Bexheti: Për tregjet do të gjenden zëvendësime pas invazionit në Ukrainë, por nuk ka alternativë për humbjen e jetëve njerëzore

Nëpër rrjetet sociale dhe një pjesë të mediave pas invazionit mbi Ukrainë qarkullojnë lajme të fabrikuara, që bëhen me qëllim të caktuar, të përhapin mjegull, thotë në intervistë për Vërtetmatësin Akademiku Abdylmenaf Bexheti. Sipas tij, humbjet për shkak të krizës Ruso-Ukrainase të shprehura në financa janë minore, sepse për çdo gjë mund të gjenden tregje alternative, por alternativë për humbjet e jetëve njerëzore nuk ekziston. Rusia, thotë Bexheti, duhet të mendojë se si do të gjejë tregje alternative, sepse komponenti eksportues i Rusisë vetëm në Evropë është mbi 60 përqind, transmeton Vërtetmatësi.

Shkruan: Zoran Dimovski

Nga Oda Ekonomike Ruso-Maqedonase theksuan se në këtë moment për shkak të invazionit në Ukrainë vendi ynë nuk ka alternativë për eksportim të një pjese të artikujve bujqësore, njëe treta e të cilëve deri tani janë eksportuar në Rusi, ndërkohë që Evropës nuk i nevojiten artikuj të tillë. A ka alternativë për këtë çështje?

Zakonisht, kur paraqiten kriza të këtilla gjithmonë vlerësimet fillestare na çojnë drejt një gjëje, befasi dhe pasiguri e lartë. Në këtë moment, nëse pyetemi, nuk mund të gjejmë tregje alternative, në një situatë kur tregu ekzistues për shkak të krizës zhduket për 10 ditë. Edhe nga ai këndvështrim nuk ka automatizëm për gjetjen e tregjeve të reja, nëse merren parasysh tregjet e mëdha siç është Rusia. Mirëpo, në përgjithësi Rusia nuk është një partner i madh tregtar i Maqedonisë, por është e madhe për nga struktura e produkteve që i eksportojmë dhe importojmë nga të dy anët, e ato janë produkte strategjike. Importojmë naftë, gaz, çelik, minerale, të cilat për shkak të natyrës së tyre vështirë mund të gjenden në afat të shkurtër. Mirëpo, në çdo krizë, agjentët ekonomikë janë pragmatikë dhe gjithmonë gjejnë alternativë. Nuk ka asgjë pa alternativë. Ne në çdo pesë deri në dhjetë vite kemi nga një krizë. Ishim në krizë globale financiare, pastaj në Kovid krizë. E tani, nuk mund të gjejmë zgjidhje sot për sot. Por bizneset, qoftë nga komponenti importues apo ai eksportues që janë të tanguar nga këto gjendje, do të gjejnë tregje e në fund të fundit, kjo është ekonomi, ju duhet të gjindeni sa i përket tregjeve. Shtrohet pyetja se sa do të na kushtojë kjo gjë. Mirëpo këtu nuk bëhet fjalë për humbje të shprehura në financa, kur humbjet e jetëve njerëzore janë më të rëndësishme, posaçërisht në këtë ekonomi, e cila është një pikë në oqean për këmbimet që i kemi me Rusinë. Kur bëhet fjalë për situatën në Rusi, ato duhet të mendojnë se ku do të gjejnë zëvendësim, sepse komponenti eksportues i Rusisë është mbi 60 përqind në Evropë dhe në eksportin e tyre dominojnë tre shtete.Holanda, Gjermania dhe Italia përbëjnë 40 përqind të eksportit të përgjithshëm dhe nëse këtu i shtojmë edhe SHBA-të, ato nuk mund të gjejnë zëvendësim. Me Rusinë kemi import vjetor prej 120 milionë dollarësh, ndërsa eksporti është 60 milionë, që domethënë se kemi deficit prej 60 milionë dhe nëse s’ka alternativë, nuk do të kapitullojmë, sepse numrat aspak nuk janë të larta.

Sa do të jenë të mëdha pasojat ekonomike mbi vendin tonë, duke pasur parasysh invazionin mbi Ukrainën, nëse e dimë se shkëmbimi tregtar me Rusinë është 2 përqind, ndërsa me investime direkte të huaja merr pjesë me 0,5 përqind, e vetëm 0,1 përqind nga remitancat vijnë nga Rusia dhe Ukraina? Pyetja është para së gjithash edhe në kontekst të frikës së madhe të biznesmenëve të Maqedonisë, ndërsa edhe titujt e disa analizave sugjerojnë se ato kanë frikë se do të mbesin pa bukë.

