RMV, shteti larg detyrimit ligjor për financimin e gjyqësorit

Buxheti për pushtetin gjyqësor në vitin 2022 është rritur dhe shpenzimet bazë nga thesari i shtetit do të arrijnë në 2,18 miliardë denarë ose rreth 35,5 milionë euro, ndërsa me aktivitete vetëfinancuese dhe donacionet për gjyqësorin do të ketë në dispozicion rreth 37,7 milionë euro. Kjo është një rritje prej vetëm 2,5 milionë euro, duke marrë parasysh shpenzimet buxhetore, si dhe vetëfinancimin dhe donacionet, krahasuar me buxhetin e vitit 2021. Megjithatë, vendi akoma mbetet shumë larg detyrimit të tij ligjor për financimin e gjyqësorit me 0,8 për qind të PBB-së, transmeton Portalb.mk.

Nëse kihet parasysh se PBB-ja në vitin 2019 ishte rreth 11,3 miliardë euro, gjyqësori ka marrë tre herë më pak se detyrimi ligjor, gjegjësisht në atë vit është dashur të financohet me rreth 90,4 milionë euro.

Kuvend

Sipas dokumenteve për buxhetet e RMV-së për vitin 2020 dhe 2021, pushteti gjyqësor në vitin 2020 ka pasur 1,92 miliardë denarë ose 31,2 milionë euro, ndërsa për vitin 2021 janë caktuar 2,156 miliardë denarë ose 35,2 milionë euro, nëse merren parasysh edhe aktivitetet vetëfinancuese dhe rebalanci i buxhetit për vitin 2021. Por, ka dy gjëra që duhen pasur parasysh.

Së pari, në vitin 2020, pushteti gjyqësor pësoi dy herë shkurtime në financim, dhe kështu nga buxheti fillestar i miratuar prej 2.163 miliardë denarë ose rreth 35,2 milionë euro, në fund përfunduan me 1,9 miliardë denarë të miratuara ose 31,2 milionë euro.

Së dyti, dispozita ligjore për financimin në nivel vjetor prej 0,8 për qind të PBB-së është e vitit 2010, me një rritje graduale nga viti 2012, kur duhej të ishte 0,5 për qind, nuk u zbatua as 8 vite më vonë në vitin 2020! Këtë e thotë vetë Këshilli Gjyqësor Buxhetor në Raportin vjetor për vitin 2020.

Duhet pasur parasysh se pushteti gjyqësor ishte proaktiv në përpilimin e buxhetit, kështu që kërkoi të merrte 3,2 miliardë denarë për vitin 2020 ose rreth 52 milionë euro, mirëpo përfundoi me 31,3 milionë euro të ndara.

Foto: Pexels

Në vitin 2021, sipas rebalancit të buxhetit, pushtetit gjyqësorit i janë ndarë gjithsej 2,047 miliardë denarë ose rreth 33,2 milionë euro dhe së bashku me aktivitetet vetëfinancuese, ai ka pasur në dispozicion rreth 35 milionë euro.

Si për gjyqësorin ashtu edhe për sistemin e Prokurorisë Publike mund të nxirren konkluzionet (në fakt edhe vetë këto institucione i theksojnë ato në raporte) se buxhetet nuk janë zhvillimore, se tre të katërtat e buxhetit të Prokurorisë Publike dhe më shumë se dy të tretat e buxhetit të gjyqësorit janë shpenzuar për rroga, se nuk është e mundur të zbatohen reforma në të dyja fushat, që nënkupton edhe përmirësimin e hetimeve në Prokurorinë Publike dhe përmirësimin e pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësorit.

Nëse publiku mund të mendojë se bëhet fjalë vetëm për avancimin dhe zbatimin e qendrave të hetimit/policisë gjyqësore pranë Prokurorisë Publike apo procesin e digjitalizimit në drejtësi, do të ishte një përfundim i gabuar. Po të shikohen në detaje raportet nga këto institucione, do të shohim se janë vënë në pikëpyetje elementet bazë të funksionimit të përditshëm të prokurorive dhe gjykatave – që nga mungesa e letrës së shtypit, e deri te mbajtja e arkivës së lëndëve ekzistuese dhe të kompletuara si në prokurori ashtu edhe në gjykata. Vetëm si shembull se deri ku kanë shkuar gjërat, pushteti gjyqësor në raportin vjetor thekson se një nga problemet me të cilat përballen është edhe fasada e godinës së Gjykatës Supreme! E më shumë mund të shihet nga Analiza funksionale e gjykatave themelore në RMV e përgatitur nga Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike nga Shkupi, veçanërisht në pjesën “Gjetjet dhe përfundimet – kapacitetet hapësinore dhe kapacitetet teknike”.

Prandaj, është mirë që buxheti për vitin 2022 parasheh rritje të caktuara të mjeteve dhe për sistemin e prokurorive – për 20 për qind dhe për pushtetin gjyqësor – për 6 për qind, por ende qëndron konkluzioni se e gjithë kjo është e pamjaftueshme në krahasim me nevojat.

Ndërkohë ambasadorja amerikane në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Pavarësia e gjyqësorit përmes procesit të reformave – pritjet dhe realiteti”, kritikoi gjykatësit dhe deklaroi se opinioni vëren edhe vendet e zbrazta të punës për shumë vjet në gjykatat më të larta, që jep pasqyrën e jofunksionalitetit dhe zvarritjes së lëndëve me interes publik.

“Ju bëj thirrje që të bëni përparim në këto fusha që të mundësohet përmbushja e drejtësisë me kohë. Resurset e mjaftueshme publike, përfshi buxhetet gjyqësore dhe pagat e personelit, e nxisin pavarësinë dhe ndihmojnë që t’u kundërviheni ndikimeve të jashtme. Si gjykatës dhe si njerëz të rëndomtë, flisni zëshëm dhe kërkoni që të zbatohen ligjet në vendin tuaj”, deklaroi ambasadorja Bërns.

Në vitin 2021 shteti ka “investuar” në të gjithë sistemin e drejtësisë (pushtetin gjyqësor, prokurorinë publike, Avokaturën e Shtetit, ekspertizat gjyqësore, Gjykatën Kushtetuese…) rreth 56,5 milionë euro. Këtu bëhet fjalë për mjete të ndara, dhe vetëm në pranverë të vitit 2022, kur do të jenë gati raportet e reja të gjyqësorit dhe prokurorisë dhe të institucioneve të tjera, do të shihet se sa nga këto mjete të ndara janë realizuar deri më 31.12.2021. Për vitin 2022, në buxhetin e përgjithshëm për gjyqësorin janë planifikuar pak më shumë se 61 milionë euro.

Në këto konkluzione ka ardhur raporti Metamorfozis “Ndjekja e procesit eurointegrues: Reformat në drejtësi”, për situatën aktuale në këtë fushë. Por edhr Prokuroria përballet me të njëjtin problem. Buxhet i pamjaftueshëm dhe jo sipas detyrimit ligjor. Problem që trashëgohet vit pas viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button