Sela:Ne lëvizje brenda PDSH-së, përjashton mundësinë e formimit të partisë së re

“Pas zhvillimeve të fundit brenda PDSH-së dhe shkeljeve të njëpasnjëshme të statutit të partisë nga ana e Kryetarit  të Partisë, si dhe selisë së tij politike, para gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, kulmimimit të të shkeljeve  me thirrjen gjoja të  kuvendit të Degës së Strugës, me kuvendarë të emëruar në mënyrë arbitrare, duke shkelur vullnetin dhe legjitimitetin e nëndegëve dhe kuvendarëve të Degës dhe të atyre të RDSH-së dhe FGSH-së, ne kuvendarët kërkuam thirrjen e këtij kuvendi”, thuhej në arsyetimin për thirrjen e Kuvendit të Degës së PDSH-së së Strugës e cila nuk pranon strukturat e  Degës së krijuar nga Organet qendrore të kësaj partie.

Këtë nismë  e ka përkrahur në punimet e këtij Kuvendi, Ziadin Sela, i cili ka kërkuar që  si pikë e veçantë e rendit të ditës të shtohet edhe  zgjedhja e kryetarit të ri të Degës, pas siç ka theksuar ai,  mospranimit të kryetarit të deritanishëm të Degës, Lavdërim Elmazi, që të drejtojë edhe më tutje atë.

“Unë personalisht do të doja që Lavdërimi të jetë edhe më tutje në krye të  Degës, por ai nuk ka pranuar ta ushtrojë më këtë detyrë.  Kemi biseduar bashkë dhe ky është vendimi i tij”, ka theksuar Sela, duke iu përgjigjur edhe kërkesës së një këshilltari për të sqaruar mosprsaninë e  kryetarit të Degës së PDSH-së të përjashtuar nga Partia, së bashku me Ziadin Selën, nga Kryesia Qendrore.

Sela ka theksuar se Elmazi ka patur presione nga Qendra dhe presione të tilla ata kanë bërë ndaj strukturave të Degës së PDSH-së në Strugë dhe jo Dega e kësaj partie ndaj dikujt tjetër.

Kryetari i Komunës së Strugës, ka hedhur poshtë mundësinë e krijimit të një paertie të re politike dhe ka shtuar se struktura që ai përfaqëson do të jetë një Lëvizje brenda PDSH-së, e cila do të përhapet edhe në Degët tjera të kësaj partie.

Ai ka theksuar gjithashtu se kryetari i PDSH-së duhet të  japë llogari para Kongresit të Partisë për atë që ka ndodhur para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Në këtë kontekst, ai ka pyetur se pse nuk po flitet më për  marrëveshjen e re politike dhe e ka quajtur absurd  vendimin për të votuar kryetarin e parlamentit dhe insistimin për të hyrë në qeveri pa kushte.

Kuvendi, më pas ka kaluar edhe në zgjedhjen  e kryetari të ri të Degës së kësaj partie, dhe me të gjitha votat e të pranishmëve ka zgjedhur  Suria Rashidin për kryetar.

Rashidi në fjalën e tij pas zgjedhjes, falenderoi të gjithë për zgjedhjen e tij dhe theksoi se detyra që ata kanë marrë përsipër nuk është e lehtë, por se duhet punuar shumë që PDSH, të bëhet parti fiituese dhe kështu ta realizoj platformën e saj me pjesëmarrjen në qeverisje. /Drini.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button