Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar në Mariupol

Ekipet e Emergjencave kanë vazhduar kërkimet për të mbijetuar nën rrënojat e teatrit të shkatërruar në Mariupol, nga një sulm ajror i forcave ruse, transmeton REL.

Teatri po përdorej si strehë nga qindra civilë të Mariupolit, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan gjatë tri javë luftimesh.

Gati 24 orë pas sulmit, nuk ka pasur raportime për të vdekur.

“Ne shpresojmë dhe mendojmë se disa njerëz që qëndruan në teatër, mund të kenë shpëtuar”, tha për Associated Press Petro Andrushchenko, zyrtar i Bashkisë.

Ai tha se ndërtesa kishte një strehë relativisht moderne për bomba në bodrum, e projektuar për t’u bërë ballë sulmeve ajrore.

Zyrtarë të tjerë kishin thënë më herët se disa njerëz i kanë shpëtuar shkatërrimit.

Avokatja e Popullit në Ukrainë, Ludmyla Denisova, tha se streha nuk ishte shembur nga bombardimet dhe se disa njerëz kanë mbijetuar.

Në teatër po strehoheshin afro 1200 fëmijë dhe gra.

Ushtria ruse mohoi të mërkurën se e ka bombarduar teatrin në Mariupol.

Më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës. Sot është dita e 22 që nga fillimi i agresionit rus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button