“Doja të të them…” botimi i ri nga Lira Bojku (FOTO)

Para disa ditëve nëpër rrjetet sociale, Lira Bojku, publikoi një status duke na bërë të ditur që ka botuar librin e saj më të ri “Doja të të them… Сакав да ти кажам”. Lira është nga Shkupi, që në moshë të hershme ka treguar afinitet të veçantë për artin e letërsisë dhe atë figurativ. Botimi i ri, është përmbledhje tregimesh që si tematikë kryesore ka dashurinë, si edhe librat e saj të mëparshme, shkruan Portalb.mk

“Karakteristikë e veçantë këtë herë është fakti që tematika e dashurisë që vetëm thellohet dhe zgjerohet, tani ndërthuret lehtas edhe me nota dhe elemente të tjera të cilat herë-herë e dominojnë këtë të parën. Këto gërshetime tematike që i sjell si risi, janë gjithmonë aktuale dhe pjesë e së vërtetës brenda së cilës jetojmë dhe domosdoshmërisht janë pjesë e pashkëputshme edhe e dashurisë së vërtetë, të pastër e të dëlirë, por edhe e asaj të ashtuquajturës dashuri që jo gjithmonë është e shëndoshë.” tha Lira Bojku.

“Doja të të them..." Lira Bojku
“Doja të të them…” Lira Bojku

Nëpërmjet këtij libri Lira ka dashur të gërryej, të ngre pyetje, të protestojë në njëfarë forme lidhur me temat dhe problemet siç janë: dhuna në familje dhe gratë si viktimë e kësaj dhune, abuzimi në familje, diskriminimi ndaj gruas, lufta me sëmundjen e kancerit, birësimi, “sheqeri dhe kripa” brenda raporteve martesore, trekëndëshi martesor e kështu me radhë. Lira mendon dhe i qëndron asaj që dashuria e çdo lloji është e vlefshme për ta shkruar.

“Më motivon dëshira apo nevoja e pashpjegueshme për të përfytyruar, krijuar, imagjinuar dhe shkruar për atë që shpesh herë vështirë përshkruhet ose thuhet me fjalë, por mund të ndjehet…dhe mendoj që arti është mënyrë e përkryer për të shprehur të pathënën. Uroj që lexuesit e këtij libri mbi të gjitha ta shijojnë e pastaj dhe të gërmojnë, përjetojnë, zbulojnë e mbase dhe do arrijnë të zgjidhin diçka nga dilemat e zemrës apo kokës”, u shpreh Lira.

“Doja të të them..." Lira Bojku
“Doja të të them…” Lira Bojku

Arti i rrëfimit për Lirën është një udhëtim i pafund me tren, ku ajo si autore duke shkruar e rrëfyer tregimet e saj domosdoshmërisht ndalet në stacionet e trenit, për të parë e soditur, për të dëgjuar, për të përjetuar herë dhimbje, herë admirim, herë magji e ekstazë, herë gëzim e hare dhe kështu gjithçka që ajo ka mbledhur dhe ka dashur t’ua thotë lexuesve këto vitet e fundit i solli në këtë libër me titullin “Doja të të them-Сакав да ти кажам.„

“Një ndjenjë kënaqësie dhe arritjeje të mbërthen kur sheh interesimin e lartë të lexuesve të cilët veçmë kanë filluar ta kërkojnë dhe lexojnë librin. Mbresat dhe vlerësimet e para janë mjaft pozitive gjë që më gëzon dhe natyrisht nëse tregimet e mia sjellin kënaqësi te lexuesit e nëse arrij që t’i ndjejnë, përjetojnë si diçka të tyren, nëse i bëj të mendojnë, të ndryshojnë diçka te vetvetja atëherë mendoj që ia kam arritur qëllimin…” tha Bojku.

Ky libër vjen paralelisht në dy gjuhë, në shqip dhe maqedonisht dhe Lira vjen si autore dhe përkthyese e së njëjtës. Librin mund ta gjeni në Shkup dhe në Tetovë tek Libraria Nobel. Lira ka edhe tre botime të tjera të cilat janë “Këpucët e kuqe”, “Dashuria në lavatriçe” dhe “Љубовта на генерал Ш.”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button