Kundërspin: Përkundër deklaratave të Bujar Osmanit, MPJ është furnizuar me derivate ruse një ditë para luftës në Ukrainë

Ministri i jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani, më 7 mars në TV21 u pajtua me deklaratën e homologut të tij në Ukrainë se “nafta ruse është gjaku i Ukrainës” duke shtuar se „blerja e gazit rus financon ushtrinë ruse”. Megjithatë, edhe pse ai ka qenë i informuar për ditën e saktë të pushtimit rus në Ukrainë, ministria me të cilën ai udhëheq vetëm një ditë para pushtimit kishte blerë derivate nga një kompani ruse në vend, gjegjësisht nga “LukOil”, shkruan Portalb.mk.

SPIN: Në emisionin “Click Plus” TV21, ministri për punë të jashmte Bujar Osmani  tha se blerja në kompanitë ruse financon ushtrinë ruse.

“Unë mendoj se Rusia, Federata Ruse kryesisht financohet nëpërmjet burimeve të energjisë. Të ardhurat dominante të Federatës ruse janë nga gazi, nafta, burimet energjetike. Sigurisht që blerja e tyre financon ushtrinë ruse, aty nuk ka dilemë”, theksoi Osmani.

Ai potencoi se shqyrtohen mundësitë e bllokimit të çdo ndihme indirekte apo direkte nga RMV për federatën ruse.

(Burimi: TV21/Facebook) – Data: 07.03.2022

KUNDËRSPIN: Deklaratat e ministrit Osmani nuk janë në përputhje me veprimet e Ministrisë

Problemi me deklarimet e tilla qëndron në faktin se Osmani ka qenë i informuar për „ditën dhe orën e saktë” të pushtimit rus në Ukrainë dhe kjo nuk e ka ndaluar atë dhe ministrinë nën udhëheqje të tij të blejë derivate nga një kompani ruse, vepër që sipas tij, është financim i drejtpërdrejt për ushtrinë ruse.

“Ne e kemi ditur me javë të tëra datën, në ditët e fundit e kemi ditur edhe orën e saktë të invazionit rus në Ukrainë”, tha mes tjerash Osmani.

Hera e fundit kur Ministria për Punë të Jashtme ka blerë derivate nga kompania ruse “LukOil” ka qenë vetëm një ditë para pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë, gjegjësisht më datë 23.02.2022.

Kjo vepër nuk përputhet me atë që flet Osmani, i cili duke e ditur këtë të dhënë shumë të rëndësishme ka autorizuar blerjen e naftës, dhe nëse i përdorim fjalët me të cilat bën spin ai, atëherë i bie që Ministria e Punëve të Jashmte ka financuar ushtrinë ruse të nisë pushtimin në Ukrainë.

Janë kundërthënëse deklarimet e tij se “nafta ruse është gjaku i Ukrainës”, përderisa atë “gjak” e mundëson të rrjedhë mes tjerëve dhe vet institucioni me të cilin ai udhëheq duke dhënë para për kompani ruse.

Nëse vendi ynë, sipas tij “konsideron mundësitë e bllokimit të çdo ndihme indirekte apo direkte nga RMV për federatën ruse.” atëherë blerja e naftës nga “LukOil” është e kundërta e këtij deklarimi.

Ministria me të cilën udhëheq Bujar Osmani, disa herë ka blerë naftë nga një kompani ruse në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht “LukOil”. Sa për informatë, sipas të dhënave që i siguroi Portalb.mk nga platforma „Open-Finances”, rezulton që vetëm gjatë muajit shkurt, Ministria për Punë të Jashtme nga kompania “LukOil” ka blerë naftë për gjithsej 165.157 denarë apo 2.678 euro.

Të dhënat e Open Finance

Ndryshe, në lidhje me këto deklarata kanë reaguar edhe partitë opozitare shqiptare, për kreun e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, Osmani është një nga financuesit e Rusisë ndërkaq Arianit Hoxha nga Lëvizja BESA kishte theksuar se Bujar Osmani „ndryshe flet e ndryshe vepron”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button