fbpx

Mesazhi “bërthamor” i Rusisë për pjesën tjetër të botës

Një ndër autorët e rrallë që e kundërshtoi hapur ketë veprim ishte John Mearsheimer, Profesor në Universitetin e Çikagos. Ai në vitin 1993, në një artikull në revistën Foreign Affairs, argumentoi se heqja dorë nga armët nukleare është veprim “jo i mençur” dhe se “një Ukrainë bërthamore është e domosdoshme për të ruajtur paqen midis saj dhe Rusisë”.

Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, shumë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare mbështetën supozimin se nëse Ukraina do kishte mbajtur arsenalin bërthamor që trashëgoi nga Bashkimi Sovjetik, sovraniteti i saj nuk do të ishte cenuar. Sulmi në shkallë të gjerë i ushtrisë ruse kundër Ukrainës përveç që riktheu luftën midis shteteve në zemër të Evropës – pasojat e së cilës do jenë dramatike kryesisht për qytetarët ukrainas, por jo vetëm – njëkohësisht po teston seriozisht hipotezën teorike realiste se shtetet që posedojnë kapacitete të armëve bërthamore nuk mund të pushtohen.

Mbështetur në këtë rast dhe duke marrë në konsideratë ndryshimet në strukturën e sistemit ndërkombëtar, shtetet në të ardhmen do të intensifikojnë ambiciet e tyre për të siguruar armë bërthamore dhe do të rrisin skepticizmin ndaj marrëveshjeve dhe garancive ndërkombëtare.

Ukraina “lindi bërthamore”

Një ndër karakteristikat kryesore të Luftës së Ftohtë ishte përfshirja e pandërprerë e dy superfuqive – Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik – në një garë të ashpër për armë konvencionale dhe bërthamore. Në momentin e shpërbërjes, Bashkimi Sovjetik posedonte një arsenal kolosal bërthamor dhe gjithashtu zotëronte kapacitete të mjaftueshme të industrisë ushtarake që ishin jetike për projektimin, prodhimin, testimin dhe mirëmbajtjen e këtyre armëve. Pjesa dërrmuese e kompleksit bërthamor, rreth 70% e tij, ndodheshin brenda territorit të Rusisë. Ndërsa, pjesa tjetër e këtyre armëve strategjike, përfshirë edhe objektet e shumta dhe kapacitetet e tjera zhvilluese, ishin të përqendruara në Bjellorusi, Kazakistan dhe Ukrainë.

Kur Ukraina shpalli pavarësinë (1991), përnjëherë u bë një fuqi bërthamore. Në këtë rast, Ukraina “lindi bërthamore”. Duke poseduar më shumë se 4000 armë bërthamore, ajo u shndërrua brenda nate në fuqinë e tretë bërthamore në botë – që vinte në radhë menjëherë pas ShBA-së dhe Rusisë. Në atë periudhë Ukraina kishte resurset e nevojshme natyrore, madhësinë e popullsisë dhe asetet thelbësore ushtarake që të mund të konsiderohej fuqi rajonale.

Duke qenë se papritmas botës iu shtuan disa shtete me armë bërthamore – Ukraina, Bjellorusia dhe Kazakistani – ShBA-të, në koordinim edhe me aleatët perëndimorë, synonin që të bindnin këto tre shtete, që arsenalin e tyre bërthamor ta transferonin te Federata Ruse. Ky veprim atëkohë dukej racional, edhe nga perspektiva amerikane. E para, sepse Rusia ishte tashmë në posedim të pjesës më të madhe të kapaciteteve bërthamore të BRSS-së dhe nëse fondi i tyre nuklear do të rritej edhe për pak, nuk do të përbënte kërcënim serioz për ShBA-në, sidomos kur kihet parasysh gjendja socio-ekonomike e BRSS-së në atë periudhë.

