Pelivanov: Boki 13 bëri mashtrim të madh, ndërsa Remenski e ndihmoi me vetëdije

Mbetem në tërësinë e aktakuzës, sepse gjatë procedurës është vërtetuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale. Kështu e filloi fjalën përmbyllëse për rastin “Lidhja Ndërkombëtare” prokurori Trajçe Pelivanov, transmeton Portalb.mk.

“Me sa duket ka qenë një shoqatë humanitare, por humanitarizmi ka mbetur vetëm i shkruar në letër, kurse në realitet ka ndodhur mashtrim”, theksoi prokurori Pelivanov.

Ai përkujtoi se shoqata e Bojan Jovanovskit, ka pasur disa aksione humanitare, por e gjitha ka qenë për të lënë përshtypje të mirë në opinion, gjegjësisht për të bërë fillimin e mashtrimit të madh.

“Mashtrimi është bërë për të kënaqur interesat materiale personale të Bojan Jovanovskit. Por ky mashtrim nuk ka mundur të ndodhë pa praninë e të akuzuarve Jasna Ercegoviq, Frosina Remenski dhe Hristina Blazheska. Gjithçka kanë bërë, e kanë bërë së bashku. Gjegjësisht, si do ta mashtroni dikë që t’ju paguajë mbi 740 mijë euro, nëse nuk lini përshtypje të sigurt se këta janë njerëz seriozë”, tha Pelivanov.

Ai theksoi se Boki 13 kishte rreth tij njerëz që mund t’i manipulonte dhe të cilët dilnin si dëshmitarë në gjyq.

“Jovanovski i ka manipuluar për të arritur qëllimet e tij personale”, përfundoi prokurori.

Ai ka sqaruar se nga provat materiale të paraqitura dëshmohet se ka mashtruar biznesmenët Siljan Micevski dhe Ardian Amzoski, me qëllim të përfitimit pronësor të kundërligjshëm.

Të dy të dëmtuarit deklaruan se fillimisht u është prezantuar projekti për ndërtimin e një shtëpie për të rritur dhe për këtë do t’u sigurohet tokë shtetërore. Ata nënshkruan kontrata.

Jovanovski e dinte se nuk mund të siguronte tokën shtetërore, por mashtronte biznesmenët, tha Pelivanov.

Ai përkujtoi se në mesin e dëshmive është edhe një fotografi nga shtëpia e Jovanovskit, ku shihen paratë që ka shpenzuar për nevojat e tij personale në vend të projektit. Sipas prokurorit, Boki 13 i ka përdorur paratë për të blerë rroba luksoze, apartament, financimin e 1TV…

Pa dyshim se roli i Remenskit po dëshmohet, për të krijuar një imazh se pushteti ekzekutiv qëndron pas projektit, vazhdoi Pelivanov.

“Remenski ishte e pranishme pothuajse në çdo takim me të dëmtuarit. Ata nga ana tjetër dëshmuan se nëse ajo nuk do të ishte e pranishme, nuk do t’i kishin lidhur kontratat, pasi u rrënjoste besimin dhe sigurinë se projekti do të realizohej, pasi kishin mbështetjen e qeverisë. Ajo e ka luajtur rolin e saj me shumë sukses, ndërsa kjo është se ekzekutivi qëndron pas projektit. Ajo ishte shumë më tepër sesa thjesht një kryetare nderi e OJQ-së”, tha Pelivanov.

Prokurori theksoi edhe se Remenski ka reaguar se qëllimisht i është dëmtuar reputacioni për shkak se ajo ka qenë funksionare, por ka sqaruar se atëherë dhe tani ajo fshihej pas funksionit të saj.

“Ajo fshihet pas funksionit të saj dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e saj dolën prova për përfshirje. Kontrolli u bë në shtëpinë e saj, e jo në Parlament, ku ishte nënkryetare. Ajo e përdori funksionin për të ndihmuar Jovanovskin të arrijë qëllimin e tij. Me vetëdije e ka ndihmuar Jovanovskin në kryerjen e veprës penale”, përfundoi Pelivanov.

Ai i sugjeroi gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë. Gjithashtu kërkoi nga të pandehurit që të dëmshpërblejnë të dëmtuarit.

Fjalës përmbyllëse të prokurorit iu bashkuan edhe Maja Dojçinovska, përfaqësuese ligjore e biznesmenit Micevski, si dhe përfaqësuesi ligjor i biznesmenit Amzoski.

Për rastin e organizatës joqeveritare Lidhja ndërkombëtare, themeluar nga Bojan Jovanovski-Boki13, përmes së cilit sipas aktakuzës, ishin mashtruar biznesmenë për qendra të supozuara për persona të rritur, të akuzuar janë edhe Frosina Remenski, Hristina Blazeska, Mile Jovanovski, babai i Boki 13 dhe Jasna Mandiq Ercegoviq.

Jovanovski akuzohet për mashtrim dhe pastrim parash. Remenski akuzohet për ndihmë dhe nxitje në mashtrim, Mandiq dhe Blazeska për ndihmë në mashtrim dhe pastrim parash, Mile Jovanovski akuzohet për ndihmë në pastrim parash dhe prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe trafikim të paautorizuar të armëve. Si person juridik është akuzuar edhe organizata joqeveritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button