ndodhë, ata duhet të thonë se kanë fituar. Për ta bërë këtë, ata mund të krijojnë disa ngjarje të rreme të njohura në histori, të tilla si arsyet pse Hitleri pushtoi Poloninë. Pra, ata do të prodhojnë fakte të rreme, ngjarje të rreme për të shpallur fitoren e Putinit dhe propaganda do të rritet në të ardhmen.

Si do të ndikojnë sanksionet ndërkombëtare në propagandën dhe “lajmet” e Kremlinit në nivel ndërkombëtar? Dhe çfarë mendoni se mund të bëjë Kremlini për të dëgjuar zërat e tyre jashtë tani që vendet perëndimore dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar kanë mbyllur mediat shtetërore ruse?

Sanksionet kundër “Russia Today” janë vetëm sanksione, jo strategji kundër dezinformimit. Pra duhet më shumë. Mendoj se na duhen dy gjëra. Na duhet më shumë transparencë. Transparenca është mënyra më e mirë për të luftuar dezinformimin. Kështu, në këtë mënyrë transparenca çon në dy gjëra. Së pari, demaskimin e së vërtetës dhe së dyti, transparenca e mediave të drejtuara dhe të financuara nga Rusia. Duhet të ketë më shumë hulumtime gazetareske për të pasur më shumë transparencë.

Çfarë mendimi keni për dezinformatat e Kremlinit në Ballkan?

Kur isha në Ballkan, propaganda nuk ishte aq e zhvilluar si mjet i fuqishëm në duart e diktaturës, sa është tani. Unë nuk di shumë për specifikat e propagandës aktuale ruse, por e di që rusët në Ballkan kanë më shumë lidhje se pjesa tjetër e Evropës. Pra, pres që ata të kenë kontakte shumë të mira dhe pritje shumë të mirë në shoqëritë ballkanike, kështu që ata ndoshta kanë më shumë mundësi për të përhapur propagandën e tyre për Ballkan sesa në BE.

Çfarë prisni nga pushtimi rus në Ukrainë?

Lufta nuk do të përfundojë siç presin. Ata mendonin se një pjesë e popullsisë do t’i priste me lule dhe se një pjesë e ushtrisë ukrainase nuk do të luftonte me rusët, siç ndodhi në Krime, por tani nuk është kështu. Rezistenca e popullit ukrainas është shumë më e madhe se sa pritej. Pra, rusët do të përpiqen të bëjnë një qeveri marionetë si në Bjellorusi. Për ta bërë këtë, ata duhet të marrin Kievin ose të vrasin presidentin dhe udhëheqjen e lartë ushtarake të Ukrainës.

Ndoshta do të përpiqen ta kthejnë Janukoviçin ose një Lukashenko të dytë, por lufta nuk do të përfundojë. Do të ketë guerilë në vend. Ukrainasit nuk do të pranojnë instalimet ruse.

Një tjetër opsion është nënshkrimi i një kuazi-marrëveshje, nga e cila askush nuk do të jetë i kënaqur. Një tjetër mundësi është ndarja e Ukrainës në dy pjesë.

A shihni pushtime të tjera të Putinit në Ballkan apo Baltik?

Nuk mendoj se Putini do të shkojë të sulmojë vend tjetër në Ballkan apo Baltik. Vetëm Transmistria (rajoni i Moldavisë) mund t’i aneksohet Rusisë, sepse Moldavia aktualisht nuk ka kontroll mbi atë rajon, i cili është i populluar me njerëz që flasin rusisht. Nuk mendoj se konflikti në Ukrainë do të përhapet në vendet e NATO-s. Nëse Putini sulmon ndonjë vend të NATO-s, do të jetë Lufta e Tretë Botërore.

Si e shihni reagimin e BE-së dhe vendeve perëndimore ndaj krizës ukrainase?

Putini i ka kushtuar vëmendje të madhe NATO-s. NATO po vdiste, thuajse e harruar, e padobishme. Por NATO nuk ka qenë kurrë më e bashkuar sesa tani. Gjithashtu, Bashkimi Evropian është i bashkuar si kurrë më parë. Mendoj se Hungaria dhe Polonia, që ishin kritikë të mëdhenj të BE-së, tani janë më të solidarizuar me BE-në sesa më parë. Ky është një efekt anësor i luftës së Putinit në Ukrainë. Ai mendoi se BE-ja do të ishte e dobët në përgjigjen e saj. BE-ja ishte pak e ngadaltë dhe pak e vonuar me reagimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button