Kadastra e gjelbër është vetëm një vegël imagjinare, pemët po e humbin betejën me betonin

Gjelbërimi i qytetit nuk po rritet. Katër vite pas miratimit, ligji për gjelbërim urban, me të cilin u parashikua që për çdo banor të ketë 25 metra katrorë sipërfaqe të gjelbër, nuk solli ndonjë ndryshim serioz. Mbetet përshtypja se në qytete rriten vetëm ndërtesa të reja, por jo edhe pemë. Qytetarët vazhdojnë të luftojnë për një pikë ajër të pastër, në pjesën më të madhe të vitit dhe shpeshherë duhet të vetë-organizohen për të shpëtuar pemët dhe parqet nga sulmet e sharrave të komunave dhe ndërmarrjeve publike apo nga ekskavatorët e investitorëve, njofton Meta.mk.

Nuk funksionon as kadastra e gjelbër e Shkupit, vegël që u paralajmërua shumë zëshëm, e cila duhej të na tregonte të gjithëve dhe në çdo kohë se ku, si dhe sa dhe çfarë lloj pemësh kemi. Të na informojë se sa pemë të reja janë mbjellë dhe nëse janë të vërteta shifrat që na servohen nga institucionet kur thonë se investojnë në gjelbërim. Aplikacioni i Kadastrës së Gjelbër të Shkupit aktualisht nuk tregon asnjë të dhënë, as nuk bën përzgjedhje të informacioneve që janë paraparë se duhet t’i ofrojë. Shumë pak interes, për krijimin e kadastrave të gjelbra transparente, detyrim ky që u imponua nga ligji për gjelbërimin urban, ka edhe në komunat e tjera në të gjithë vendin. Për momentin kadastër të tillë ka vetëm në Kavadar, ndërsa në hartim e sipër është kadastra në Ohër.

Dekani i Fakultetit të Pylltarisë, Arkitekturës së Peizazhit dhe Eko-inxhinierisë “Hans EM”, Kirill Sotirovski thotë se kadastra e gjelbër e Shkupit parimisht është e papërdorshme dhe e humb kuptimin e saj, sepse nuk përditësohet me të dhëna të reja.

“Kadastra e Gjelbër është një vegël shumë e dobishme dhe e domosdoshme, por, për fat të keq, në këtë situatë, në të cilën ndodhet në qytetin e Shkupit, praktikisht është e padobishme tashmë një kohë të gjatë. Ata që duhet ta përdorin kadastrën, qoftë për arsye shkencore, aplikative, financiare apo ndonjë arsye tjetër, nuk mund t’i besojnë asaj, sepse të dhënat aty për shkak të mos përditësimit vjetrohen dhe bëhen të parëndësishme. Për shembull, sistemi ende përmban informacione rreth pemëve që kanë ngordhur ose janë hequr prej kohësh, ose nuk mund të gjenden pemët që janë mbjellë rishtazi. Këto janë “gabimet” më radikale që janë të kuptueshme për laikët, por ka probleme të tjera që janë më specifike, e që janë të rëndësishme për ekspertët”, vë në pah Sotirovski.

Çdo vit Shkupi dhe komunat e tjera thonë se mbjellin mijëra fidanë të rinj, por ata nuk janë të përfshirë në sistem, edhe pse do të ishte më e përshtatshme që të bëhet kjo në momentin e mbjelljes. Sotirovski beson se çdo futje e mëvonshme e fidanëve të sapo mbjella bëhet problematike në aspektin logjistik dhe teknik dhe me shumë mundësi edhe në aspektin financiar. Kështu, të dhënat përkatëse se çfarë dhe sa mbillet, ku bëhet dhe sa prej atyre fidanëve mbijetojnë pas një, dy ose më shumë vitesh humbasin lehtësisht. Humbin gjurmët dhe nuk ka transparencë se ku shkojnë apo humbin paratë publike të destinuara për gjelbërim. Ai beson se një qasje përkatëse e pjekur dhe sistematike për përditësimin e vazhdueshëm të sistemit, edhe pse në dukje është i ndërlikuar dhe i shtrenjtë, në fakt jo vetëm që do të kthejë paratë e investuara, por do të jetë një pengesë objektive sistemore ndaj korrupsionit, për heqje joprofesionale dhe të pakujdesshme të gjelbërimit, për mbjellje joprofesionale dhe dukuri të tjera të padëshiruara.

Sotirovski thotë se të dhënat nga regjistrimi i popullsisë së shpejti duhet të ndihmojnë në vlerësimin e sipërfaqes mesatare reale të gjelbërimit për kokë banori në të gjitha zonat urbane. Megjithatë, thekson ai, edhe pa ato të dhëna, është e qartë se gjelbërimi, të paktën në qytetet më të mëdha, po shkon në drejtim të kundërt nga ai i dëshiruari.

“Me ndërtimet intensive, shpesh herë kriminale dhe çnjerëzore të objekteve, po hiqen sipërfaqet e gjelbra, apo sipërfaqe potencialisht të gjelbra, kurse njëkohësisht po rritet edhe dendësia e popullsisë që do të banojë në ato objekte. Me këtë urbanizimi, i jep goditje të dyfishtë humanes, gjegjësisht jetës afër natyrës, për të cilën duhet të synojmë të gjithë në qytetet tona”, thotë Sotirovski.

