Biden e quajti Putinin kriminel lufte

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për herë të parë e ka quajtur “kriminel lufte” presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, transmeton REL.

Deri më tani, administrata Biden kishte shmangur përdorimin e kësaj fraze.

Duke folur për gazetarët pas një ngjarjeje në Shtëpinë e Bardhë të organizuar të mërkurën, Biden tha: “Mendoj se ai është kriminel lufte”.

Pas komenteve të presidentit Biden për Putinin, agjencia ruse e lajmeve TASS, raportoi se Kremlini i ka cilësuar këto deklarata të presidentit amerikan si të “papranueshme dhe një retorikë e pafalshme”.

Më herët gjatë të mërkurës, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA-ja po “shikonte me kujdes” për të përcaktuar nëse forcat ruse po sulmojnë me qëllim caqe civile.

Ukraina i ka kërkuar Gjykatës në Hagë që ta hetojë Rusinë për krime lufte.

E pyetur që të shpjegojë më tej komentet e presidentit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se Biden “po fliste nga zemra dhe po fliste nga ajo që ka parë në televizion, që janë veprime barbare nga një diktator brutal përmes pushtimit të tij të një shteti të huaj”.

Megjithatë, ajo shtoi se “një proces ligjor” për të hetuar pretendimet e krimeve të luftës “po vazhdon në Departamentin amerikan të Shtetit”.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button