fbpx

Bekteshi: Nga mesnata do të ulen çmimet e derivateve, nga nesër produktet bazë do shiten me 0% TVSH

Nga mesnata nafta do të shitet 6 denarë më lirë ndërsa benzina për 5, kështu bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, transmeton Portalb.mk.

“Sipas vendimit të fundit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, benzina nga sonte në mesnatë do të zvogëlohet për 5 denarë, ndërsa çmimi i naftës për 6 denarë. Kështu, Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët të karburantit dizel në rajon”, informoi Bekteshi.

Bekteshi, në emisionin 10 Minuta në TV21, tha se nga nesër gjithashtu çmimet e produkteve bazë ushqimore do të shiten me 0% TVSH.

“Nesër duhet të ketë një ulje të plotë të pjesës së TVSH-së për produktet ushqimore bazë, ndaj u bëj thirrje qytetarëve që të blejnë me fatura fiskale sepse mund të shohin nëse tregtarët apo marketet po e  zbatojnë masën”, tha Bekteshi.

Ai tha se shteti po bën gjithçka që është në dorën e tij, megjithatë ai shtoi se edhe vetë tregtarët duhet të jenë më solidarë dhe korrekt  gjatë formimit të çmimeve me qëllim që bara e krizës të mos bie e gjitha mbi kurrizin e qytetarëve.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të premten në mesnatë miratoi masat për përballje me krizën ekonomike, ligjin për uljen e akcizës për karburantet që merr shteti nga shitja e karburanteve, si dhe ligjin për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për karburantet, nga 18 në 10 për qind.

Ndërkohë do të ketë ndërprerje të tarifave doganore për produktet ushqimore, kurse programi për energjetikë për varfëri energjetike do të vazhdojë deri në korrik të vitit 2022, sikurse dhe subvencionimi i çmimit të ngrohjes qendrore. Në këtë sferë përfshihet edhe ulja e TVSH-së nga 18% në 10 % për lëndët djegëse.

Në 26 masat e miratuara nga Qeveria, përfshihen edhe lehtësime dhe ulje e interesit gjatë marrjes së kredive.

Qeveria në listën e artikujve me marzhën e kufizuar të fitimit e futi bukën, vajin, miellin, mishin, sheqerin, qumështi dhe produktet e saj, orizi, shpageta, makarona dhe vezët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button