Mariçiq: Bashkëpunimi rajonal sjell stabilitet në kohë krize, e ardhmja jonë është e përbashkët dhe evropiane

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështjet evropiane, Bojan Mariçiq, sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të ekspertëve “Bashkëpunimi rajonal për integrim evropian”, organizuar në kuadër të nismës “Dialogje ballkanike”, ku në fjalën e tij theksoi se bashkëpunimi rajonal është realitet dhe tani, si kurrë më parë, rajoni duhet të bashkohet për të kapërcyer më lehtë sfidat me të cilat përballemi ne dhe Bashkimi Evropian, transmeton Portalb.mk.

“Bashkëpunimi i mirë dhe komunikimi i vazhdueshëm në baza të ndryshme janë vlera të nismave rajonale, por sigurisht jo zëvendësim i integrimit evropian, por shtyllë dhe katalizator i bashkëpunimit rajonal që duhet të çojë në një proces më dinamik të integrimit evropian. Në një kohë të ndryshimeve globale, ne jemi gati të përshtatemi, por nuk jemi gati dhe nuk duam të ndryshojmë qëllimet tona strategjike, kështu që hapja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është prioriteti ynë më i lartë”, tha Mariçiq.

Zëvendëskryeministri shtoi se nuk ka alternativë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe se duhet të fillojmë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse kemi bërë pjesën tonë dhe më shumë se sa pritej, tani është koha që BE të bëjë hapin e saj.

“Na nevojiten vendime të guximshme për të rikthyer në fokus politikën më të suksesshme ndonjëherë, dhe kjo është politika e zgjerimit, duke marrë parasysh kohën e kaluar në pritje për aktivizimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Union”, përfundoi Mariçiq.

Në kuadër të panelit “Ëndrra dhe realiteti i një rajoni evropian”, Mariçiq tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë zgjedhur një anë dhe është e qartë se ata qëndrojnë së bashku me partnerët e tyre euroatlantikë, si anëtarë të NATO-s dhe aspirantë për anëtarësim të plotë në BE- në përputhje të plotë me sigurinë dhe politikën e jashtme të BE-së.

“Askush nuk e mendoi se sot, këtu, do të na duhet të debatojmë “perspektivat e integrimit në BE në Ballkanin Perëndimor në kohë krize”, pasi perspektiva është zakonisht e pashmangshme me paqen dhe prosperitetin. Sot, për fat të keq, jemi dëshmitarë të konflikteve në tokën evropiane, me pasoja për Bashkimin Evropian, por edhe për ne, vendet e rajonit. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të përfundojë bashkimi i kontinentit, për ta bërë atë më të fortë dhe më rezistent ndaj çdo kërcënimi aktual ose të ardhshëm,” tha Mariçiq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button