Danimarka do ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt NATO-s e BE-së

Marrëveshja ndërmjet Kosovës e Danimarkës për dhënien me qira të burgjeve për të burgosurit nga shteti danez pritet të finalizohet më së largu në maj. Në një konferencë të përbashkët me homologen e tij, Albulena Haxhiu, ministri danez i Drejtësisë tha se pas kësaj marrëveshjeje, përkrahja e shtetit danez për Kosovën do të jetë më e fuqishme, transmeton Koha.net.

Danimarka do ta mbështesë Kosovën gjatë procesit të liberalizimit të vizave, ashtu si edhe për anëtarësimin në Aleancën Veriatlantike e Bashkim Evropian, ka thënë të premten ministri danez i Drejtësisë, Nick Haekkerup.

Ministri Haekkerup ndodhet në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë. Ka ardhur për finalizimin e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve për të burgosurit nga Danimarka. Në një konferencë të përbashkët të tij me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ai ka dhënë zotimin për ndihmë në emër të shtetit të tij.

“Ne e kemi kontaktuar Kosovën, sepse kemi raporte të gjata me ta dhe kemi qenë ndër vendet e para që e kanë njohur Kosovën. Ndihemi më rahat me Kosovën. Ishte e natyrshme ta fuqizojmë bashkëpunimin tonë. Mendoj që një marrëveshje e tillë do të na mundësoje të jemi më të zëshëm sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën dhe çështjeve që lidhen me NATO-n e BE-në. Kjo marrëveshje do të na mundësojë që t’i mbrojmë interesat e Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë edhe aspektin e liberalizimit të vizave që e kuptoj që është një temë me shumë rëndësi dhe një temë që do ta diskutoj në Danimarkë gjithsesi”, ka thënë ai.

Pa përmendur ndonjë datë konkrete, por duke iu referuar majit si muajit më të largët për finalizimin e kësaj marrëveshjeje, ministrja Haxhiu i ka shpalosur hapat që janë hedhur për ujdinë që parasheh lëshimin me qira të 300 qelive për të burgosurit nga shteti danez.

“Qëllimi ynë i përbashkët është që kjo marrëveshje të finalizohet, siç e përmendi edhe ministri Haeckerup, shumë shpejt. Planifikojmë që një gjë e tillë të ndodhë në muajin që vjen, gjegjësisht, ose më së largu në muajin maj. Pra, ende nuk e kemi vendosur datën se kur do të finalizohet kjo marrëveshje dhe kur do të procedohet në kuvendet e të dyja vendeve. Prandaj, është e rëndësishme që të kuptohet që synimet tona janë që sa më parë kjo marrëveshje të finalizohet”, ka thënë ajo.

Sipas ministres Haxhiu, kjo marrëveshje do të mundësojë thellimin e reformave për drejtësi.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, ne dëshmojmë se jemi të hapur dhe duam të vazhdojmë thellimin e reformave, nga e cila Ministria e Drejtësisë është përfituese, por edhe shërbimi korrektues, që përfiton drejtpërdrejt nga investimet direkte dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të zbatimit të sanksioneve penale në Mbretërinë e Danimarkës”, ka deklaruar ministrja Haxhiu.

Haxhiu ka thënë më tutje se ujdia do ta forcojë bashkëpunimin me Mbretërinë e Danimarkës dhe do të dëshmojë se Republika e Kosovës është një partner serioz në botën demokratike.

Hapat e parë drejt kësaj marrëveshjeje ishin hedhur në dhjetor të 2021-tës, me nënshkrimin e një letër-qëllimi me homologët nga Danimarka. Sipas atij letër-qëllimi, Danimarka do t’i marrë me qira 300 qeli, ndërsa pritet që ato të jenë në burgun e Gjilanit. Marrëveshja do të vlejë për 10 vjet, ndërsa Kosova do të marrë 210 milionë euro.

Bazë solide për bashkëpunimet e radhës ndërmjet Kosovës e Danimarkës u quajt kjo marrëveshje gjatë takimit, mbrëmjen e së premtes, ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe ministrit danez të Drejtësisë. Si është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate, në takim është biseduar edhe mbi avancimin në procesin e miratimit në Kuvend të marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar gjithashtu progreset e arritura nga Kosova në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik.

“Ministri Hækkerup vlerësoi angazhimin e Republikës së Kosovës dhe konfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahje në fusha të ndryshme zhvillimore, projekte të ardhshme të mundshme, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, shkruhet në komunikatë.

Si shkruhet në këtë komunikatë, Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie të ngushta partneriteti, e cila do të vijojë të thellohet, në kuadër edhe të projekteve e bashkëpunimeve të ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button