Një kameraman amerikan i “Fox News” është vrarë në Ukrainë

Kameramani i kanalit Fox News, Pierre Zakrzewski, është vrarë jashtë Kievit, ka thënë rrjeti televiziv amerikan.

Zakrzewski është vrarë dhe kolegu i tij, Benjamin Hall është plagosur, pasi makina e tyre është sulmuar të hënën në hyrje të Horenkas, rreth 20 kilometra në veri-perëndim të kryeqytetit, ka thënë shefja e Fox-it, Suzanne Scott.

“Pierre ka qenë fotograf i zonës së luftës, i cili ka mbuluar gati secilin material ndërkombëtar për Fox News, nga Iraku në Afganistanin e Siri, gjatë kohës së tij me ne”, ka thënë ajo.

Hall, korrespodent britanik 39-vjeçar, është duke u trajtuar ende në spital pas incidentit, transmeton REL.

Ky lajm vjen pas vdekjes së regjisorit dhe gazetarit amerikan, Brent Renaud të dielën.

Gati tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës tre javë më parë.

Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button