Ekonomia e Ukrainës po i mbijeton sulmit; por sa mund të vazhdojë të rezistojë?

Qeveria ukrainase po bën ç’është e mundur për ta mbajtur në funksionim ekonominë, në kushtet e luftës me Rusinë. Megjithatë, fondet po mbarojnë me shpejtësi. Më 10 mars, bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi një kredi prej 1.4 miliardë dollarësh për Ukrainën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Oksana Bedratenko, ekspertët thonë se ky fond nuk do të mjaftojë.

Megjithëse sulmi i Rusisë është tashmë në javën e tretë, ekonomia e Ukrainës, përfshirë bankat dhe transfertat, vazhdojnë të funksionojnë, megjithëse duhen ndryshuar dhe përshtatur shumë gjëra.

“Dua të përgëzoj autoritetet ukrainase për përkushtimin, përpjekjet dhe suksesin që kanë patur deri më tani në menaxhimin e situatës. E dimë se banka qendrore po punon në mënyrë shumë aktive”, thotë Elina Ribakova, nga Instituti i Financës Ndërkombëtare.

Për të siguruar vazhdimësinë, Banka Qendrore e Ukrainës ka transferuar rreth 630 milionë dollarë në buxhetin e shtetit.

Gjithashtu, ajo ka kufizuar të gjitha transaksionet me monedhat e huaja dhe po e menaxhon kursin e këmbimit me qëllimin për ta mbajtur atë të qëndrueshëm.

Bankat nuk po u kërkojnë klientëve të paguajnë këstet e kredive.

“Ka kufizime për tërheqjen e parave të thata. Vetëm furnizimi i bankomatëve është një proces i rrezikshëm pasi në shumë qytete të mëdha ka operacione ushtarake”, thotë Oleksandr Petryk, nga Këshilli i Bankës Kombëtare të Ukrainës.

Bizneset vendase kanë gjetur zgjidhjen e tyre.

“Kush ka nevojë për para të thata i gjen. Ekziston një zgjidhje që mendoj se është gjeniale. Dyqanet po funksionojnë tashmë edhe si banka. Të ofrojnë para të thata tek arka. Kështu shmangim operacionet shtesë për të shpërndarë kartëmonedha dhe nuk rrezikojmë jetë njerëzish”, thotë Galina Kheilo, nga Shoqata e Bankave Ukrainase.

Sidoqoftë, kur një pjesë e madhe e ekonomisë çmobilizohet, paraja shpenzohet shumë shpejt. Për këtë arsye, më 10 mars FMN-ja miratoi një kredi prej 1.4 miliardë dollarësh për Ukrainën. Por, edhe kjo mund të mos mjaftojë.

“Shqetësimi im është se këto kredi mund të mjaftojnë për një muaj, por jo për një vit të plotë buxhetor. Pra, boshllëku do të jetë i jashtëzakonshëm”, thotë zonja Ribakova.

Ajo thotë se sulmi ushtarak do të dëmtojë të ardhurat dhe ka dëmtuar tashmë aftësinë e vendit për të prodhuar mallra. Ndërkohë që fondet që duhet të shpenzojë qeveria ndërsa sulmohet vendi bëjnë që shpenzimet të rriten.

Por, Ukraina mund të marrë ndoshta fonde të mëtejshme, thotë ish-nëndrejtori i Bankës Qendrore.

“Ekziston mundësia për fonde të tjera. Vitin e kaluar ishin rreth 650 miliardë që u morën paradhënie. Nëse një mekanizëm i tillë përdorej këtë radhë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, atëherë buxheti i Ukrainës do të kishte fonde të mjaftueshme”, thotë Oleh Churiy, ish-nëndrejtor i Bankës Qendrore të Ukrainës.

Banka Qendrore mendon se do të marrë më shumë fonde nga donatorët.

“Sipas vlerësimeve të Bankës Kombëtare, priten rreth 15 miliardë dollarë në të ardhmen e afërt nga organizatat ndërkombëtare, vendet partnere, etj. E gjithë bota po e ndihmon Ukrainën sot”, thotë zoti Petryk.

Ekonomisë së Ukrainës i duhet t’i përshtatet me shpejtësi skenarit luftarak. Megjithë fleksibilitetin relativ të financave të qeverisë, vendit do t’i duhet ndihma ndërkombëtare për të shmangur kolapsin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button