Këtu është kritike pjesa e pasojave indirekte, që do të jenë shumë më të theksuara se këto që mund të na tangojnë direkt. Mirëpo, përsëri do të ketë pasoja, sepse ai një ose dy përqindshi janë me rëndësi, në cilat degë dhe te cilat produkte. Edhe ato përqindje janë shumë më të rëndësishme për ata që i prodhojnë ato, por efektet indirekte, do të thoja, do të jenë shumë më të mëdha. Gjermania është partneri i tretë botëror me Rusinë, ndërsa Gjermania është partneri i ynë i parë, domethënë impaktet indirekte do të jenë shumë më të mëdha.

Një pjesë e ekspertëve thonë se 30 përqind jemi të varur nga gruri dhe drithërat nga Rusia dhe Ukraina dhe se e gjithë kjo do të ketë ndikim në këtë sektor. Sa mund të gjendet alternativë tjetër dhe sa është e rrezikshme kjo për mungesë të drithit, gjegjësisht miellit në vendin tonë?

I dëgjoj këto frika dhe reagime dhe mendoj se janë të ekzagjeruara. Ka alternativë, të themi, nga Kanadaja dhe nga Australia. Parashtrohet pyetja se sa kjo gjë do ta na e shtrenjtojë eksportin. Përndryshe, në botë ka ofertë të mjaftueshme për këto produkte.

Si e shikoni furnizimin e Maqedonisë, para së gjithash të kompanive maqedonase, me gaz natyror, kur e dimë se thuajse të gjithë gazin e marrim nga ky shtet, e i cili përdoret si energjens në zonat industriale. Disa ekspertë thonë se këtu në fakt do të jetë problemi më i madh për shkak të luftës në Ukrainë. A do të ketë këtu alternativë shteti ?

Nëse Gjermania gjen alternativë, e cila është rreth 60 përqind e varur nga gazi rus, atëherë çka mbetet për ne. Këto gjëra theksohen si tepër. Shkatërrimi i rendit, dyshimet për ekzistencën e shteteve të vogla, kjo është çështja më e dhimbshme. Ne në fillim të viteve të nëntëdhjeta si shtet kishim bllokada nga jugu dhe veriu, por gjetëm tregje alternative. Një tanker të vijë me gaz në Selanik dhe na furnizon të gjithëve për 4 muaj, kjo ka alternativë, alternativë nuk kanë jetët që humben atje.

Në këtë kontekst, në vendin tonë nafta ruse importohet me rreth 25 përqind të importit të përgjithshëm. A do të shpjerë kjo, siç alarmojnë disa analistë, deri te rritja e çmimit të naftës, por edhe të burimeve të tjera të energjisë, siç është energjia elektrike, si domino efekt nga kriza Ruso-Ukrainase?

Kjo gjë tashmë vihet re te mallrat strategjike, çmimet rriten. Bëhet fjalë për materiale bazë, gjegjësisht materiale që janë të nevojshme për ne. Mirëpo, përsëri nuk mendoj se nuk do të gjenden zgjidhje alternative, problemi është vetëm se me çfarë çmimi do t’i gjejmë  ato produkte alternative. Të detyruar nga spiralja inflatore, mund të arrijmë në një pikë që bankat nacionale t’i rrisin normat e interesit, që të mund ta mbajmë inflacionin nën kontroll. E tani, shtrohet pyetja se sa kjo rritje do të sjellë deri te rënia e investimeve, duke pasur parasysh rënien e ofertës. Institucionet mjaft me vëmendje i ndjekin këto lëvizje. Unë e ndjek çdo ditë dinamikën e buxhetit dhe besoni është ideale. Për dy muajt e parë edhe në Kovid krizë, edhe në këtë situatë të tensionuar, diku rreth 14 përqind e të hyrave buxhetore realizohen në muaj të këtillë krize, ndërsa ana e shpenzimeve është 15 përqind, e kjo është shumë e balancuar. Domethënë gjendja nuk është alarmante. Në rregull, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe t’i ndjekim gjendjet çdo ditë, por të mos ngremë panik, dhe të keni parasysh se ekonomia është e ndjeshme ndaj panikut.

Për shkak të krizës në Ukrainë një pjesë e bizneseve i tremben mungesës së çelikut dhe hekurit të cilët kryesisht importohen nga Rusia, Ukraina dhe Rumania. Realisht, a duhet të kemi frikë të këtillë, kur e dimë se sa e madhe është industria në vend dhe se ka edhe tregje të tjera për këto produkte.

Ka impakt të madh tek ne, duke pasur parasysh se ndërtimi ka pjesë të madhe në BPV dhe mundëson edhe numër të madh të punësimeve. Por, investitorët seriozë kanë rezerva që t’i mbijetojnë kësaj periudhe. Kjo nuk është diçka prej para dhjetë ditësh, kjo paralajmërohej që më herët, por edhe sezoni i ndërtimit ende nuk ka filluar dhe mendoj se deri atëherë gjendja do të stabilizohet, dhe përsëri do ta them, këtu disa gjëra mbitheksohen.

Pyetja më e dhimbshme për qytetarët është se si do të ndikojë kriza ukrainase në tregun ushqimor?

