RMV, problemi i pagave të ushtarëve drejt zgjidhjes, ministrja Petrovska dhe sindikata arritën marrëveshje

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska ka dhënë dritë jeshile që të zgjidhet problemi i pagesave të shtesave dhe punës jashtë orarit, për çka qindra ushtarë e kanë paditur Armatën e Maqedonisë së Veriut duke pretenduar se të njëjtat nuk u janë paguar në periudhën e kaluar. Sindikata thotë se është e kënaqur me marrëveshjen, por thekson se duhet të shihet si do të realizohet në praktikë, shkruan Portalb.mk.

“Në mbledhjen e cila është mbajtur më 4 mars me Sindikatë reprezentative të Mbrojtjes, ministrja e Sllavjanka Petrovska ka arritur pajtueshmëri me Sindikatën të fillojë pagesa e shtesave të pagave për punën e kryer nga 1 marsi”, thonë për Portalb.mk, nga Ministria e Mbrojtjes.

“Deri më tani jemi të kënaqur pasi që kjo nëse zgjidhet, ne do të zgjidhim një problem i cili është prej kur kanë ardhur ushtarët profesionistë. Por, do të shohim se si ajo do të shkojë në praktikë. Kjo nuk është vetëm në interes të sindikatës apo të punësuarve, por edhe në interes të shtetit, pasi që dëmtohet buxheti i shtetit. Pra të gjithë kemi qenë të dëmtuar, vetëm avokatët, vlerësuesit e përmbaruesit kanë fituar. Në vend se të shkojnë paratë nëpër avokatë e procedura gjyqësore, le të shkojnë te të punësuarit”, thotë për Portalb.mk, Vanço Isajov, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes (SPM).

Megjithatë, ekziston një çështje teknike e cila do të duhet të zgjidhet në periudhën e ardhshme duke e pasur parasysh që sipas Ligjit për Marrëdhënie Pune, nuk lejohet që të paguhet më shumë se 8 orë jashtë orarit të punës gjatë një jave dhe jo më shumë se 190 orë gjatë tërë vitit.

“Sistemi I DAP-it nuk lejon që të paguhen më shumë se 32 orë në muaj për punë jashtë orarit dhe këtu është problemi që besojmë se do të zgjidhet”, thotë Isajov.

Nga Ministria thonë se ministrja është e vendosur ta zgjidh çështjen.

“Ministrja Petrovska është e vendosur tërësisht që të zgjidhet çështja për pagesën e punës jashtë orarit e cila është hapur për shkak të aktgjykimeve të pabarabarta të vitit 2009 me aktgjykimet e vitit 2019-të, të cilat janë diametralisht të kundërta”, thonë nga Ministria.

Nëse do të fillojë pagesa e shtesave në rrogë, atëherë ushtarët më nuk do të kenë bazë për çfarë të padisin, por çfarë se çfarë do të ndodh me ata që deri më tani kanë paditur, Sindikata thotë se s’mund t’i detyrojnë t’i tërheqin paditë e bëra.

“As Ministria e as ne si sindikatë nuk mund t’i urdhërojmë ushtarët që t’i tërheqin paditë. Me fillimin e pagesës së shtesave, ushtarët më nuk do të kenë bazë për çfarë të padisin”, shtoi Isajov.

Ministrja Petrovska, mbrëmë në “Click Plus” ka folur për çështjen në fjalë dhe tha se për paditë shteti ka paguar shuma të mëdha financiare. Ajo tha se kur do të dalin me konferencë të veçantë për shtyp për t’u treguar qytetarëve se sa para janë dhënë. Gjithashtu ajo tha se do të shohin të gjejnë zgjidhje edhe për paditë e deritanishme.

Gjithsesi, Ministria dhe Sindikata do të vazhdojnë dialogun në periudhën e ardhshme.

Përndryshe, çështjen e padive të ushtarëve në lidhje me (mos)pagesën e shtesave në rrogë e ngriti Portalb.mk. 2 dhjetor të vitit 2021 informuam se qindra të punësuar në Armatën e Maqedonisë së Veriut, në mesin e të cilëve dhe ushtarë profesionistë, po e padisin shtetin pasi që pretendojnë se nuk u paguhen shtesat dhe angazhimi për punë gjatë natës. Ata këtë e kanë bërë duke u thirrur në Ligjin për Marrëdhënie Pune. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes pretendon se shtesat për punë gjatë natës u paguhen në bazë të Ligjit për MbrojtjeShërbim në Armatën e RMV-së dhe Marrëveshjen Kolektive për të Punësuarit në Mbrojtje. Sipas të dhënave të ministrisë, shteti i ka humbur 400 prej 2.000 lëndëve dhe u ka paguar të punësuarve rreth 125.000 euro. Sindikatat që konsultuam u kanë dhënë të drejtë ushtarëve.

Për më shumë lexoni storjen: Qindra ushtarë në RMV e padisin shtetin pasi pretendojnë se nuk u paguhet puna gjatë natës

LEXO edhe: Ministrja Petrovska në takim me Sindikatën do të ofrojë zgjidhje për “paditë e të punësuarve në Mbrojtje”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button