Stoltenberg: Rusia nuk duhet ta “llogarisë gabim” gatishmërinë e NATO-s për të mbrojtur veten

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se aleanca dëshiron “të heq çdo hapësirë për llogaritje të gabuara” në Moskë në lidhje me gatishmërinë e saj për të mbrojtur të gjithë anëtarët e NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në takimin e sotëm, ne jo vetëm që do të trajtojmë pasojat e menjëhershme të pushtimit rus të Ukrainës, por gjithashtu do të trajtojmë pasojat më afatgjate”, tha Stoltenberg në rrugën e tij për në një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel midis shefave të mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s.

Stoltenberg tha se ministrat e Mbrojtjes do të flasin për përshtatjen afatgjate të NATO-s me “mjedisin e ndryshuar të sigurisë” për të forcuar aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese të aleancës.

Pas ofensivave të mëhershme të Rusisë në luftën e Ukrainës të përqendruara kryesisht në Ukrainën lindore dhe veriore, sulmet e fundit kanë goditur Ukrainën perëndimore, vetëm disa kilometra larg kufirit me Poloninë, vendin anëtar të NATO-s.

Stoltenberg theksoi se NATO synon “të heq çdo hapësirë për llogaritje të gabuara apo keqkuptime në Moskë rreth gatishmërisë sonë për të mbrojtur të gjithë aleatët”.

Ai tha se NATO ka mbi 40 mijë trupa të mbështetura nga kapacitetet detare dhe ajrore në krahun lindor të aleancës si dhe qindra mijëra ushtarë në gatishmëri të lartë në të gjithë territorin e NATO-s, sepse sipas tij, aleanca ka “përgjegjësi për të siguruar që konflikti të mos përshkallëzohet jashtë Ukrainës”.

Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin, rrugës për në takimin e jashtëzakonshëm të NATO-s u tha gazetarëve se “prania jonë këtu i dërgon një sinjal botës se ne mbetemi të bashkuar në mbështetjen tonë për Ukrainën”.

Austin përsëriti dënimin e NATO-s për “pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia“, si dhe theksoi mbështetjen e NATO-s për “qeverinë legjitime dhe sovrane” të Ukrainës.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov do t’i bashkohet takimit me ministrat e Mbrojtjes së NATO-s si dhe përfaqësues nga vendet partnere të Gjeorgjisë, Finlandës, Suedisë dhe Bashkimit Evropian (BE).

Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagime ndërkombëtare si dhe ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një largim të kompanive globale nga Rusia.

Sipas OKB-së, të paktën 691 civilë janë vrarë dhe 1.143 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, por vlerësohet se numri i vërtetë është më i lartë pasi organi ndërkombëtar nuk ka qenë në gjendje të ketë qasje në zonat me armiqësi të shtuara.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët njofton se mbi 3 milionë ukrainas janë larguar drejt vendeve fqinje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button