fbpx

ANKETË: Të rinjtë në RMV përdorin transport publik sepse e kanë patjetër, ëndërrojnë të ngasin makinë (Inforgrafikë)

Popullariteti i transportit publik në vendin tonë është vazhdimisht në rënie, sidomos tek të rinjtë. Shumica e të rinjve janë përdorues të transportit publik për shkak të biletave falas, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Shumica prej tyre, nëse do të kishin mundësi ta bëjnë këtë, si mjet transporti në të ardhmen do të zgjidhnin menjëherë dhe sigurisht makinën, raporton Portalb.mk.

Vonesat apo ndonjëherë edhe mos ardhja e autobusëve në një stacion të caktuar për shkak të orareve të çrregulluara, niveli i ulët i higjienës, ndarja e studimeve në fakultete private dhe publike dhe ndjenja e mungesës së sigurisë janë disa nga arsyet kryesore që shkaktojnë pakënaqësi tek të rinjtë nga përdorimi i transportit publik.

“Meta.mk” erdhi deri te këto konkluzione pas anketës në temë shfrytëzimi i transportit publik tek të rinjtë, që e realizoi në bashkëpunim me “Studentaria” në periudhën prej 7 deri më 8 mars të këtij viti. Anketa përbëhej prej gjashtë pyetjeve në të cilat u përgjigjën afërsisht 5208 të anketuar, kryesisht të moshës 17 deri në 26 vjeç.

Sipas rezultateve, në pyetjen se sa shpesh e përdorin transportin publik periferik, 36,6% e të anketuarve janë përgjigjur se transportin publik e përdorin çdo ditë, ndërsa 21,6% kanë thënë se nuk e përdorin kurrë si opsion.

Në pyetjen “Sa jeni të kënaqur me transportin publik periferik që e përdorni në komunën tuaj?”, shumica, gjegjësisht 47,2 për qind janë përgjigjur se janë pjesërisht të kënaqur, ndërsa më pak se 10 për qind janë shprehur se janë plotësisht të kënaqur me transportin publik.

Pas realizimit të anketës, Meta.mk kontaktoi profesorin universitar për transport publik urban, Nikolla Krstanoski nga Fakulteti Teknik në Manastir për të kërkuar mendimin e tij profesional për rezultatet e anketës.

Ai thotë se në vendin tonë shumë pak kultivohet ndërgjegjësimi i të rinjve për përfitimet nga shfrytëzimi i transportit publik.

“Gjithsesi arsyeja kryesore është cilësia e ulët e shërbimit që e jep transporti urban publik në qytetet tona”, sqaron profesori Krstanoski për Meta.mk.

Rezultatet e anketës tregojnë se arsyet më të zakonshme të pakënaqësisë për shkak të të cilave të rinjtë nuk duan të përdorin ose nuk do të përdorin transportin publik të përditshëm si opsion, janë papastërtia e autobusëve ose furgonëve (27%), ndërsa afër kësaj 26,1% janë shprehur se shkak i pakënaqësisë është orari i keq dhe jo i rregullt.

“Përvojat në mbarë botën tregojnë se transporti publik mund të jetë një alternativë tërheqëse për lëvizjen në qytet vetëm nëse ofron shërbim cilësor të përshtatshëm për nevojat e banorëve të qytetit. “Përndryshe transportin publik të qytetit e përdorin vetëm ata që e kanë patjetër, gjegjësisht ata që nuk kanë zgjidhje”, sqaron prof. Dr. Nikolla Krstanoski lidhur me rezultatet e anketës për arsyet e pakënaqësisë së të rinjve nga përdorimi i transportit publik.

“Si femër, jam gjithmonë në rrezik të ngacmohem seksualisht në autobus”, tha një e re.

Ndryshe, studentët në vend kanë bileta që u mundësojnë të përdorin shërbimet e transportit publik në kryeqytet pa pagesë. Megjithatë, këtë të drejtë e gëzojnë vetëm studentët e regjistruar në ndonjë nga fakultetet e universiteteve shtetërore, ndërkohë që studentët të cilët studiojnë në ndonjë nga institucionet private të arsimit të lartë nuk kanë mundësi të marrin biletë falas të autobusit për linjat në qytet.

“Ato nuk janë gjithmonë të saktë, si dhe nuk i respektojnë rregullat dhe protokollet për kovid. “Edhe në autobusë edhe në stacione ka turma të mëdha të njerëzve”, tha një pjesëmarrës në anketë.

Në pyetjen “Nëse do të kishit mundësi të zgjidhni, cilin automjet do të vendosnit të përdorni më së shumti aktualisht?”, përqindje e madhe, prej 60 për qind, e të rinjve të anketuar kanë thanë se do të zgjidhnin makinë. Vijojnë biçikleta me 21,3 për qind, ndërsa transportin publik do ta përdornin vetëm 7.7 për qind e të anketuarve.

Pavarësisht përgjigjeve të tilla shqetësuese nga këndvështrimi i sotëm, përgjigjet për përzgjedhjen e të rinjve pas 10 vitesh janë edhe më negative. Në pyetjen “Cilën mjet transportues mendoni se do të vendosnit ta përdorni më së shumti në jetë, pas 10 vitesh?”, shumica e të anketuarve do të vendosnin të përdornin makinë – 81,4 për qind, ndërsa transportin publik si opsion në të ardhmen do ta përdornin më së shumti vetëm 2,3 për qind e të anketuarve.

Arsyet që autobusët vonohen ose nuk vijnë fare, si dhe mosrespektimi i rregullit për mbajtjen e maskës mbrojtëse, përsëriten në shumë nga komentet që i morëm nga të rinjtë në vend.

“Në Kumanovë tashmë disa muaj nuk ka transport, nuk mund të përzgjidhet një kompani në tender, ndërsa transportuesi i mëparshmi pasi filloi korona është me orar që iu përshtatet shoferëve, nëse sot duan të vozisin dhe do të vozisin, nesër jo”, komentoi një bashkëbisedues i ri.

Rezultatet që “Meta.mk” i ka nxjerrë nga anketa duken zhgënjyese sa i përket përdorimit të domosdoshëm të transportit publik. Sipas mendimit të të rinjve që paraqiten si përdoruesit më të shpeshtë të linjave të autobusëve qytet-periferi, si dhe mendimi profesional i prof. Dr. Nikolla Krstanoski, nevojiten ndryshime urgjente në sistemin e transportit publik në Maqedoni. Duke e rregulluar orarin që të funksionojë në kohë dhe më shpesh, duke e përmirësuar pastërtinë e autobusëve, si dhe duke i shtuar linjat të tjera të qytetit që do të funksionojnë në qytete, interesi për shfrytëzimin e shërbimeve të transportit publik ka potencial të rritet, e në këtë mënyrë edhe të përfitimi edhe ndërgjegjësimi i të rinjve për përfitimet e ndërtimit të një politike për një mjedis urban më të pastër dhe më të favorshëm.

Vazhdon nesër: Analiza profesionale e profesorit Nikolla Krstanoski: Pse të rinjtë nuk duan ta përdorin transportin publik?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button