RMV, 165 të hospitalizuar nga kovidi – 23 për qind më pak se javën e kaluar, pesë janë në ventilim mekanik

Aktualisht në spitalet e vendit nga kovid-19 janë të hospitalizuar 165 pacientë, thuhet në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), që përbën rënie të madhe të numrit nëse kemi parasysh se vetëm në prill të vitit të kaluar në qendrën kovid në Manastir ishin të hospitalizuar 152 pacientë. Dhe vetëm në Shkup në shkurt të vitit 2021 ka pasur mbi 700 hospitalizime, transmeton Portalb.mk.

Gjithsej 1.818 raste të reja pozitive nga 30 qytete të vendit janë regjistruar javën e kaluar, që përbën ulje prej 27,4 përqind, në raport me javën e kaluar, tregon raporti i fundit i Institutit për Shëndet Publik. Numri, megjithatë, i testeve të kryera për kovid-19 në periudhën 7-13 mars është ulur për 12 përqind. 

“Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi, dhe incidenca më e lartë javore është regjistruar në Kavadar. Janë regjistruar persona të infektuar në të gjitha grupmoshat. Grupmosha më e zakonshme është mbi 60 vjeç dhe numri më i ulët është regjistruar në grupmoshën deri në 9 vjeç”, thuhet në raport.

Krahasuar me javën e kaluar, ka një rënie të numrit të të sëmurëve në të gjitha grupmoshat, me rënien më të dukshme prej 41,7 për qind në grupmoshën deri në 9 vjeç.

Sipas algoritmit të ri të rikuperimit, gjatë javës së fundit 2400 persona kanë fituar statusin e “të shëruarit” në kushte spitalore apo në mjekim shtëpiak. Gjatë javës së kaluar janë raportuar gjithsej 267 riinfeksione, që paraqet rënie prej 28,2 për qind krahasuar me javën e kaluar.

Janë raportuar 34 vdekje në 13 qytete gjatë javës së kaluar, që është 33.3 për qind më pak se një javë më parë. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Shkupi (17). Për sa i përket moshës, janë regjistruar 33 vdekje në grupmoshën mbi 60 vjeç dhe një i vdekur në grupmoshën 50-59 vjeç.

Më 17 shkurt të vitit të kaluar, në Maqedoninë e Veriut ka filluar vaksinimin kundër kovid-19. Deri më 12 mars të këtij viti, me të paktën një dozë vaksine janë vaksinuar gjithsej 871.669 persona. Plotësisht të vaksinuar (me dy doza) janë gjithsej 851.655 persona dhe me dozën e tretë janë vaksinuar 147.223 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button