Nuk kaloi propozimi për rritje të pagës minimale në Kosovë

Ka dështuar të miratohet propozimi për pagë minimale në vlerë prej 264 euro në muaj, ka njoftuar ministri i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, raporton REL. Ai ka shkruar në Facebook se Këshilli Ekonomik Social ka propozuar pagë minimale prej 240 eurosh në muaj, ndërsa Qeveria ka propozuar 1.5 euro për orë, apo 264 euro në muaj.

Ministri Murati tha se nuk është mbështetur nga përfaqësuesit e sindikatave.

“Kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim dhe nuk mund të shpjegohet meqenëse asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale, për shkak se pagat e tyre janë dukshëm mbi nivelin e pagës minimale. Krejt çka arrihet me këtë mos-votim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”, ka thënë Murati.

Me Ligjin e Punës në Kosovë, ky Këshill propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, çka më pas kalon për miratim te Qeveria.

Kryeministri Albin Kurti katër muaj më parë ka premtuar rritjen e pagës minimale në 250 euro. Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011. Vlera e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Ajo është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button