Javën e ardhshme në Shkup do të vijë ministrja bullgare e Punëve të Jashtme

Më 23 dhe 24 mars në Shkup do të vijë ministrja e punëve të jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska, njoftoi sot shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftoi në brifingun e sotëm, Osmani në Forumin diplomatik në Antalia ka pasur takim me kryeministrin bullgar Kiril Petkov, me të cilin ka biseduar për ngjarjet në Ukrainë, angazhimet e të dyja vendeve vizavi luftës atje, por pjesa më e madhe e takimit i është kushtuar bisedimeve politike dhe çështjeve të hapura Sofje-Shkup.

“Biseduam për të gjitha pikat, konstatuam se duhet të merren vendime definitive në këtë periudhë pasi padyshim që çështja e zgjerimit evropian po bëhet çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe BE-në dhe secili shtet anëtar ka përgjegjësi për sigurinë rajonale, por edhe për sigurinë në të gjithë kontinentin. Domethënë, nuk është më vetëm çështja e kredibilitetit të BE-së, por siguria e rajonit dhe kjo vjen deri te kjo gjendje e sigurisë evropiane, procesi i zgjerimit apo kompletimit të BE-së”, tha Osmani.

Ai theksoi se dallimet ende ekzistojnë, por gjithashtu se po bëhen përpjekje për të arritur zgjidhje të pranueshme reciproke.

“Akoma jemi në pozicione të ndryshme për tri çështjet, por fakti që takohemi kaq shpesh është parakusht për sukses. Jemi unison dhe funksionojmë në kuadër të Rezolutës sonë të Kuvendit. Sigurisht që edhe Republika e Bullgarisë ka pikëpamjet e saj, por unë shoh vullnet nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët. Ndoshta do të ketë një takim në nivelin më të lartë politik. Është e rëndësishme të vazhdojmë të flasim hapur. Ajo që kemi tani është që flasim hapur, secili duke përfaqësuar pozicionet e veta. Nuk mund të hyj në detaje në këtë fazë”, tha Osmani.

I pyetur nëse ka dallime te ne, për shembull, midis MPJ-së dhe ekspertëve dhe mes të MPJ-së dhe Qeverisë, Osmani demantoi kategorikisht një gjë të tillë. Lidhur me një tekst të publikuar dje, Osmani tha se ai ka të bëjë me mosmarrëveshjet në Bullgari, mes Ministrisë së Jashtme bullgare dhe qeverisë së tyre, e jo te ne.

“Është konstatuar se ka dallime mes Ministrisë së Jashtme të tyre dhe palëve të tjera të interesit, midis të cilave unë nuk do të ndërhyj, sepse këto janë marrëdhënie të brendshme atje, ne po flasim me qeverinë bullgare”, tha Osmani.

Ai ritheksoi se në vendin tonë ka qëndrime dhe pozicione absolutisht të harmonizuara në përputhje me rezolutën e Kuvendit dhe pa dallime në këtë proces.

“Ne nuk kemi absolutisht dallime, as ekspertët në MPJ, as unë si lidership politik i Ministrisë së Jashtme dhe as kryeministri. Të gjithë jemi në koordinim të vazhdueshëm, dje kemi pasur takim të gjatë koordinues, sot pasdite do të kem një takim tjetër koordinues. Ne jemi absolutisht të unifikuar në qëndrime, në pozicione pa dallime në këtë proces, gjë që me të vërtetë më vjen mirë, sepse në një atmosferë të tillë është shumë më e lehtë të punohet”, pohon Osmani.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button