Tetovë, nuk ka filluar të zbatohet ende plani për trajtimin e qenve endacak i publikuar para një muaji

Edhe pse po kalojnë gati tre muajt e parë të vitit 2022, Komuna e Tetovës ende nuk ka filluar me zbatimin e programit për trajtimin e qenve endacak për këtë vit. Prezenca e qenve endacak në rrugët e Tetovës vazhdon të përbëjë kërcënim të sigurisë në rrugë dhe frikë për shumë qytetarë. Nga fillimi i këtij viti deri me 9 mars në SPB Tetovë u raportuan 16 raste të kafshimit nga qentë endacak, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse muajin e kaluar Komuna e Tetovës e publikoi planin për zgjidhjen e problemit me qentë endacak për vitin 2022, i njëjti vazhdon të mbetet vetëm në letër pasi nuk ka filluar të aplikohet në terren ende.

“Tani për tani po bëhen përgatitjet dhe në momentin kur do të fillojë të implementohet do të informoheni paraprakisht”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Komuna deri më tani nuk ka hapur as tender për këtë pasi në ueb-faqen e internetit për prokurime publike nuk figuron diçka e tillë. Qytetarët do të duhet të presin deri sa Komuna të fillojë me implementimin e këtij plani pasi i njëjti do të merr kohë, të hapet tender, pastaj të zgjidhet kompania e cila do të kryejë punët.

Kur jemi te faqet elektronike, në atë të open-finance, për këtë vit konkretisht me 21 shkurt ka lëshuar 213,667 denarë në llogarinë e veterinarisë “Dog and Cat”.

Komuna e Tetovës thotë se këto mjete janë lëshuar si pagesë të borxhit të prapambetur nga udhëheqësia e kaluar.

Ndërkaq të njëjtën e konfirmoi edhe pronari dhe veterineri i “Dog and Cat”, Rami Selmani i cili thotë se kanë qenë borxh i mëparshëm.

“Komuna ka rreth pesë milion denarë borxh prej viteve të mëparshme”, njoftoi Selmani.

Qen endacak në Tetovë, foto nga Portalb.mk
Qen endacak në Tetovë, foto nga Portalb.mk

Nga ana tjetër rastet kur qentë endacak sulmojnë dhe kafshojnë qytetarët janë të shpeshta, vetëm nga 1 janari i këtij viti deri me 9 mars në SPB Tetovë u raportuan 16 raste ku qytetarët kanë qenë të kafshuar nga qentë endacak. Ndërsa për vitin 2021 sipas SPB Tetovë, në Tetovë ka pasur 66 denoncime. Por marrë parasysh që jo të gjithë i denoncojnë këto raste, numri është më i lartë.

Për sa i përket këtij viti, jemi në pritje të shifrave nga SPB Tetovë.

Në vitin 2022 Komuna e Tetovës parasheh kapjen dhe trajtimin e rreth 20 kafshëve në muaj, përkatësisht rreth 240 në vit. Trajtimi veteriner i kafshëve do të realizohet nëpërmjet mjekut të mjekësisë veterinere.

Planin e plotë për zgjidhjen e problemit me qentë endacak në Tetovë për vitin 2022 e gjeni KËTU.

Mjetet financiare të ndara nga Komuna e Tetovës për këtë problematikë janë më pak se vitin e kaluar, gjegjësisht për këtë vit komuna ka ndarë 2 milionë denarë, ndërsa vitin e kaluar kishte të ndara 3.5 milionë denarë. Rikujtojmë që në shtator, qentë endacak sulmuan rëndë dhe bënë për spital katërvjeçarin nga Reçica e Vogël i cili ishte duke lozur para derës së shtëpisë së tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button