Droni i prodhimit sovjetik u rrëzua në Zagreb nga drejtimi i Rumanisë

Qeveria ukrainase ka deklaruar se droni ushtarak që u përplas në një zonë të gjelbër në Zagreb të enjten rreth orës 23:00, nuk është i saj.

Kjo deklaratë u bë pasi Qeveria kroate e pyeti Qeverinë e Ukrainës nëse droni u përkiste atyre, transmeton REL.

Këshilltari i ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Markijan Lubkjivski, tha për portalin kroat Jutarnji.hr se droni që u rrëzua në Zagreb nuk është ukrainas. Ai bëri të ditur se lidhur me këtë pritet një deklaratë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës.

Qeveria kroate njoftoi të premten më 11 mars se, objekti, që u përplas në një zonë të gjelbër në Zagreb të enjten rreth orës 23, është një dron ushtarak i prodhimit sovjetik, i cili ka ardhur nga Rumania përmes Hungarisë në hapësirën e Kroacisë.

Droni u rrëzua në afërsi të konviktit të studentëve “Stjepan Radiq”, në pjesën jugore të Zagrebit. Nuk ka të lënduar, ndërsa janë dëmtuar disa makina.

Më vonë, në një konferencë për shtyp presidenti kroat, Zoran Milanoviq, ka thënë se ky dron ka fluturuar mbi Kroaci rreth 7 minuta. Ai ka deklaruar se ky është “incident serioz” dhe se si i tillë edhe po trajtohet.

“Vlerësojmë se ky [droni], nuk ishte i drejtuar kundër Kroacisë dhe se bëhet fjalë për një incident”, ka thënë ai duke shtuar se megjithatë do të hetohet ngjarja.

Milanoviq ka bërë të ditur se droni është i madhësisë së aeroplanit dhe se peshon rreth 6 tonë.

“Mua më së shumti më intereson si është e mundur që një dron jo i sofistikuar të kalojë afër një orë në hapësirën ajrore të shteteve të NATO-s dhe askush të mos e vërejë atë”, ka thënë Milanoviq.

Presidenti Milanoviq tha se droni ka ardhur nga hapësira e Ukrainës dhe se është rrëzuar në Zagreb kur i është shpenzuar karburanti.

I pyetur se nëse vërtetohet se bëhet fjalë për një dron rus nën kontrollin e ukrainasve, a do të bisedojë me ukrainasit, apo ambasadorin për këtë çështje, presidenti Milanoviq deklaroi:

“Mendoj se nuk ka nevojë. Atje është luftë dhe gjërat nuk janë nën kontroll. Për këtë askush nuk ëndërronte. Nuk ka të vdekur dhe të lënduar. Vetëm shpresoj që kjo më nuk do të ndodhë”.

Sipas të dhënave të deritashme, droni ka hyrë në hapësirën ajrore të Kroacisë, nga lindja në perëndim, pra nga hapësira ajrore hungareze me shpejtësi 700 kilometra në orë në lartësinë 1,300 metra, thuhej në deklaratën e Qeverisë së Kroacisë.

“Kam biseduar me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili më informoi se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore hungareze prej Rumanisë”, tha kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, i cili po merr pjesë në një takim të liderëve të BE-së në Versajë të Francës.

“Sipas asaj që kemi tani si informacion, është një dron i prodhimit rus, nuk dihet nëse ka qenë në pronësi të ushtrisë ruse apo ukrainase. Dihet që ka ardhur në Kroaci nga Hungaria, dhe në Hungari nga Rumania. Dihet që ka fluturuar disa minuta mbi Kroaci dhe u rrëzua në Zagreb”, u tha Plenkoviq gazetarëve.

Ai, po ashtu, tha se autoritetet në Kroaci e kanë kontaktuar Ukrainën nëse ajo ka informata se si ka ardhur ky dron deri në Zagreb.

Autoritetet kroate thanë se janë duke e hetuar këtë rast.

Dëshmitarët e cituar nga mediat kroate thanë se fillimisht dëgjuan një shpërthim të madh që tronditi tokën, më pas një erë të keqe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button