BE-ja “do ta pastrojë” ajrin e Tetovës nëpërmjet projektit që përfshin disa komuna

Para dy ditëve u regjistruan shifrat më të larta të ndotjes së ajrit në Tetovë për muajin mars deri më tani, edhe atë mesatarja e grimcave PM 10 ishte 105.85 μg/m3, dyfish më shumë se sasia e lejuar, vlera mesatare e të cilave nuk mund të  kalojë 50 mikrogramë për metër kub dhe jo më shumë se 35 herë në vit. Ndotja e ajrit vazhdon të mbetet problem, tani për tani, i pazgjidhur. Së fundmi Komuna e Tetovës, përfitoi një projekt i cili ka për qëllim përmirësimin e ajrit përmes disa masave, shkruan Portalb.mk.

Edhe përkundër thirrjeve dhe aksioneve të vazhdueshme nga organizatat e mjedisit për zgjidhje të problemit, Tetova vazhdon të mbetet një prej liderëve për ndotje të ajrit jo vetëm brenda vendit apo rajonit, por edhe më gjerë.

Ndonëse ndotja më e madhe ndodh gjatë sezonit të dimrit apo të ngrohjes, as muaji mars kur edhe fillojnë të rriten temperaturat, nuk shpëtoi nga shifrat e larta të grimcave të dëmshme PM 10. Nga 1 mars deri me 1 mars, grimcat PM 10 tejkaluan vlerën e lejuar në 8 ditë, edhe atë:

  • 4 mars- 67.76 μg/m3
  • 5 mars- 67.67 μg/m3
  • 6 mars- 62.98 μg/m3
  • 13 mars- 57.60 μg/m3
  • 14 mars- 81.14 μg/m3
  • 15 mars- 87.39 μg/m3
  • 16 mars- 105.85 μg/m3
  • 17 mars- 67.33 μg/m3

Kryetari i Komunës së Tetovës, para tre ditësh njoftoi se Komuna e Tetovës përmes projektit “EU for clean air” (BE-ja për ajër të pastër) bashkë me Shkupin, Kumanovën dhe Manastirin janë përfituese të grantit prej dhjetë milion euro, ku ky projekt ka për qëllim përmirësimin e ajrit përmes disa masave si përmirësimi i sistemit të ngrohjes në Institucionet publike në Komunën e Tetovës, mbjellja e pemëve në qytet si dhe vendosja e matësve mobil të ndotjes për të ofruar ajër më të pastër për një mjedis më të shëndetshëm.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk nuk zbuluan më shumë detaje se çfarë do të realizohet më konkretisht përmes këtij projekti, si dhe kur do fillojë dhe mbarojë i njëjti.

“Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes UNOPS – Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve dhe fondet IPA. Qëllimi i tij është që përmes disa masave, të ofrojë ajër më të pastër për një mjedis më të shëndetshëm, pra të reduktojë emetimet”, thanë nga Komuna e Tetovës duke na referuar te zyra e UNOPS-it për detaje më të hollësishme.

Nga UNOPS-i, zyra e Kombeve të Bashkuara në vend për Portalb.mk thanë se qëllimi i projektit është përmirësimi i cilësisë së ajrit në katër qytete të mëdha në Maqedoninë e Veriut – Shkup, Manastir, Kumanovë dhe Tetovë duke reduktuar emetimet e ndotësve, kryesisht PM 2.5 dhe PM10.

“Aktualisht projekti është në fazën e koordinimit dhe konsultimeve me palët e interesuara me datën e fillimit të projektit që pritet në fillim të vitit 2023. Projekti do të zbatohet për 36 muaj dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS) është përzgjedhur si partner zbatues, pas thirrjes për palët e interesuara”, thanë nga zyra e UNOPS-it në vend.

Projektit do të përbëhet nga katër grupe kryesore të aktiviteteve që synojnë:

  • Uljen e ndotjes së gjeneruar nga sistemet e ngrohjes duke përmirësuar sistemet e ngrohjes së ndërtesave publike;
  • Zvogëlimi i ndotjes së gjeneruar nga transporti publik me modernizimin e sistemit të transportit në Shkup;
  • Krijimi i brezave të gjelbër duke mbjellë pemë dhe gjelbërim urban;
  • Krijimi i parakushteve për zgjerimin e ngrohjes qendrore në Shkup me kryerjen e studimit të fizibilitetit dhe blerjen e stacioneve të lëvizshme të monitorimit të ajrit.

“Përfituesi kryesor i Projektit dhe aktori kryesor kombëtar është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e ndjekur nga Sekretariati për Çështjet Evropiane (SÇE)- në rolin e Koordinatorit Kombëtar të IPA-s, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës si përfitues të drejtpërdrejtë të Projektit. Vetëqeverisjet lokale të përfshira në projekt: Shkupi, Manastiri, Kumanova dhe Tetova janë përfitues të drejtpërdrejtë të tij”, thanë nga zyra e UNOPS-it në vend.

Nga atje shtuan se projekti është në përputhje me kuadrin legjislativ dhe strategjik të BE-së, si dhe me nevojat që rrjedhin nga problemet shëndetësore dhe pasojat ekonomike që shkakton ndotja e ajrit.

“Ai jep një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e gjelbër të vendit, duke qenë një nga prioritetet e Qeverisë për vitet 2020-2024. Ai do të kontribuojë në arritjen e objektivave nën shtyllën e dytë (ç-ndotja) e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së  dhe Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, informuan nga zyra e UNOPS-it në vend.

Tetovë, foto arkiv

Deri tani nuk janë ndërmarrë masa serioze nga autoritetet lokale

Në aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Nga Komuna për këtë të fundit thanë se në kohë sa më të shpejtë të jetë në funksion për qytetarët, por duke mos potencuar se kur.

Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm. Kryetari i Komunës, në plan programin e tij për 100 ditëshin e parë të udhëheqjes me Komunën e Tetovës e kishte edhe këtë pikë: Sanksione-gjoba financiare (përgjegjësi ligjore) për të gjithë ndotësit e ambientit jetësor me mbeturina jashtë kontejnerëve përkatës apo djegien e tyre. I pyetur nga Portalb.mk me 23 shkurt, ai tha se deri atëherë nuk janë shqiptuar dënime për ndotësit pasi janë duke e kompletuar kapacitetin kadrovik të inspektoratit dhe fillimisht do të shkohet me sensibilizim dhe informim të qytetarëve, pastaj me sanksione për ata ku do të konstatohet shkelje.

Masa joserioze edhe nga autoritetet qendrore

Raportet mujore të Sistemit Shtetëror të Monitorimit Automatik të Cilësisë së Ajrit të Ambientit për Tetovën tregojnë se në vitin 2021 ka pasur 132 ditë ajër të ndotur. Sipas standardeve botërore të shëndetit, në një vit kalendarik nuk duhet të ketë më shumë se 35 ditë me ajër të ndotur.

Që ky problem është mjaft serioz dhe kërcënues për vendin tone e thotë edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut. Në raport theksohet publikisht se vendi duhet të rrisë sasinë e financave si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar për të reduktuar ndotjen e ajrit, e cila mbetet shqetësim serioz.

Qeveria paralajmëroi dhe formimin e një fondi të gjelbër për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike në vlerë prej 36,3 milionë dollarë.

Ndryshe, rreth 1.8 milionë vdekje dhe gati dy milionë raste të astmës i janë atribuar ndotjes së ajrit në vitin 2019 në mbarë botën, sipas dy studimeve të publikuara në revistën The Lancet Planetary Health.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button