Shembujt se mendësia e profitit dhe imponimi i interesit privat në kurriz të së mirës publike janë shumë të zakonshëm dhe të pranishëm pothuajse në çdo qytet. Zonat e gjelbra janë atë që vuajnë më së shpeshti, kurse qytetarët shpesh janë të pafuqishëm për të parandaluar diçka. Është ende i freskët shembulli me rikonstruksionin e rrugës “Orce Nikollov”, por edhe ato të rrugës “Vasko Karangelevski” dhe oborrin e ish-fabrikës “Treska”, të cilat janë cak i ekskavatorëve. Para disa ditësh ka nisur lufta për vendbanimin e vjetër të Shkupit, Vllae, i njohur për shtëpitë karakteristike individuale, ku Komuna e Karposhit planifikon të ndërtojë një ndërtesë shumëkatëshe pranë një shkolle dhe një kishe dhe në një këndi gjithëpërfshirës për fëmijë.

Gjelbërimi urban, i cili është paraparë në Ligjin për gjelbërim urban, përfshin gjelbërimin publik dhe gjelbërimin tjetër. Aty përfshihen të gjitha parqet, pyjet-parqe, aleat me pemët, korridoret e gjelbra, gjelbërimi mbrojtës, por edhe gjelbërimi i parregulluar. Sipas të dhënave nga Programi vjetor për ngritjen dhe mirëmbajtjen e gjelbërimit në zonën e Qytetit të Shkupit për vitin 2022 të ndërmarrjes publike “Parqe dhe gjelbërim”, Shkupi ka gjithsej 5.064.117 metra katrorë sipërfaqe nën gjelbërim, prej të cilave 2.353.392. janë urbane dhe 2.710.725 metra katrorë janë gjelbërim komunal.

Mirëpo, aktivisti ekologjik dhe këshilltari i grupit Qyteti i Gjelbër Human në qytetin e Shkupit, Gorjan Jovanovski thotë se, nga miratimi i ligjit për gjelbërim urban, në kryeqytet jo vetëm që nuk janë shtuar sipërfaqet me gjelbëri, por ekziston përshtypja. se ato janë në rënie. Çështja më shqetësuese është qëndrimi i pushtetit vendor, të cilët ende nuk kanë frikë t’u rreken sharrave dhe ekskavatorëve si dhe nuk brengosen as për detyrimet që dalin nga ligji. Jovanovski thotë se aktivistët dhe qytetarët ende ballafaqohen me probleme si prerja e fshehtë e pemëve, siç ishte ajo në rrugën Orce Nikollov, pa paralajmërim dhe pa i shpallur publikisht arsyet as institucionin që e ka lëshuar lejen.

“Në vend që institucionet të jenë ato që do të kryejnë detyrat e tyre, ne jemi ata që kërkojmë dhe hetojmë se kush e ka lëshuar lejen dhe nëse ato pemë kanë qenë me të vërtet për prerje apo jo. Ndaj, një nga kërkesat e QHGJ-së drejtuar administratës së qytetit është riaktivizimi i kadastrës së gjelbër. Ajo vegël duhet të identifikojë të gjitha pemët në qytet dhe të mund të monitorojë në mënyrë transparente nëse dikush ka tentuar të preje një pemë ilegalisht, qoftë edhe në një oborr privat, e jo në një zonë publike”, tha Jovanovski.

Ai vë në pah se kjo kërkesë e paraqitur si amendament në buxhetin e këtij viti nuk është pranuar për shkak se nuk ka pasur mjete të mjaftueshme, megjithatë pret që me rebalancin e paralajmëruar kjo gjë do të ndryshojë.

“Ka mënyra dhe mundësi që të sigurohet që kadastra e gjelbër të funksionojë, por mua më duket se nuk ka vullnet për këtë”, thotë Jovanovski.

Ligji për Gjelbërimin Urban parashikon që me Planin e Përgjithshëm Urbanistik të përcaktohet vëllimi i sipërfaqes së gjelbër për kokë banori, të cilën njësia e vetëqeverisjes lokale duhet ta arrijë brenda afatit të përcaktuar me dokumentacionin e planit. Parashikohet që në procesin e urbanistikës, gjatë përgatitjes së Planit të Përgjithshëm Urbanistik, është e nevojshme të sigurohen 25 metra katrorë gjelbërim për kokë banori brenda urbanistikës, si dhe detyrimi gjatë përgatitjes së planeve të detajuara urbanistike dhe projekte arkitektonike – urbanistike të sigurojë të paktën 20 për qind gjelbërim në çdo parcelë ndërtimore.

Pak para fillimit të përgatitjes së planit të ri të Përgjithshëm Urbanistik për Shkupin, Jovanovski thekson se po promovohet ideja për të bërë pasaportë të kryeqytetit, sipas shembullit të Sofjes. Bëhet fjalë për një hartë që është në dispozicion për publikun e lagjeve të qytetit ku përfshihet i gjithë informacioni, përfshirë edhe për gjelbërimin, nga ku mund të merren informacione për investimet dhe planet e ardhshme se si të arrihet standardi prej 25 metrash katrorë gjelbërim për çdo banor.

Nga ana tjetër, Qyteti i Shkupit nuk i ka ndarë planet dhe vizionet e veta se si do të punojë për pasurimin e gjelbërimit gjatë vitit. Autoritetet e qytetit nuk janë përgjigjur në pyetjet e redaksive të Meta.mk se sa gjelbërim ka në Shkup dhe cilat janë investimet e planifikuara për rritjen e tij. Nuk morëm përgjigje as për arsyet përse nuk funksionon kadastra e gjelbër, as nëse planifikohet rinovimi i saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button