E dyta, gjatë Luftës së Ftohtë Rusia kishte dëshmuar kapacitete të mjaftueshme për kontrollin dhe menaxhimin e besueshëm e të sigurt të këtyre armëve. Për këtë arsye ShBA-të konsideronin se ishte më e sigurt për të gjithë që Federata Ruse të jetë trashëgimtarja e të gjithë arsenalit bërthamor të BRSS-së.

Presioni ndërkombëtar dhe denuklearizimi i Ukrainës

Në fillim dukej se kishte sinkronizim mes interesave të perëndimit dhe aspiratave ukrainase. Në Deklaratën e Pavarësisë së Ukrainës, respektivisht në nenin IX të saj, specifikohet se “Ukraina deklaron solemnisht synimin për t’u bërë shtet neutral në mënyrë të përhershme dhe se nuk merr pjesë në blloqe ushtarake dhe i përmbahet tre parimeve jo-bërthamore që përfshijnë: të mos pranojë, të mos prodhojë, as të mos blejë asnjë armë bërthamore”. Megjithatë, jo të gjithë politikanët ukrainas atëkohë e mbështetën këtë zotim. Derisa Presidenti ukrainas, Leonid Kravchuk, i kishte dërguar letër Presidentit George H.W. Bush duke i premtuar se i gjithë arsenali bërthamor do të shkatërrohej brenda shtatë vjetësh, Parlamenti ukrainas, i njohur si “Rada”, doli kundër këtij premtimi dhe këmbënguli që armët bërthamore duhet të mbeten në pronësi të Ukrainës.

E ballafaquar me një presion të papërballueshëm ndërkombëtar, megjithatë në vitin 1994 “Rada” votoi për t’iu bashkuar Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) si një shtet jo-bërthamor. Andaj, deri në vitin 1996, të gjitha armët u larguan nga territori ukrainas. Me nënshkrimin e Memorandumit mbi Garancitë e Sigurisë lidhur me aderimin e Ukrainës në NPT (rëndom i njohur si Memorandumi i Budapestit) – një marrëveshje trepalëshe mes Mbretërisë së Bashkuar, Rusisë dhe ShBA-së. Ukraina mori mbështetje të konsiderueshme ekonomike dhe garanci të sigurisë nga këto shtete.

Elementi i sigurisë në fakt përbënte komponentin kryesor të Memorandumit. Nënshkruesit u zotuan se do të “respektonin pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë ekzistues të Ukrainës”, duke rënë dakord se do të “përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial dhe pavarësisë politike të Ukrainës” dhe se “asnjë nga armët e tyre nuk do përdorët kundër Ukrainës, përveçse në rastet e vetëmbrojtjes”. Tashmë është e qartë se parimet e kësaj ujdie trepalëshe ndërkombëtare janë shkelur qysh në vitin 2014 me rastin e Krimesë.

Profecia teorike dhe sfidat politike

Shikuar nga perspektiva e teorisë realiste, vendimi i Ukrainës për të hequr dorë nga arsenali bërthamor konsiderohet i papranueshëm. Një ndër autorët e rrallë që e kundërshtoi hapur ketë veprim ishte John Mearsheimer, Profesor në Universitetin e Çikagos. Ai në vitin 1993, në një artikull në revistën Foreign Affairs, argumentoi se heqja dorë nga armët nukleare është veprim “jo i mençur” dhe se “një Ukrainë bërthamore është e domosdoshme për të ruajtur paqen midis saj dhe Rusisë”.

Sipas tij, “Ukraina në asnjë rast nuk mund të mbrohet me armë konvencionale kundër një Rusie të armatosur me armë bërthamore dhe se asnjë shtet, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, nuk do të mund t’i ofrojnë asaj garancitë e domosdoshme të sigurisë që të mos pushtohet sërish nga Rusia”. Armët bërthamore ukrainase janë “i vetmi mjet pengues i besueshëm kundrejt agresionit rus”, përfundoi ai.

