Bekteshi: Nuk ka nevojë për panikë, ka miell të mjaftueshëm(VIDEO)

“Ka më shumë se sa duhet miell në vend, mullinjtë kanë sasi të mjaftueshme të miellit për të mbuluar nevojat e tregut. Nuk ka vend për të krijuar panik te qytetarët për blerje të panevojshme të miellit, duke pasur parasysh se kemi të gjitha sasitë e nevojshme të miellit që i duhen shtetit për momentin”, kështu porositi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshu pas vizitës në mullirin “Kokra e Artë” në Poroj të Tetovës, i cili është një nga eksportuesit më të mëdhenj të miellit në vend, transmeton Portalb.mk.

Sipas vendimit të fundit për ndalimin e eksportit të drithërave, miellit dhe vajit për gatim, të njëjtat shiten vetëm brenda tregut vendas.

“Dua t’i siguroj qytetarët se kemi sasi të mjaftueshme të miellit në mullinjtë vendas, dhe çmimet e produkteve ushqimore bazë në periudhën e ardhshme do të ulen si rezultat i vendimeve të Qeverisë për mbrojtjen e qytetarëve nga goditjet e çmimeve. Deri në fund të javës presim stabilizim të plotë të tregut dhe në varësi të informacionit do të hiqet ndalimi i eksporteve që u miratua javën e kaluar”, tha Bekteshi.

Ndër të tjera ai tha se inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut janë në terren për zbatimin e vendimeve të Qeverisë dhe sipas raportit të javës së kaluar për tregtarët të cilët nuk i kanë respektuar vendimet e Qeverisë janë shqiptuar gjoba.

“Sa i përket kundërvajtjeve. javën e kaluar ISHP ka konstatuar disa shkelje në Shkup në disa supermarkete të mëdha. Bëhet fjalë për shtatë supermarkete të mëdha të cilat për mos respektimin e vendimeve të Qeverisë janë gjobitur me nga 7.000 euro”, u shpreh Bekteshi.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të premten në mesnatë miratoi masat për përballje me krizën ekonomike, ligjin për uljen e akcizës për karburantet që merr shteti nga shitja e karburanteve, si dhe ligjin për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për karburantet, nga 18 në 10 për qind.

Ndërkohë do të ketë ndërprerje të tarifave doganore për produktet ushqimore, kurse programi për energjetikë për varfëri energjetike do të vazhdojë deri në korrik të vitit 2022, sikurse dhe subvencionimi i çmimit të ngrohjes qendrore. Në këtë sferë përfshihet edhe ulja e TVSH-së nga 18% në 10 % për lëndët djegëse.

Në 26 masat e miratuara nga Qeveria, përfshihen edhe lehtësime dhe ulje e interesit gjatë marrjes së kredive.

Qeveria në listën e artikujve me marzhën e kufizuar të fitimit e futi bukën, vajin, miellin, mishin, sheqerin, qumështi dhe produktet e saj, orizi, shpageta, makarona dhe vezët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button