RMV, qeveria kufizoi eksportet e disa drithërave, miellit, lulediellit dhe vajit të lulediellit – nuk ka nevojë për aktivizimin e rezervave të grurit

Sipas vendimit të qeverisë, në vend do të kufizohet eksporti i grurit, elbit, misrit, miellit të grurit, farave të lulediellit, si dhe vajrave të farave të lulediellit, ndërsa vendimi, siç thonë nga Qeveria, është parandalim për të “shmangur veprimet spekulative të tregtarëve dhe prodhuesve dhe për mbrojtjen e prodhimit vendas, të tregut vendas dhe të qytetarëve”, transmeton Portalb.mk.

Në sqarimin e këtij vendimi, Qeveria thekson se në vend ka sasi të mjaftueshme gruri dhe misri në mullinjtë privatë, të cilët janë të tjera nga rezervat e mallrave.

“Bëhet fjalë për sasi për mbulimin e nevojave të brendshme, gjegjësisht në mullinjtë e vendit ka mbi 50 mijë ton rezerva gruri, mbi 10 mijë ton misër dhe mbi 8 mijë tonë elb, që vjen si pasojë e rritjes së prodhimit vendor të grurit nga 195 mijë tonë në vitin 2017, në 253 mijë tonë në vitin 2021”, thuhet në njoftim.

Qeveria thekson gjithashtu se rezervat e mallrave të produkteve bazë, si gruri, misri, elbi, vaji i lulediellit, derivatet e naftës dhe produkteve të tjera janë në sasi të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje shtesë.

Ndërkohë, këshilltari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimkovski tha se për momentin nuk ka ndonjë shqetësim të madh në treg për shkak të të cilit nuk ka nevojë të aktivizohen rezervat shtetërore të grurit.

Siç theksoi ai, lëvizja e çmimeve monitorohet, por funksionon edhe në mënyrë dinamike nëpër dhomat e tregtisë.

“Nuk ka nevojë të aktivizohen rezervat, kemi mjaft grurë në mullinj dhe plani që po punojmë me odat në ditët në vijim do t’i dorëzohet qeverisë së Serbisë dhe në atë pjesë do të vazhdojmë bisedimet për furnizim të rregullt”, tha Dimkovski pasi ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi njoftoi se nga sot fillon ndalimi i eksportit të grurit, misrit, elbit, miellit dhe vajit.

Në përputhje me Vendimin, nga sot 11 mars, e deri më 20 mars, respektivisht në kohëzgjatje prej 10 ditëve ndalohet eksporti i produkteve si vijon:

  • grurë dhe thekër,
  • elb,
  • misër,
  • miell nga gruri dhe thekër,
  • farë luledielli,
  • vaj nga fara e lulediellit.

“Qeveria e merr këtë vendim për të kufizuar eksportet si masë paraprake, për të mos shkaktuar çrregullime të mëdha të tregut për shkak të vendimeve të kufizimit/ndalimit të eksporteve drejt vendeve të tjera të rajonit. Dua t’u bëj thirrje të gjithë faktorëve në ekonomisë se tani është koha e duhur për të treguar mirëkuptim dhe të kontribuojmë bashkërisht  në uljen e pasojave negative të krizës”, shtoi Bekteshi.

Dimkovski informoi se intensivisht janë duke u shqyrtuar edhe masa të tjera mbështetëse: 25 për qind subvencionim për plehra që janë kryesore në ushqimin e kulturave bujqësore, në radhë të parë për grurin dhe elbin, rritjen e përkrahjes për “naftën e gjelbër” nëse çmimi i benzinës vazhdon të rritet, ndërsa llogaritja do të bëhet në muajin prill, si dhe mbështetje financiare për ruajtjen e grurit për të cilin do të mbulohen shpenzimet e fermerëve.

“Aktualisht ka edhe 7000 hektarë tokë bujqësore shtetërore, të cilat së shpejti do të shpallen në konkur. Fermerët do të mund të aplikojnë, por me indikacion se toka duhet të jetë e destinuar për prodhimin e grurit dhe elbit, gjegjësisht për kulturat bujqësore”, tha Dimkovski.

Tashmë është diskutuar, shtoi ai, dhe për ndryshim të një modeli të caktuar te rezervat e mallrave.

“Kur flasim për shpengim të garantuar, flasim për prodhim me kontratë. Ne inkurajojmë prodhuesit dhe blerësit që të forcojnë marrëdhëniet mes tyre në këtë segment, për të qenë edhe më të fortë. Por në një ekonomi tregu nuk mund të gjesh çmim të garantuar. Ne monitorojmë çmimin e prodhimit dhe në bazë të tij ndërhyjmë për të ruajtur prodhimin tonë”, sqaroi këshilltari shtetëror në MBPEU.

Ky kufizim i eksporteve vjen si pasojë e krizës me të cilën përballen pothuajse të gjitha vendet e Evropës, për shkak të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button