Ushtria ukrainase: Rusia ka sulmuar civilët gjatë evakuimit nga Mariupoli

Përveç bombardimit të një teatri, që përdorej për strehimin e civilëve, nga Mariupoli raportohet se ka ndodhur edhe një sulm tjetër ndaj civilëve, transmeton REL.

Në një incident të ndarë, forcat e armatosura ukrainase, thanë se një konvoj me civilë që po tentonin të evakuoheshin nga qyteti i rrethuar, u sulmua me raketa nga forcat ruse.

Ushtria ukrainase tha përmes Facebook-ut se civilët ishin duke u larguar për në qytetin Zaporizhja, që gjendet mbi 200 kilometra larg Mariupolit.

Ushtria tha se sipas raportimeve të para ka viktima në mesin e civilëve, por nuk dha më shumë detaje.

Ndërkaq, Qeveria lokale në Zaporizhja tha se të paktën pesë persona janë plagosur, përfshirë edhe një fëmijë që është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Kuleba: Teatri në Mariupol është shkatërruar plotësisht

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se sulmi i forcave ruse në Mariupol është “krim lufte”.

Ai tha se Teatri, që përdorej nga civilët për t’u strehuar, është shkatërruar plotësisht.

“Edhe një krim i tmerrshëm i luftës në Mariupol. Një sulm masiv mbi Teatrin, ku qindra civilë të pafajshëm po fshiheshin. Tani, kjo ndërtesë është shkatërruar plotësisht. Rusët nuk mund ta dinin se kjo ishte një strehimore për civilët. Shpëtoni Mariupolin! Ndaloni kriminelët rusë të luftës”.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button