Tetova ende ka gypa të ujit me azbest kancerogjen, kërkohet ndërrimi i tyre, komuna premton zgjidhje

Një pjesë e gypave të rrjetit të ujësjellësit të Tetovës përmban fibra të azbestit, material kancerogjen i cili në disa vende është larguar nga përdorimi tani e disa vite. Këta gypa të vjetër janë arsye që shumë ujë humbet në rrjet dhe nuk arrin te qytetarët. Organizata ekologjike “Eco Guerilla” thotë se këta gypa duhet të ndërrohen deri sa nuk ka ndodhur ndonjë fatkeqësi e madhe. Komuna premton zgjidhje por pa dhënë afate dhe detaje konkrete, shkruan Portalb.mk.

Përskaj defekteve të shpeshta me rrjetin e ujësjellësit dhe mungesën e ujit, problem në vete në këtë drejtim është se një pjesë e ujësjellësit në Tetovë ka gypa të vjetër me përmbajtje azbesti. Rrjeti gjithashtu është i vjetër dhe i amortizuar.

Merita Maksuti- Eco Guelia
Merita Maksuti- Eco Guelia

Azbesti është silikat i cili është i ndaluar në shtetet e Bashkimit Evropian në vitin 2005, kështu thotë Merita Maksuti nga OJQ-ja Eco Guerilla, duke shtuar se me legjislativen evropiane dhe me harmonizimin e ligjeve ndalohet prodhimi dhe përdorimi i azbestit në përgjithësi. Ajo thotë se është e tepërt të flitet për alternativën dhe zëvendësimin e gypave të azbestit që ende janë në përdorim në ujësjellësin e Tetovës.

“Azbesti nuk është i dëmshëm deri sa e ruan formën dhe funksionin e tij, problemi ndodh kur i njëjti të dëmtohet ku paraqitet rreziku nga fibrat të cilët janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin. Ekzistojnë studime të cilët potencojnë se dëmi më i madh është kur inhalohen fibrate që mund të arrijnë në traktin respirator dhe të shkaktojnë komplikime madje edhe fatale. Për këtë arsye mendoj se nuk duhet të presim të vijë deri te dëmtimi i gypave që t’i shohim pasojat”, tha Maksuti.

Ratko Davidovski, foto nga arkivi
Ratko Davidovski, foto nga arkivi

Specialisti i higjienës dhe ekologjisë, Ratko Davidovski nga Qendra e Shëndetit Publik (QSHP) Tetovë thotë se azbesti nuk përthithet nga trakti tretës, ndaj nuk është i rrezikshëm nga pikëpamja shëndetësore dhe mjedisore me tubacionet e ujit.

“Është i rrezikshëm  për shëndetin kur thithet. Në linjën e Tetovës ka rreth 10% gypa azbesti dhe në rast të defektit, ata ndërrohen me tuba plastike”, tha Davidovski.

Nga ana tjetër, Maksuti nga Eco Guerilla thotë se ndërrimi i gypave të azbestit duhet të jetë në pesë prioritetet e Komunës së Tetovës edhe pse gara për top pesëshen është shumë e madhe, ajo thotë se kjo çështje është dashur të jetë prioritet prej shumë kohë më parë.

“Në krahasim me nevojën e furnizimit me ujë të mjaftueshëm deri te të gjithë qytetarërët, kjo bie në listën e top prioriteteve. Pasi ende luftojmë me furnizim me ujë të pijshëm si e drejtë themelore, fatkeqësisht zëvendësimi i gypave duket si luks. E dimë që ky problem zvarritet një kohë të gjatë dhe të gjithë tmerrohemi kur përmendet azbesti por qytetarët duhet të informohen në mënyrë të duhur dhe të bëhen debate publike me profesionist të fushës dhe në fund gjithsesi duhet vepruar konform ligjit dhe rekomandimeve të ekspertizës së përvojës evropiane. Nuk ka vend për t’i zgjatur pa nevojë veprimet kryesore për një jetë më cilësore të qytetarëve tanë, çështjen duhet shqyrtuar me seriozitet të merituar”, tha Maksuti.

Nga Komuna e Tetovës shprehen se zëvendësimi i tubacioneve të vjetra me të reja bëhet gjatë defekteve të cilat paraqiten shpesh, ndërsa për rindërtimin e të gjithë sistemit thonë se është projekt kompleks për të cilin do të fokusohen në të ardhmen, por pa dhënë afate dhe detaje konkrete.

Komuna e Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komuna e Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Rrjeti i ujësjellësit në qytetin e Tetovës është relativisht shumë i amortizuar dhe i vjetër. Për shkak se janë kryesisht të amortizuar paraqiten defekte të shpeshta në rrjetin e ujësjellësit të qytetit. Ndërrimin e tubacioneve të vjetra me të reja, NPK- ja e realizon gjatë sanimit të defekteve të shpeshta, ku bëhet zëvendësimi i tyre me tubacionet e reja. Rindërtimi i gjithë sistemit është një projekt kompleks. Komuna e Tetovës në të ardhmen planifikon të fokusohet në zgjidhjen e këtij problemi, i cili ndoshta për shkak të kompleksitetit do të shkojë në faza”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Çfarë duhet të dimë për gypat e azbestit?

