RMV, pas ndryshimeve ligjore, pritet ulje e çmimeve të produkteve bazë

Pas uljes së çmimit të derivateve, pritet që prej sot të ketë korrigjime në çmimet e produkteve ushqimore bazë në përputhje me masat antikrizë të qeverisë dhe ndryshimet ligjore për masën e akcizës dhe TVSH-së që morën dritë jeshile në Parlament të premten, transmeton Portalb.mk.

Duhet të harmonizohen çmimet e bukës, miellit, sheqerit, vajit të lulediellit, qumështit të lopës, mishit, orizit, vezëve. Për ta, norma e TVSH-së prej 5 për qind është hequr në 0 për qind dhe kjo masë do të zgjasë deri në fund të majit. Në të njëjtën kohë, marzhet për disa produkte janë ngrirë, si dhe janë hequr taksat doganore për importin e ushqimeve bazë.

Pakoja e masave anti-krizë për përballimin e çmimeve goditëse për shkak të luftës në Ukrainë, përskaj uljes së TVSH-së për derivatet nga 18 në 10 për qind, si dhe akcizës për 1, 2 ose 4 denarë, e cila ka çuar tashmë në uljen e benzinës dhe naftës, parashikon zgjatjen e normës preferenciale të TVSH-së 5 për qind për familjet deri në fund të vitit.

Shkalla e TVSH-së për shitjen e energjisë ulet nga 18 në 10 për qind dhe hiqet taksa për importin e gazit, energjisë elektrike dhe ngrohjes.

Ulja e taksave ndikon drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar që qytetarët paguajnë për produktet ushqimore bazë, ulja e TVSH-së për derivatet e naftës amortizon çmimin përfundimtar të derivateve, ndërsa zgjatja e normës preferenciale të TVSH-së për energjinë elektrike ul harxhimet e energjisë.

Me pakon prej 26 masash kundër krizës parashihet subvencionimin e qytetarëve për energji elektrike. Kategoritë më vulnerabël në periudhën nga prilli deri në qershor do të marrin vauçerë në vlerë prej 1000 denarë çdo muaj, të cilat do të përdoren për blerjen e produkteve bazë. Për të gjithë pensionistët, duke filluar nga pensioni i marsit dhe duke përfunduar me pensionin e majit, përveç pensionit parashihen subvencione shtesë prej 1.000 denarë.

Ministri i Financave Fatmir Besimi pretendon se masat e miratuara prej 400 milionë eurosh nuk do të ndikojnë në likuiditetin e arkës së shtetit. Buxheti është likuid, rezervat devizore janë rritur, denari është stabil, thotë Besimi. Ai u bëri thirrje institucioneve, komunave, biznesmenëve dhe qytetarëve që të jenë racionalë në shpenzimin e energjisë dhe të mos iu nënshtrohen spekulimeve që janë në dëm të buxhetit personal, duke theksuar se të gjitha masat merren në kohën e duhur dhe se nuk ka vend për panik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button