Për një hero letrar që flet me heshtje

Parë në tërësinë e saj, letërsia është rrëfim estetik i historive të trazuara të njerëzimit dhe fatit të individit brenda tyre. Ajo i vjel motivet nga shtati i historisë dhe i trajton në mënyrën e vet. Qoftë edhe shëtitja më e përciptë nëpër faqet e saj na bind se gjithë krijimtaria letrare me ngjarjet e vërteta apo hipotetike është e ngjyer me bojërat e historisë. Xhojsi e quajti këtë makth të gjatë, nga i cili arti nuk arriti të çlirohet kurrë. Prej këtij makthi japin kokë dhe pushtuesit e egër të së kaluarës, të transformuar në katallanë e bajlozë të zinj, mbretërit e lashtësisë me hujet dhe teket e tyre, perandorët dhe sulltanët e pashpirtë, diktatorët dhe gjeneralët e etur për gjak njerëzish të pafajshëm, despotët mikroskopikë të mëhallës, jeniçerët vëllavrasës, spiunët, legenët, boritë dhe aparatçikët e dëgjueshëm, të cilët zbatojnë verbtas urdhërat e padronëve dhe humnerosin ekzistencën e njeriut të thjeshtë. Nga galeria e madhe e temave dhe motiveve historike me heronjtë e sipërpërmendur nuk mund të jetë imune as letërsia shqipe, si pjesë pak e vonuar e letërsisë evropiane. Kjo lidhje e pashkëputshme e letërsisë me historinë është lakadredhur natyrshëm në të gjitha periudhat dhe në të gjitha veprat e artit, herë si e shkuar e parë përmes së tashmes, herë si e tashme e parë nga prizmi i së shkuarës; herë e maskuar brenda metaforave, herë e hapur dhe e drejtpërdrejtë, duke arritur kësisoj deri në letërsinë e ditëve tona, për të gjetur përfaqësuesin tipik në krijimtarinë e Luan Starovës, e cila, duke qenë ndryshe dhe e pakategorizueshme, brumin historik të Sagës ballkanike e ftallon nëpërmjet alegorishë e zonash të heshtura, që portretojnë regjimin stalinist dhe raportet përherë të tensionuara shqiptaro-sllave. Arsyeja pse është kaq diskret dhe i përmbajtur në dallim prej disa kolegëve shkrimtarë, duhet kërkuar në mënyrën karakteristike që zgjodhi për të pasqyruar të vërtetat e jetës reale, duke i letrarizuar ato në pajtim me mundësitë e pakontestueshme prej njohësi të teknikave bashkëkohore narrative, në kuadër të të cilave zë vend dhe fenomeni i të pathënave, rrëfimi alegorik e asociativ, parabola dhe mjetet tjera që kanë në disponim krijuesit e vërtetë të artit.

Temën e raporteve të njeriut me pushtetin, përkatësisht të grupit etnik të mbetur në mëshirën e popujve të frustruar “shumicë”, e kanë trajtuar shumë shkrimtarë shqiptarë të ish Jugosllavisë, si: Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ymer Shkreli, Murat Isaku, Nazmi Rrahmani, Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi…, të cilët, të gjendur nën trysninë e censorëve zhdanovistë jugosllavë, i bartnin shpesh ngjarjet në kohët e shkuara, duke identifikuar pushtuesit aktualë me pushtuesit e dikurshëm, kryesisht me sunduesit otomanë.

Natyrisht, pati dhe të tillë që guxuan të jenë më të drejtpërdrejtë dhe t’ia hedhin pushtetit si leckë fytyrës të vërtetën e shqiptarëve. Njëri prej tyre qe Rexhep Qosja me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, personazhi kryesor i të cilit (Xhezairi i Gjikës) ka pikëtakime me heroin e sagës ballkanike – Babain. Në të dy rastet kemi të bëjmë me pozitën e intelektualit krijues të gjendur nën pushtetin e diktaturës së egër staliniste, i pari (Xhezairi i Gjikës) i ndjekur dhe i persekutuar nga agjentët e UDB-së jugosllave, kurse i dyti (Babai), sado që nuk e përjetoi dhunën e drejtpërdrejtë fizike, ishte objekt i përhershëm i dhunës së padukshme psikike dhe dëshmitar i pazakontë i tmerreve që godisnin njerëzit përreth tij.

I gjendur përballë këtij sistemi të çartur, si intelektual që ishte në gjendje të skenojë thellë pushtetin e dhunshëm, trishtimi i kryepersonazhit të Starovës nuk është hiq më i vogël se ai i të dhunuarve fizikisht. Përkundrazi, ai është në pozitë të palakmueshme, ndoshta më të disfavorshme se cilido personazh viktimë e pushtetit, në romanin e krijuar jashtë trojeve të shtetit Amë, sepse, përveç përkatësisë etnike, të tillë e bën statusi prej emigranti dhe niveli intelektual, që mjaftonin si pretekste për ta shndërruar papritmas në hero tragjik, pavarësisht të dhënës se fati i tij duket disi i ndarë nga fati i bashkëkombasve autoktonë të vendit të ekzilit, i cili sugjerohet nëpërmjet të të pathënave.

Nobelisti Mario Vargas Llosa teknikën e heshtjes së disa të dhënave e lidh me faktet e fshehura, apo rrëfimet në mungesë. Sipas tij, ajo është e vjetër të paktën sa romani. Për zonat e heshtura fenomenologu gjerman Volfgang Izer-i përdor shprehjen vend bosh, filozofi e kritiku francez Jean Pouillon terr i fabulës, kurse Beckett-i çështjen në fjalë e sheh si domosdoshmëri në letërsinë kulminante, nga e cila nuk mund të iket, sepse: gjuha përbëhet nga heshtja kuptimplote, nga faktet e kondenzuara, të cilat jetësohen nga lexuesit mendjefemër e bashkautorë, pas aktit të thellë të leximit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button