Azbesti është kancerogjen i njohur me anë të rrugës së thithjes/frymëmarjes. Bazuar në njohuritë e deritanishme shkencore, nuk ka evidencë që ingjestimi (marrja përmes gëlltitjes) i asbestit dëmton shëndetin. Edhe pse është studiuar mirë, nuk ka prova bindëse për kancerogjenitetin e asbestit të nderlidhur me ujë të pijshëm. Pikërisht për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk ka përcaktuar vlerë parametrike kufizuese për sasinë e asbestit në ujin e pijshëm.

Asbesti ka strukture fijore të gjatë dhe të hollë, si gjilpera. Kur këto fije/fibra mikroskopike lëvizen nga rrymimet ajrore, ato lundrojnë në ajër dhe mund lehtësisht me frymëmarrje të futen në mushkëri. Shkencëtarët Asbestin e kanë njohur si një kërcënim për shëndetin e njerëzve sepse këto fibra kur futen në mushkëri mund të shkaktojnë kancer dhe sëmundje tjera të mushkërive. Ne të gjithë jemi të ekspozuar ndaj niveleve të ulëta të asbestit në ajër, mirpo ka më shumë të ngjarë të përjetojmë çrregullime të lidhura me asbest mvarësisht nga përqendrimet e larta të asbestit dhe kohëzgjatja e ekspozimit.

Studimet e ndryshme kanë konfirmuar që marrja e asbestit përmes inhalimit (organeve të frymëmarrjes) mund të shkaktojë kancer të mushkërive. Rrjedhimisht, problemi sa i përket përdorimit të gypave të asbest-çimentos për sistemet e furnizimit me ujë është për personat të cilët i ekspozohen pluhurit të asbestit gjatë punës me këta gypa, për shkak të rrezikut të inhalimit të këtij pluhuri. Ky fakt imponon domosdoshmërinë që Kompanitë Publike të Ujësjellësit të ndërmarrin masat e duhura mbrojtëse për mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve të cilët i ekspozohen rrezikut nga pluhuri i asbestit.

A është uji i sigurtë për pije në Tetovë?

Qendra për Shëndet Publik në Tetovë vazhdimisht bën anaëiza për sa i përket cilësisë së ujit. Sipas anlizës së fundit të publikuar me 7 mars, uji është i pastër dhe i sigurtë për pije.

“Në bazë te rezultateve nga analizat e kryera nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë në rrjetin e ujësjellësit, uji për pije në qytetin e Tetovës është i pastër dhe për pije.  Nga rezultatet e marra është vërtetuar se uji nga ujësjellësi i qytetit të Tetovës, është sipas kushteve të parapara me Rregulloren për sigurinë e ujit për pije dhe Ligjit për furnizim me ujë të pishëm(Gazeta Zyrtare e RM-së nr.46/08 dhe 183/2018). Uji poashtu është i pastër sa i përket gjendjes së tij mikro-biologjike dhe është i sigurt për pije”, informuan nga NPK Tetova me 7 mars.

Çfarë premtoi Kasami para se të merrte mandatin për sigurimin e ujit të mjaftueshëm për qytetarët?

Kasami në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të keni që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

“Prandaj ne jemi angazhuar që të përpilojmë edhe një plan të detajuar se si do të zgjidhet çështja e ujit për pije, ku kemi angazhuar ekspert të lëmisë të cilët na kanë informuar për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” çështjen e ujit për pije në Tetovë duhet investim në rrjetin e shpërndarjes, që nënkupton një investim prej diku 14 milion euro nga të cilat 4 milion e 300 mijë euro për rrjetin primar, diku 8 milion për rrjetin sekondar dhe diku 500 mijë euro për ujëmatësit të cilët Tetova për momentin nuk i ka dhe rrjeti i harxhuar i shpërndarjes e bën që Tetova të ketë mbi 50% të ujit në rrjet. Brenda katër viteve Tetova do të ketë “Me ka krejt” ujë për pije. Menjëherë me marrjen e mandatit në gjashtë mujorin e parë ne si Lëvizje Besa do të sigurojmë gjithë ambientin ku grumbullohet uji i pijshëm për Tetovën dhe tetovarët do të kenë njëherë e përgjithmonë ujë të sigurtë sepse nga ai ujë ne e sigurojmë jetën”, tha Bilall Kasami me 14 tetor në #Debatpërnime.

Mungesa e ujit në Tetovë nuk është diçka e re. Qytetarët e Tetovës përballen vazhdimisht me mungesë të ujit gjatë gjithë vitit kohë pas kohe. Kjo me raste vjen edhe nga gypat e vjetër në disa pjesë të qytetit. Rastet më të fundit  të kufizimeve ishin gjatë periudhës së kaluar kur në mes të dimrit rrjeti pësoi defekt dhe qytetarët mbetën pa ujë me ditë të tëra. Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte, kështu duke lënë qytetarët shpesh pa ujë të mjaftueshëm dhe me kufizime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button