Tuneva: Gjatë konflikteve ushtarake duhet të kemi kujdes kur ndjekim rrjetet sociale

Gjatë luftërave dhe konflikteve, përdorimi i dezinformatave është edhe një taktikë më shumë – në atë rast nuk luftojnë vetëm ushtarët në terren, por luftojnë edhe qytetarët dhe institucionet që „plasojnë të vërtetën e tyre” dhe në atë mënyrë mendojnë se i kanë thënë gjërat ashtu siç janë. Megjithatë, qytetarët gjithmonë duhet të jenë skeptikë, pa dallim se nga vijnë ato informacione, thotë në një intervistë për „VËRTETMATËSIN, Marina Tuneva, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Etikës në Media. Sipas saj, një nga mënyrat më të fuqishme për të njohur dezinformatat është qasja skeptike dhe kritike ndaj përmbajtjeve të caktuara, për të parë se nga burojnë, kush i publikon, nëse bëhet fjalë për një medie profesionale e të besueshme, apo një medie për të cilën nuk është dëgjuar më parë.

Shkruan: Sonja Rillkovska

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në vendin tonë është vënë re përhapje e dezinformatave, propagandës, gjuhës së urrejtjes. Cila është arsyeja për këtë?

Dezinformatat nuk janë diçka e re, vazhdimi i fushatës me dezinformata, spekulime, informacione propagandistike ishte i pritshëm. Fenomene të tilla ndodhin për shkak se qytetarët besojnë në burimet e tyre të informacionit, sidomos në atë që postohet nëpër rrjetet sociale. Kur ndiqet një dhe vetëm një burim, dhe nuk bëhet asnjë përpjekje për të menduar në drejtim të vërtetësisë duke përdorur edhe burime të tjera të informacionit, pasojat janë këto dhe kjo shkakton një përhapje të mëtejshme të dezinformatave.  Kjo është një dukuri vërtet e dëmshme dhe qytetarët duhet të kenë kujdes, sidomos kur konsumojnë përmbajtjet e rrjeteve sociale, të cilat bartin me vete probleme dhe pasoja. Gjatë luftërave dhe konflikteve, përdorimi i dezinformatave është edhe një taktikë më shumë, në atë rast nuk luftojnë vetëm ushtarët në terren, por luftojnë edhe qytetarët dhe institucionet që „plasojnë të vërtetën e tyre” dhe në atë mënyrë mendojnë se i kanë thënë gjërat ashtu siç janë, mirëpo qytetarët gjithmonë duhet të jenë skeptikë, pa dallim se nga vijnë ato informacione.

Çfarë mund të bëjë Këshilli i Etikës në Media në këtë drejtim?

Këshilli për Etikë në Media është organ vetërregullator i medias, i cili në bazë të ankesave të qytetarëve për rastet e informimit joprofesional dhe joetik vendos nëse është shkelur Kodi Etik i Gazetarëve, pra korniza etike, apo standardet e profesionit. Ne ndihmojmë duke u bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë për çdo gjë që ata e konsiderojnë si përmbajtje të dyshimtë dhe më pas ai rast shqyrtohet nga Komisioni i Ankesave pranë KEMM-së. Vazhdimisht apelojmë që të parashtrohen ankesa, të reagohet për informim të njëanshëm dhe senzacionalist, për përzierje të fakteve me opinionet, për informacione në të cilat ka shmangie të së vërtetës etj. Mjafton që qytetarët të dyshojnë se diçka nuk është në rregull me tekstin në ndonjë medie dhe këtë ta paraqesin tek ne, e këtë mund ta bëjë çdo person në moshë madhore në vendin tonë.

Kemi vënë re shumë foto dhe video të rreme, të vjetra që nuk korrespondojnë me përmbajtjen, pra që nuk kanë lidhje me luftën në Ukrainë, kemi zbuluar se në disa postime shpërndahen edhe video nga video lojëra, klipe nga filma dhe të ngjashme. Sa kontribuon kjo në përhapjen e dezinformatave?