Mendoj se do të ketë ndikim, në atë pjesë jam i ndjeshëm dhe mendoj se do ta godasë shtresën e varfër të shoqërisë, nëse rritet çmimi i vajit edhe 3 përqind, ose çmimi i artikujve të tjera themelore. Mirëpo, këtu shteti duhet të bëjë kujdes, t’i subvencionojë produktet e tilla për një periudhë të caktuar, sepse do të cenohet fuqia blerëse sidomos e qytetarëve të rrezikuar.

Si njohës i gjendjes, por edhe si person që i ndjek trendet ekonomike, a keni hasur në informata që ju si ekspert i konsideroni dezinformata, e që kanë të bëjnë me pasojat ekonomike nga lufta në Ukrainë?

Po, sigurisht, lajme të tilla të fabrikuara qarkullojnë nëpër rrjete sociale dhe në mediat serioze, e që publikohen me një qëllim të caktuar, të përhapin mjegull. Secili i përhap këto dezinformata sipas interesit të vet dhe në mënyrën e vet. Për shembull, sa i përket asaj se sa humbet rubla dhe çfarë do të thotë kjo, që Rusia të kapitullojë për një ditë. Ose se tregjet e kapitalit kanë humbur deri në 77 përqind nga pasuria e tyre. Duhet të bëhet kujdes me këto spekulime, sepse për shembull, në rastin konkret ka rregulla, nëse bursa bie më shumë se 20 përqind, ajo mbyllet. Dhe ja edhe sot e kësaj dite bursa e Moskës dhe bursa e Petersburgut janë të mbyllura, sepse ranë shumë poshtë. Ka edhe lajme të tilla spekulative të cilat në një farë mënyre keqpërdoren, me qëllim që disa individë të krijojnë pritshmëri pozitive, ndërsa tek të tjerë të paraqiten pritshmëri negative dhe kjo është evidente. Ose për shembull, ka dezinformata se zëvendësimi i mekanizmit Swift, i cili është arterie e kanaleve financiare dhe pagesës në përmasa ndërkombëtare ekonomike, do të mund të zëvendësohet me valuta ndërkombëtare. Këto janë marrëzira, ato që i njohin këto gjëra menjëherë do t’i dallojnë, këtu bëhet fjalë për interpretues popullorë ose të ashtuquajtur ekonomistë, që nuk e dinë se çka do të thotë kjo. Në të kaluarën kemi pasur situata paradoksale në bursën e Maqedonisë, por kësaj here bursa punon mirë. Ne kemi pasur situatë kur te ndonjë kompani, këshilli drejtues është i mbyllur, ndërsa aksionet janë në maksimum.  Dezinformatat absolutisht që kanë ndikim te bursa, ato janë zgjidhje që krijohen në bazë të ofertës, kërkesës dhe pritshmërive. Tani, ka transaksione spekulative, ne i quajmë ashtu, dhe ato janë të pranishme, por njerëzit i dinë rregullat themelore të punës së berzës. kështu që njerëzit dinë t’i dallojnë spekulimet, por ka edhe të tillë që u besojnë dezinformatave. Mua shpesh më parashtrojnë pyetje, si për shembull a i kanë të sigurta depozitat në bankë, ju them, kush ua ka thënë këtë, madje krijohet edhe alarm që të tërhiqen depozitat. Për momentin ne kemi likuiditet tepër të madh të bankave, ato nuk kanë çfarë të bëjnë me paratë. Ky lloj i spekulimeve qarkullon dhe mendoj se disa institucione duhet të jenë kujdestare për sqarim dhe qartësim në mënyrë shumë serioze, që ta ngushtojmë rrethin e lajmeve të rrejshme, sepse jo të gjithë njerëzit janë ekonomistë.

Është e qartë se pas pushtimit të Ukrainës ekonomia nuk do të jetë e njëjtë. Por, a do të zvogëloheshin pasojat negative nëse në vendin tonë bëheshin analiza të rregullta, nëse kërkoheshin tregje alternative, nëse bëheshin kontrata shumëvjeçare dhe me çmime të pandryshueshme për energjensët?

Ne nuk u kujdesëm në kohë edhe para 10 vitesh. Nëse do e kishim realizuar projektin Çebren dhe Galishte dhe të mos shpenzonim para për marrëzira, sot nuk do të kishim problem me energjinë elektrike. Por, kur politikanët janë mirë, mendojnë se nuk do të kthehen kohët e këqija. Sepse nëse më parë kishim krizë në afat më të gjatë, tani kemi kriza më të shpeshta. Edhe këtu jam dakord se nuk jemi kujdesur. Kemi ardhur në situatë që të kemi resurse për prodhim të energjisë elektrike, e vazhdimisht të importojmë energji elektrike. I dëgjoj autoritetet, thonë rezervat janë plotë me nafte dhe derivate e energjensë të tjerë dhe produkte strategjike, por nuk jam i sigurt nëse është vërtetë kështu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button