ANALIZË: Pensionet u rritën për 1.000 denarë – qëndrueshmëria dhe drejtësia e zgjidhjes! (PJESA 2)

Pensioni më i lartë në vend është 725 euro, më i ulëti është 186 euro. Rritje prej 1.000 denarësh si zgjidhje “ad-hoc” do të marrin të gjithë pensionistët për një periudhë prej tre muajsh. Gjithashtu, është ndryshuar edhe modeli për llogaritjen e rritjes – në aspektin e dy parametrave, shpenzimeve të jetesës dhe rritjes së rrogës mesatare. Ndërkohë, në vend raporti punonjës-pensionist është përmirësuar, por edhe më tej mbetet “i cenueshëm” për sa i përket qëndrueshmërisë së fondit shtetëror të pensioneve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Duhet pasur kujdes me rritjen e pensioneve – deficiti në FSPIM nuk duhet të thellohet… 

Pensionet e marsit, prillit dhe majit do të rriten për 1.000 denarë për të gjithë pensionistët. Gjithashtu, Qeveria vendosi ta ndryshojë edhe modelin në bazë të të cilit do të korrigjohen pensionet – në raport me shpenzimet e jetesës dhe në raport me rritjen e rrogës mesatare në vend. Për momentin këta dy parametra janë në rritje – gjë që duhet të shkaktojë edhe rritje të pensioneve për këto baza. Në këtë mënyrë, sipas qeverisë, u sigurua një zgjidhje me të cilën do të mbrohet standardi i pensionistëve.

“Pensioni mesatar në vitin 2022, krahasuar me vitin e kaluar do të jetë më i lartë, duke pasur parasysh shpenzimet e jetesës dhe rritjen e rrogës mesatare në vendin tonë. Është e rëndësishme që kjo është një zgjidhje sistemore dhe të mos ketë ndikim në rritjen e përqindjes së kontributeve për pensionet” – vlerësojnë nga FSPIM-ja.

Sipas disa ekonomistëve, vendimi për rritjen e pensioneve është i mirëseardhur në kushtet e rritjes së çmimeve dhe krizës ekonomike në përgjithësi, por me një paralajmërim për dy çështje kyçe, nëse vendimi për rritjen e pensioneve për 1.000 denarë është i qëndrueshëm dhe i drejtë dhe së dyti, të mos cenohet stabiliteti i fondit aktual të pensioneve shtetërore.

Pse aludohet për një zgjidhje “të drejtë” për rritjen e pensioneve? Në mars, prill dhe maj, pension më të lartë prej 1000 denarësh do të marrin si pensionistët me pensione më të ulëta ashtu edhe ata me pensione më të larta. Sipas të dhënave nga FSPIM-s në muajin janar në vend kishte 326.841 pensionistë, prej të cilëve pothuajse 48% kishin pension deri në 14.000 denarë, ndërsa vetëm 31% pension më të lartë se 18.000 denarë.

Por, nëse analizohet nga aspekti i pensionit mesatar të paguar në vend – ai është 264 euro ose 16.300 denarë. Vetëm 0,4% e pensionistëve kanë pension prej 44.778 denarë deri në 59.674 denarë – pensione që janë me shumat maksimale më të larta.

Shuma tremujore prej 3.000 denarësh në total, është lineare për të gjithë pensionistët, pavarësisht nga shuma e pensionit. Megjithëse kjo rritje është e justifikuar – për të zbutur pasojat negative të krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve, ajo megjithatë është një formë e rritjes “ad-hoc”, dhe rritje të tilla të mundshme në të ardhmen duhet të racionalizohen vetëm për ata që marrin pensione më të ulëta” – vlerësojnë nga Instituti “Finance Think”.                    

Në 2,4 të punësuar– 1 pensionist

Sipas të dhënave të fundit nga Enti Statistikor, vendi ka pak më shumë se 794.900 të punësuar. Nga analiza krahasuese e “Portalb”-it rezulton se ka 1 pensionist për 2,4 të punësuar.

Punonjësit aktualë e mbushin arkën e fondit me kontribute – dhe prej andej paguhen pensionet aktuale. Për pagesën e rregullt të pensioneve, këtë vit nga buxheti qendror do të transferohen edhe 489.000.000 euro shtesë. Qëndrueshmëria e fondit shtetëror të pensioneve është e rëndësishme në një situatë kur pritet rritje e numrit të pensionistëve – në vitet e kaluara janë regjistruar nga 4.000 shfrytëzues të rinj të pensioneve në vit. Ekonomistët konsiderojnë se duhet të ketë rritje të pensioneve sipas parametrave të përcaktuar – por i theksojnë pasojat e zgjidhjeve aktuale për rritje të njëhershme.

“Harmonizimi i pensioneve është i rëndësishëm për ruajtjen e standardit të jetesës së pensionistëve, dhe kjo duhet të përcaktohet nga parametrat jetikë ekonomikë, si lëvizjet e çmimeve, rrogat dhe PBB-ja. Megjithatë, çdo rritje ad-hoc e pensioneve jashtë parametrave ekonomikë përbën rrezik që deficiti në sistemin e pensioneve të rritet me përqindje të paqëndrueshme. Nëse politika e rritjes së madhe të pensioneve “ad-hoc” do të vazhdonte, deficiti do të vazhdonte të rritet“ – përfundojnë nga “Finance Think”.

Rreth 93% e të siguruarve në FSPIM janë anëtarë edhe të sistemit me dy shtylla.

Punonjësit aktualë – pensionistët e ardhshëm janë të shpërndarë në fondin shtetëror të pensioneve dhe ato private. Në fund të vitit 2020, në shtyllën e dytë të pensionit të detyrueshëm ishin 529.983 persona të siguruar – krahasuar me vitin 2019, numri është rritur për 4%, por në raportin e MAPAS-it thuhet se “ruhet rritja më e ngadaltë e numrit të të siguruarve të rinj për shkak të lëvizjet e pafavorshme të tregut të punës në kushtet e pandemisë.”

Vetëm 12% e të siguruarve janë anëtarë “vullnetarë”, ndërsa 88% janë “të detyrueshëm” sipas fuqisë së ligjit. Rreth 79% e anëtarëve të detyrueshëm janë të rinj, deri në 40 vjeç. 56% e totalit të popullsisë aktive janë anëtarë të fondit pensional me dy shtylla.

“Sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore të datës 31.12.2020, rreth 93% e numrit të përgjithshëm të të siguruarve në FSPIM janë anëtarë të sistemit të pensioneve me dy shtylla”, thuhet në raportin e MAPAS-it.

Vetëm në vitin 2020, në bazë të kontributeve të paguara, në shtyllën e dytë pensionale janë paguar 150.000.000 euro. Në shtyllën e “e tretë” të pensionit vullnetar ka 26.016 anëtarë. Gjatë vitit 2020, në fondet e detyrueshme private të pensioneve janë transferuar kontribute në vlerë prej 9,3 miliardë denarëve ose 150,7 milionë euro. Shuma për pagesën e rregullt të pensioneve në nivel vjetor ka kaluar vlerën 1 miliardë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button