E gjithë kjo është pjesë e fushatave për dezinformim, raportim propagandistik dhe informim spekulativ. Edhe mediat botërore raportojnë për përpjekje të tilla për përhapjen elementeve të videolojërave, montazheve, madje edhe për raste kur përmbajtja kombinohet me vizualizim për të arritur efekt më të madh. Mendoj se rolin më të rëndësishëm këtu e kanë mediat profesionale kredibile, të cilat mund të ndihmojnë për të përcjellë të vërtetën. Nuk është gjithmonë e lehtë të arrihet deri te e vërteta, sidomos në kushte të këtilla, gazetarët dhe punonjësit e medias e kanë të vështirë ta bëjnë punën e tyre, kur nga të gjitha anët ka një vërshim të vazhdueshëm të dezinformatave, por secili që punon profesionalisht gjen forcën për të ardhur deri tek e vërteta dhe të gjejë burimet e duhura të informacionit. Një nga mënyrat për ta dalluar informacionin spekulativ dhe propagandistik është burimi i dyshimtë i informacionit. Mjafton të bëhet një kërkim i vogël për të parë se nga janë marrë informacionet, nëse ai burim është kredibil, relevant. A është i kualifikuar për të folur për një temë të caktuar dhe në këtë mënyrë dalëngadalë të arrihet deri tek e vërteta. Ekziston edhe një sërë mjetesh që gazetarët tashmë i përdorin në punën e tyre për të zbuluar nëse një pjesë e përmbajtjes është montuar, fabrikuar, redaktuar apo keqpërdorur. Gazetarët profesionistë duhet të ndihmojnë në ekspozimin e dezinformatave dhe përmbajtjeve të fabrikuara.

Nga fillimi i luftës në Ukrainë janë hapur portale të reja pa impresum, pa autorë të njohur të teksteve, blogjeve, grupeve në Facebook, që përhapin gjuhë urrejtjeje, frikë, panik dhe propagandë. Për çfarë qëllimi krijohen ato dhe a keni njohuri se sa i beson publiku, duke marrë parasysh se viraliteti i tyre është shumë i madh?

Hapja e grupeve në Facebook, portaleve, disa kanaleve në rrjetet sociale për të përhapur këtë lloj informacionesh nuk është diçka e re. Ne e dimë që gjëra të tilla kanë ndodhur dhe do të ndodhin edhe në vendin tonë, kjo është edhe shkak edhe pasojë e polarizimit në shoqëri. Kur qytetarët janë të ndarë mbi baza të ndryshme, është shumë e mundshme që ata të ndahen edhe për këto tema dhe çështje. Megjithatë, teknikat e njohjes së fenomeneve të tilla problematike, sidomos në botën online janë të qarta, të qenurit skeptik për përmbajtjet e publikuara, kontrollimi, krahasimi, verifikimi i burimit të përmbajtjes. Nëse qytetarët e dinë se kjo është një teknikë që ndihmon në dallimin e burimit të mirë dhe të keq të informacionit, atëherë efektet dhe rezultatet do të jenë më të shpejta. Edukimi mediatik është një proces që nuk sjell rezultate brenda natës, por ne më së miri mund ta ndihmojmë veten. Zhvillimi i aftësive kritike do t’i mësojë njerëzit të „ushqehen” me burimet e duhura dhe kështu të krijojnë perceptimet dhe mendimet e tyre. Në parim mbyllja e mediave dhe burimeve të informacionit nuk është zgjidhje, sepse ka ndodhur që edhe media profesionale me integritet, në përmbajtjet që i publikojnë të kenë elemente sensacionalizmi, informacion të njëanshëm, informacion të paverifikuar etj.

A ka pranuar Këshilli i Etikës në Media ankesa për dezinformatat e publikuara në media, sidomos ato lidhur me krizën ruso-ukrainase?

Nga qytetarët kemi indikacione për fenomene të ndryshme, të cilat janë problematike, por formalisht ende nuk kemi pranuar asnjë ankesë. Sigurisht që ne i inkurajojmë qytetarët që të parashtrojnë ankesa, sepse kjo është mënyra kryesore në të cilën ne veprojmë. Pas pranimit të ankesës mblidhet Komisioni i ankesave i cili vendos dhe vlerëson nëse ka shkelje të Kodit. Reagimet më të shpeshta nga qytetarët kanë të bëjnë me informacione të njëanshme, burime të dyshimta, tekste sensacionaliste, përmbajtje shqetësuese. Ata reagojnë veçanërisht ndaj vizualizimit dhe prezantimit të përmbajtjeve që e shqetësojnë publikun, sidomos publikun e mitur dhe kategoritë e cenueshme.

Sipas KEMM-së, cilat media janë shkelësit më të mëdhenj të profesionalizmit dhe të Kodit Etik të Gazetarëve?