Atëkohë, ky autor u ballafaqua me kritika jo të pakta, si nga studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, ashtu edhe nga politikanë të ndryshëm. Mirëpo, gjykuar nga perspektiva historike e aneksimit të Krimesë (2014) dhe luftës që po zhvillohet aktualisht, konstatimet teorike të këtij autori, të shprehura para gati 30 vitesh, tingëllojnë si parashikime profetike. Fundja këto lloje armësh njihen edhe si “armët e të dobëtit”. Kur shtetet e kanë të pamundur që të garojnë me kapacitete ekonomike apo me armë konvencionale – tepër të kompensuar këtë disavantazh dhe për të garantuar sigurimin e mbijetesës në sistemin ndërkombëtar – jo rrallë i përqendrojnë të gjitha energjitë në sigurimin e armëve bërthamore.

Skepticizëm të ngjashëm me profesorin Mearsheimer kishin edhe disa politikanë ukrainas të kohës që kishin nuhatje të mirë për dinamikat gjeopolitike dhe njihnin mjaftueshëm potencialin kërcënues të Rusisë. Njëri ndër ta, Volodymyr Tolubko, ish-komandant i bazës bërthamore dhe deputet, atëbotë shprehej se Kievi nuk duhet të heq dorë kurrë nga avantazhi bërthamor. Në një fjalim para parlamentarëve ukrainas ai deklaronte se është “romantike dhe e parakohshme” që Ukraina të shndërrohej në një shtet jo-bërthamor dhe këmbënguli se ajo duhet të mbante të paktën disa nga kokat me rreze të gjatë veprimi. Një kapacitet i tillë bërthamor sado minimal të ishte, theksoi ai, do të mjaftonte për të “frenuar çdo agresor”.

Denuklearizimi i Ukrainës shpesh është vlerësuar si model i triumfit të arsyes njerëzore dhe sigurisë kolektive përballë interesave partikulare të shteteve dhe kërcënimit që shpërfaqin këto armëve apokaliptike. Të fascinuar nga fundi i Luftës së Ftohtë, trysnia ndërkombëtare, por edhe mungesa e mundësive financiare dhe dijes së domosdoshme shkencore, shumë shtete të tjera kishin braktisur përpjekjet e tyre për t’u nuklearizuar. Afrika e Jugut, për shembull, kishte arritur të zhvillonte bombë bërthamore, por hoqi dorë nga ajo vullnetarisht pas përfundimit të aparteidit.

Brazili dhe Argjentina nga vitet e 60-ta deri në vitet e 80-ta ishin në një garë të përshkallëzuar për zhvillimin e armëve bërthamore, por të dyja ranë përfundimisht dakord që të ndalonin. Përpjekjeve të saj për të siguruar armë bërthamore të shkatërrimit në masë, Libia u dha fund në fillim të viteve 2000. Mirëpo kohët e fundit duket se ky trend po sfidohet seriozisht.

Mësimet nukleare˝

Sot Ukraina po lufton për ekzistencën e saj. Pa marrë parasysh se si do të përfundojë kjo luftë, tashmë është e sigurt se ky rast i ka dhënë sinjal të qartë shumë shteteve që kanë ambicie bërthamore, siç është rasti me Iranin apo Korenë e Veriut, që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të siguruar armë bërthamore. Në të njëjtën kohë, këto zhvillime do të alarmojnë edhe shtete të tjera si Japonia, Koreja e Jugut, apo Tajvani që të mendojnë seriozisht për potencialin frenues që kanë këto armë kundrejt një kërcënimi potencial që mund të shfaqet nga Kina.

Përveç kësaj, për fat të keq, rasti i Ukrainës jep edhe mesazhin se nëse shtetet heqin dorë nga programet e tyre bërthamore dhe ia besojnë sigurinë e tyre memorandumeve apo garancive ndërkombëtare, qofshin ato të zotuara edhe nga shtete të fuqishme si Shtetet e Bashkuara apo Mbretëria e Bashkuar, ka shumë të ngjarë që do të luajnë “bixhoz gjeopolitik” me sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e tyre.

Burimi: Recpublica, shkruan: Alfred Marleku

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button