fbpx

Në “Drislla” nuk selektohen dhe as riciklohen mbeturinat, edhe pse rajoni i Shkupit gjeneron më së shumti

Deponia e Shkupit “Drislla” është lokacioni më i madh ku deponohen mbeturinat në nivel kombëtar, por që deri më sot nuk ka qendër sekondare për seleksionimin e mbeturinave dhe impiante për riciklimin e mbeturinave. Para tri javësh është lëshuar në përdorim sterilizuesi modern për trajtimin e mbetjeve mjekësore (autoklavë), por llojet e tjera të mbetjeve dërgohen direkt në landfill, pa kaluar më parë në procesin e përzgjedhjes dhe trajtimit të mbetjeve, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Qyteti i Shkupit ka themeluar dy ndërmarrje publike që janë përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, por seleksionimi i tyre i mbeturinave është reduktuar në nivel minimal. NP “Drisla” aktualisht nuk ka impiant për seleksionim sekondar të mbeturinave që transportohen me kamion në deponi, ndërsa NP “Higjiena Komunale” vitin e kaluar ka arritur të seleksionojë dhe grumbullojë vetëm 538.8 ton mbeturina nga gjithsej 166.678 tonë mbeturinat komunale. Kjo është vetëm 0.32% e totalit të mbetjeve të grumbulluara nga kontejnerët në kryeqytet vitin e kaluar.

Të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë konfirmojnë se në rajonin e Shkupit prodhohet sasia më e madhe e mbeturinave, por edhe grumbullohet në nivel vendi (170.660 ton në vitin 2020) dhe të gjitha mbeturinat e grumbulluara nga ky rajon përfundojnë në deponinë rajonale “Drisla. Megjithatë, kapacitetet e depozitimit të mbeturinave të landfillit standard të ndërtuar në vitin 1994 kanë një kapacitet të parashikuar për të marrë 26.000.000 metra kub mbeturina komunale, gjegjësisht mbeturinat nuk mund të hidhen në sasi të pakufizuar.

Meta.mk i ka dërguar pyetje Qytetit të Shkupit dhe NP “Drisla” për atë se në cilat projekte aktualisht janë duke punuar autoritetet e qytetit për modernizimin e funksionimit të deponisë së Shkupit. Po ashtu kanë pyetur se kur mund të priten investime në impiantet për seleksionimin sekondar të mbeturinave në “Drisla” dhe për riciklimin e një pjese të mbeturinave që sillen në këtë lokacion.

Edhe pas më shumë se 10 ditësh nga pyetjet e dërguara dy herë me e-mail në ndërmarrjen publike “Drisla” dhe te autoritetet e qytetit, “Meta.mk” nuk ka marrë përgjigje. Gjithashtu kanë pyetur nëse planifikojnë të kompostojnë mbeturinat biologjike që mbërrijnë në deponinë e Shkupit, por as për këtë pyetje nuk morën përgjigje.

Përndryshe, pikërisht kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, në vënien në punë të autoklavës para tri javësh, tha se autoritetet e qytetit do të bëjnë të pamundurën për modernizimin e plotë të të gjitha proceseve në kuadër të NP “Drisla”, por nuk precizoi se cilat projekte konkrete do të investohen në periudhën e ardhshme. Sipas të dhënave të fundit në dispozicion nga Programi për punë dhe zhvillim të NP Drisla për vitin 2021, nga fundi i vitit 2020, kjo deponi e Shkupit është e mbushur me mbi 55 për qind të kapacitetit të përgjithshëm për deponim të mbeturinave.

Përveç pjesës së mbeturinave komunale për të cilat ka të dhëna se mbi 99% e mbeturinave të grumbulluara në Shkup përfundojnë si mbeturina të përziera në deponi, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor në tetor të vitit të kaluar ka reaguar duke lëshuar ndalim për deponinë “Drisla” të pranojë dhe trajtojë 26 lloje të mbetjeve të rrezikshme, për shkak të mungesës së instalimit për trajtimin apo përpunimin e mbetjeve të treguara. Më pas kësaj kompanie publike iu kërkua që të dërgojë një kërkesë për ndryshime në lejen e integruar A të lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila aktualisht zotëron deponinë Drisla.

Për dallim nga deponia e Shkupit, të dhënat e Eurostat-it tregojnë se prej vitesh në vendet anëtare të BE-së sasia e mbeturinave që përfundojnë në deponi është në rënie, pasi përqindja e mbeturinave të përzgjedhura dhe të trajtuara po rritet. Sipas Eurostat-it, në vitin 1995, 121 milionë tonë mbeturina komunale përfunduan në deponi, ndërsa në vitin 2019 kjo sasi u reduktua në 54 milionë tonë mbeturina komunale.

Meta.mk tashmë ka shkruar se përkundër kësaj, insineracioni apo djegia e kontrolluar e mbeturinave në BE është rritur nga 30 milionë tonë në vit në vitin 1995 në 60 milionë tonë mbeturina komunale në vitin 2019. Riciklimi i mbetjeve për një periudhë 24 vjeçare është rritur nga 23 në 68 milionë ton mbetje komunale në nivel të BE-së. Gjithashtu, kompostimi i mbetjeve pësoi një rritje nga 14 milionë tonë në vitin 1995 në 39 milionë tonë mbetje në vitin 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button