Grupi Parlamentar i RMV-së për Bashkëpunim me Parlamentin e Rusisë prej formimit pa asnjë aktivitet

Duhet koordinim në Kuvend për të vendosur nëse duhet të shfuqizohet Grupi Parlamentar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Kuvendin e Federatës Ruse. Ky është qëndrimi i kryetarit të grupit, Pavle Trajanov, në lidhje me kërkesën e deputetit Skender Rexhepi i cili u tërhoq dhe njëkohësisht kërkoi nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi të shfuqizohet tërësisht ky grup për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, shkruan Portalb.mk.

Trajanov theksoi se ky grup parlamentar ashtu-kështu nuk ka funksionuar dhe se prej formimit të tij nuk kanë pasur asnjë komunikim.

“Kuvendi miratoi rezolutë për dënimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Sikur për të gjitha aktivitetet, duhet që të ketë koordinim. Përndryshe, prej kur është formuar, puna e këtij grupi është e ngrirë, nuk kemi bërë asnjë aktivitet, asnjë komunikim. Ashtu kështu nuk funksionon. Si do të shkojë më andej do të shohim. Nuk dua që askush të mbledh pikë politike me atë që ndodh atje”, thotë për Portalb.mk, Trajanov.

Portalb.mk kontaktoi me Kabinetin e kryetarit Xhaferi, për t’i pyetur nëse kërkesa për shfuqizimin e grupit ka arritur deri atje, por ata thanë se deri tani nuk ka arritur.

“Deri tani, te kryetari i Kuvendit nuk ka arritur ndonjë kërkesë e tillë zyrtare”, thanë nga Kabineti i Xhaferit.

Deputeti i BDI-së, Bedri Fazliu, i cili gjithashtu është edhe anëtar i këtij grupi parlamentar thekson se tërheqja nga grupi, duhet të bëhet bashkërisht dhe jo në mënyrë individuale, por gjithsesi ai vlerëson se nëse nuk haset pajtueshmëri, do të tërhiqet edhe në mënyrë individuale.

“Mendoj se do të ishte më mirë që si grup parlamentar komplet të marrim vendim që të tërhiqemi. Kam kërkuar nga koordinatori im që ai ta paraqet si problem në koordinim me koordinatorët që të marrim vendim së bashku, pra të mos bëhet individuale. Ne i bashkëngjitëmi deklaratës që e kemi votuar në Parlament. Nëse nuk pajtohen të gjithë anëtarët, atëherë do të marrim veprim individual. Por, sigurisht që më i mirë do të ishte veprimi edhe mesazhi do të ishte më i fuqishëm që atë ta bëjmë të gjithë së bashku”, theksoi Fazliu.

Portalb.mk dërgoi pyetje edhe deri te përfaqësuesit e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për t’u deklaruar për çështjen në fjalë, megjithatë ata nuk kthyen përgjigje.

Ky grup është themeluar nga Kuvendi bashkë me grupet tjera më 27 nëntor 2020 dhe përbëhet prej kryetarit dhe 7 anëtarëve. Për shfuqizimin e grupit duhet që kryetari i Kuvendit të caktojë seancë, në rend dite ta vendos shfuqizimin dhe me pas, me 61 vota “për” mund të shfuqizohet.

Kryetar i Grupit:

  • Pavle Trajanov

Anëtarë:

  1. Lupço Dimovski
  2. Ivan Stoilkoviq
  3. Ane Lashkoska
  4. Kole Çarakçiev
  5. Lupço Ballkoski
  6. Bedri Fazliu
  7. Skender Rexhepi

Grupet parlamentare, themelohet që të vendosin dhe zhvillojnë bashkëpunim parlamentar mes Maqedonisë së Veriut dhe parlamenteve të shteteve tjera, por edhe për këmbim të përvojave të punës parlamentare dhe çështjeve me interes të përbashkët të shteteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button