Qytetarët vazhdimisht reagojnë për shkeljet në mediat online. Kohëve të fundit nuk janë bërë hulumtime në këtë temë, por në një hulumtim të realizuar nga KEMM në fund të vitit të kaluar, folëm me kolegë gazetarë, redaktorë të mediave, për atë që po ndodh në mediat sociale. Diskutuam me anëtarët e Regjistrit të Mediave Profesionale Online dhe ata theksuan se ajo që është më problematike kur postojnë tekstet e tyre në rrjetet sociale është veprimi njëkohësishëm i të ashtuquajturve aktorë keqdashës, të cilët postojnë përmbajtje të rreme, informacione propagandistike dhe në këtë mënyrë i shkaktojnë dëm produktit gazetaresk. Kur ndodhesh në një hapësirë ​​të tillë ku veprojnë aktorë të tillë keqdashës, puna jote neglizhohet, margjinalizohet. Këtu publiku nuk mund të dallojë lehtë se çfarë është profesionale dhe çfarë joprofesionale, sepse ata që publikojnë dezinformata dhe propagandë përdorin teknika manipulative që nuk mund të dallohen lehtë. Ata përdorin elemente të së vërtetës, por e „paketojnë” në mënyrën e tyre. Ajo që po ndodh në rrjetet sociale është vërtet problematike, organizohen trolle, ferma trollesh, të cilat prodhojnë kështu lloj përmbajtjesh dhe në këtë mënyrë mundohen të ndikojnë te qytetarët.

Shpesh herë edhe ju vetë thoni se ka media që i harrojnë parimet bazë të gazetarisë – paanshmërinë, objektivitetin, etikën, profesionalizmin, por jemi të vetëdijshëm se në hapësirën online nuk ka rregulla, përveç vetërregullimit. A është e mjaftueshme kjo?

Vetërregullimi është një nga mënyrat më të padhimbshme për ta mbrojtur profesionin dhe median, si dhe publikun. Vendosja e masave kufizuese, ligjeve të rrepta, rregulloreve, nuk sjell dobi në plan afatgjatë. Mund të krijohen kushte për plotësime në aspektin ligjor, por çka nëse kjo rregullore keqpërdoret më tej për ta quajtur një informacion si dezinformim dhe për të kufizuar lirinë e fjalës? Po sikur dikujt në pushtet në institucionet e sistemit të mos i pëlqejë mënyra se si një media raporton në mënyrë kritike për një temë të caktuar – në këtë mënyrë ata shumë lehtë mund t’i heshtin mediat. Prandaj, në parim jemi për afirmimin dhe mbështetjen e vetërregullimit. Është e vërtetë që në sferën online ka media që abuzojnë me platformat e tyre për përhapjen e dezinformatave, gjuhës së urrejtjes, diskriminimit në baza të ndryshme, por ne besojmë se gjëja më e rëndësishme është të punojmë së bashku për t’i evidentuar ato që punojnë profesionalisht dhe ata të cilët abuzojnë me pushtetin e fjalës së thënë publikisht. Kjo edhe  ishte arsyeja e krijimit të Regjistrit të Mediave Profesionale Online.

Çfarë këshille keni për lexuesit, shikuesit dhe të gjithë ata që janë të ekspozuar ndaj informacioneve të panumërta të pa verifikuara të postuara në internet? Kujt t’i besojnë?

Qytetarët gjithnjë e më shumë marrin edukim mediatik, sepse iniciativa të tilla ka gjithnjë e më shumë. Ka shumë debate, takime, diskutime, bëhen produkte gazetareske që ndihmojnë për të njohur të pavërtetat dhe informacionet joprofesionale. Sigurisht që ka një pjesë të mirë të publikut që nuk është pjesë e atyre iniciativave. Si t’i ndihmojmë, thamë, një nga mënyrat më të fuqishme për të njohur dezinformatat është të qenurit skeptik dhe kritik ndaj përmbajtjeve të caktuara, verifikimi se nga vjen, kush e publikon… A është publikuar nga një medie profesionale e besueshme apo një medie për të cilen dëgjoni për herë të parë. Mjafton të këkoni pak dhe të shihni se si është media dhe çfarë informacioni publikon. Por, ka edhe një problem tjetër që dua të theksoj. Gjithnjë e më shumë në media po dëgjohet zëri i atyre që nuk janë kompetentë për të folur, ndaj ndodh që kolegët të abuzojnë me profesionin e tyre duke pritur që nga një person që mund të ketë kualifikime në ndonjë fushë të caktuar t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve, të flasë për politikë, ekonomi, konflikt ushtarak, sport etj. Kjo është gabim, këto fenomene duhet të ç’rrënjosen. Nuk mund që një numër i caktuar i ekspertëve të cilët i shohim vazhdimisht në ekranin e vogël, i dëgjojmë dhe i lexojmë, të komentojnë për të gjitha fenomenet dhe të jenë krijues të opinionit publik. Profesioni i gazetarit do të thotë shumë më tepër sesa thjesht një ndjekje e ngjarjeve. Vetëm me punë profesionale, cilësore, të vazhdueshme, të përkushtuar mund të ketë përparim. Është e lodhshme puna në këtë profesion kur ka luftëra, konflikte, pandemi, por ai që është i përkushtuar ndaj këtij profesioni nuk do të dështojë kurrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button