Irak, qyteti i Erbilit është sulmuar me mbi dhjetë raketa balistike

Mbi dhjetë raketa balistike goditën Erbilin në Irakun verior, ndërsa autoritetet lokale të Qeverisë Rajonale Kurde (KRG) thanë se ato u lëshuan nga jashtë vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Njësia Kundër Terrorizmit e KRG-së tha në një deklaratë në faqen e saj zyrtare në Facebook se sulmi ishte “i drejtuar nga lindja” dhe se nuk kishte humbje jetësh.

Sulmi në orën 1 të mëngjesit sipas kohës lokale përfshiu 12 raketa balistike që synonin një lagje në drejtim të Konsullatës së SHBA-së.

Ministria e Brendshme e KRG-së ka njoftuar se si pasojë e sulmit me raketa është lënduar lehtë një qytetar.

Disa ndërtesa dhe shtëpi u dëmtuan në sulm, shtoi ministria.

“Sonte u kryen sulme të shumta në Erbil me raketa dhe asnjëra prej raketave nuk goditi Konsullatën e re të SHBA-së në Erbil, e cila është në ndërtim e sipër. Megjithatë, zonat përreth kampusit u goditën nga raketat”, tha në Twitter Lawk Ghafuri, shefi i Marrëdhënieve me Mediat e Huaja i KRG-së.

Guvernatori i Erbilit, Omed Khoshnaw, më herët i tha transmetuesit me bazë në Erbil Rudaw se bëhej fjalë për një sulm terrorist kundër Konsullatës së SHBA-së.

Duke vënë në dukje se sulmi ishte një sulm terrorist, Khoshnaw tha se forcat e sigurisë në qytet u alarmuan menjëherë pas sulmit.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se nuk ka pasur viktima në sulm.

Kryeministri i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut verior (KRG), Masrour Barzani, e dënoi sulmin në Erbil.

“Erbili nuk do t’u nënshtrohet frikacakëve. Fuqishëm dënoj sulmin terrorist ndaj disa vendeve në Erbil”, ka shkruar Barzani në Twitter.

Nga ana tjetër, kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi tha në llogarinë e tij në rrjetet sociale se sulmi kishte në shënjestër sigurinë e njerëzve, duke shtuar se do të fillojnë hetimet për sulmin.

“Forcat tona të sigurisë do të hetojnë këtë sulm. Ne do t’u rezistojmë sulmeve që synojnë sigurinë e qyteteve tona dhe mirëqenien e popullit tonë”, ka thënë Kadhimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button