Osmani: Edhe tetë qytetarë kërkojnë evakuim nga Ukraina, katër prej tyre janë shtetas tanë

Edhe tetë qytetarë të tjerë, prej të cilëve katër shtetas tanët dhe katër ukrainas, por në raporte farefisnore me tanët, kërkojnë të evakuohen nga Ukraina, njoftoi sot në brifingun e rregullt ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, transmeton Portalb.mk.

“Nga 120 qytetarë të lokalizuar dhe kontaktuar, rreth 80 për qind tashmë janë evakuuar. Kanë mbetur tetë shtetas që kërkojnë evakuim dhe ata janë ende në Ukrainë. Katër prej tyre janë shtetas tanë, katër janë shtetas ukrainas, por në lidhje farefisnore me tanët”, tha ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

Osmani theksoi se në Ukrainë janë edhe rreth njëzet qytetarë tanë, por, siç theksoi, ata nuk kërkojnë evakuim nga atje.

Ai shtoi se po përpiqen që ti evakuojnë këta tetë shtetas të cilët kanë kërkuar evakuim, ndërsa për 20 të mbeturit, siç tha ai, nuk do të bëjnë përpjekje për t’i evakuuar derisa të marrin kërkesë prej tyre se duan të evakuohen.

Ndër të tjera, Osmani theksoi se deri më tani nuk ka numër të shtuar të shtetasve ukrainas që kanë hyrë më herët në vend, ndërsa asnjë nga ata që kanë hyrë nuk ka aplikuar për statusin e refugjatit.

“Ka hyrje të qytetarëve ukrainas, por nuk ka dinamikë më të madhe se sa ishte para luftës. Këto janë hyrje normale të njerëzve në një numër jo më të madh se ato parapraket. Nuk kemi dike që ka kërkuar statusin e refugjatit, por duhet të jemi të përgatitur për këtë”, tha Osmani në brifingun e rregullt javore për gazetarë.

Ministri Osmani sot para Qeverisë do t’i prezantojë të dhënat e marra nga institucionet shtetërore për kapacitetet për akomodimin e refugjatëve që do të vinin nga Ukraina, por edhe planet dhe përgjegjësitë për të gjitha institucionet që do të përfshiheshin në proces.

Ai nuk pret fluks të madh refugjatësh ukrainas në vend, por, siç theksoi, nëse kjo ndodh, nuk përjashtohet mundësia e krijimit të objekteve të improvizuara kujdesi.

“Ne nuk do të refuzojmë asnjë refugjat ukrainas që të arrijë në kufi. Përkundrazi, do të pranohet me të gjitha aspektet e kujdesit humanitar për refugjatët”, tha Osmani.

Ndryshe, Rusia pushtimin në Ukrainë e filloi më 24 shkurt, çka ka shkaktuar dyndje të madhe të qytetarëve në vendet fqinje për strehim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button