Borelli për vizitë në Shkup: Nuk mund të jap datë për eurointegrimet, por siguroj se ka vullnet për këtë gjë

Zëvendëskryetari i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme Zhozep Borell, sot po zhvillon takime me krerët shtetëror të vendit. Ai fillimisht zhvilloi takim me Presidentin Stevo Pendarovski, ku ky i fundit, vizitën e përfaqësuesit të lartë Borrell në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon e vlerësoi si konfirmim të përkushtimit dhe mbështetjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në dritën e realitetit të ri gjeopolitik në Evropë, transmeton Portalb.mk.

“Fillimi i negociatave për anëtarësim të RMV-së në BE është një provë e besueshmërisë së Bashkimit Evropian. Me dinamikën e re gjeopolitike, nuk po flasim për përshpejtim të procesit tonë, duke marr parasysh se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë vendosur që në mars të vitit 2020 t’i nisin negociatat për anëtarësim me Këshillin e BE-së”, tha Pendarovski.

Maqedonia e Veriut, siç theksoi kreu i shtetit, është dëshmuar se është një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe bllokada e saj e mëtejshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit, së bashku me Shqipërinë, është e paqëndrueshme.

Stevo Pendarovski - Josep Borrell
Stevo Pendarovski – Josep Borrell

Pas takimit me Pendarovskin, Borrell u takua me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, pas çka patën edhe konferencë për mediat, ku Borrelli, falënderoi Maqedoninë e Veriut për qëndrimin dhe dënimin me zë të lartë të Rusisë, e cila po pushton Ukrainën.

Zyrtari i lartë i BE-së, gjithashtu njoftoi se janë në përfundim e sipër të miratimit të pakos së katërt të masave kundër Rusisë.

Borrell foli edhe për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, me ç’rast tha se dy vendet duhet që sa më shpejt të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian, përkatësisht mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me këto dy vende. Në pyetjet e gazetarëve, ai tha se nuk mund të premtojë fillimin e negociatave në qershor, por as nuk mund të japë ndonjë datë tjetër, megjithatë se siguroi se integrimi i këtyre dy vendeve është në prioritetet e BE-së dhe siguroi se ekziston vullnet për këtë gjë. Gjithashtu ai u shpreh se beson që intensifikimi i bisedimeve Sofje-Shkup do të sjellë zgjidhje midis dy vendeve dhe se duket qartë që dy vendet kanë vullnet për zgjidhje të çështjeve.

“Për të qenë i sinqertë, e kuptoj plotësisht zhgënjimin që ndjeni. Negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë një prioritet i lartë për BE-në dhe ne vazhdimisht vlerësojmë se vendi është gati për negociatat e anëtarësimit. Kjo nuk është retorikë, por një deklaratë qëllimi. Por ju e dini se ka një problem. Ne po mundohemi ta zgjidhim problemin me të gjitha kapacitetet tona. Çështjet dypalëshe nuk duhet të rrezikojnë asnjë proces pranimi, edhe nëse bazohen konsideratat etnike gjuhësore. Unë nuk mund t’ju premtoj një datë, por mund t’ju premtoj se ka vullnet dhe ku ka vullnet ka mënyrë”, tha Borel.

Nga ana tjetër edhe kryeministri Kovaçevski, deklaroi se nuk mund të flasë me data, por se siç u shpreh ai, zgjidhja duhet të jetë në frymën e vlerave evropiane dhe për këtë zgjidhje të jenë të pajtimit të dy vendet.

“Bisedova me Borrelin për këto tema dhe morëm siguri se këto bisedime do ti përcjellë në BE”, tha Kovaçevski.

Josep Borrell
Josep Borrell

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, realizoi takim me Borrellin. A e falënderoi për vizitën në kohën e duhur, si shenjë konkrete e partneritetit të fuqishëm; koordinimit në përballje me pasojat e agresionit rus ndaj Ukrainës; dhe manifestimit të mbështetjes së anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe gjithë rajonit në BE.

Bashkëbiseduesit u dakorduan se konflikti ushtarak në Ukrainë paraqet shkelje të rëndë të parimeve themelore të së Drejtës Ndërkombëtare, rendit demokratik dhe arkitekturës së sigurisë së Evropës dhe rrjedhimisht paraqet kërcënim real për paqen, sigurinë dhe stabilitetin botëror, me implikime të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Borel - Osmani
Borel – Osmani

“Besoj se këto janë momente historike që kërkojnë vendime kyçe dhe në kohë, por edhe unitet në veprimin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tija anëtare. Procesi ynë i ngecur i integrimit në BE është burim i një ndjeshmërie sistematike, të cilin aktorët e jashtëm e përdorin lehtësisht në aktivitetet e tyre. Prandaj, nuk ka vend për mëdyshje ndaj atyre vendeve që me gatishmëri i përmbahen vlerave, parimeve dhe standardeve të përbashkëta evropiane. Situata e këtillë është imperativ që vendet anëtare të BE-së të bëjnë përpjekje të përbashkëta, të krijojnë konsensus dhe të sjellin vendim për fillim të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Anëtarësimi i rajonit në BE është një vlerë e shtuar thelbësore sigurie, politike dhe ekonomike për Unionin”, theksoi Osmani.

Osmani dhe Borrell konkluduan se vetëm në këtë mënyrë Bashkimi Evropian do ta forcojë rolin e tij strategjik në politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe do ta marrë udhëheqësinë strategjike, teksa vazhdimi i politikës së zgjerimit është i rëndësishëm për sigurinë dhe unitetin e gjithë kontinentit dhe fuqinë e Aleancës Euro-Atlantike.

Nga ana e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell u përshëndet harmonizimi i plotë i Maqedonisë së Veriut me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dhe angazhimi ynë i palëkundur euro-atlantik.

Ndryshe, Borrell dje në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit u prit nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq bashkë me shefin e Delegacionit të BE-së në Shkup, Dejvid Gir.

Zëvendëskryeministri Mariçiq gjatë takimit i dëshiroi Borellit mirëseardhje dhe takime të suksesshme që do t’i realizojë me përfaqësuesit më të lartë të shtetit gjatë ditës së sotme

“Këtë turne ballkanik që nënkryetari i KE-së dhe përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme, Zhozep Borell, e fillon mu nga Shkupi dhe ky është sinjal i mirë se ne dhe rajoni mbetemi në fokus të Bashkimit Evropian. Në takimin e nesërm me kryeministrin Kovaçevski, përveç pikave tjera presim që të diskutojmë edhe për krizën në Ukrainë dhe për bashkëpunimin tonë rajonal e cila është e njohur si burim i stabilitetit dhe sigurisë, por edhe për përkushtimin për integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE”, theksoi Mariçiq në profilin e tij në FB.

Ndryshe, kjo është vizita e parë zyrtare e Borellit në Maqedoninë e Veriut, si përfaqësues i Lartë i BE-së. Nga Shkupi, përfaqësuesi i Lartë i BE-së do të udhëtojë në Tiranë dhe prej andej në Sarajevë në fund të javës së ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button