fbpx

Rusi – Ukrainë, pa marrëveshje për korridore humanitare dhe armëpushim

Takimi ndërmjet ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba, në Ankara të Turqisë, ka përfunduar pa një marrëveshje sa i takon korridoreve humanitare, si dhe armëpushimit, transmeton REL.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha në një konferencë për media pas takimit se ka kërkuar hapjen e një korridori humanitar, përmes së cilit do të largoheshin civilët nga qyteti i Mariupolit, por, sipas tij, “fatkeqësisht ministri Lavrov nuk ishte në pozitë që të zotohej për këtë”.

Kuleba tha se u kërkua një armëpushim 24 orësh me qëllim “të zgjidhjes së çështjeve më urgjente humanitare”.

Ministri ukrainas bëri të ditur se nuk është arritur ndonjë përparim për këtë çështje pasi, siç tha ai, “duket se ka vendimmarrës të tjerë për këtë çështje në Rusi”.

Mes tjerash, Kuleba tha se ata ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet për të kërkuar një zgjidhje për çështjet humanitare dhe shtoi se ai është i gatshëm të takohet përsëri në këtë format nëse ka gatishmëri për diskutim thelbësor dhe kërkim të zgjidhjeve.

“Dua ta përsëris se Ukraina nuk do që të dorëzohet dhe nuk do të dorëzohet”, tha ai.

Lavrov: Perëndimi po vepron në mënyrë të rrezikshme

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Lavrov, pas takimit pati kritika të shumta për Perëndimin duke thënë se po vepron në mënyrë të rrezikshme me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe me rastin e armatosjes së Ukrainës.

Lavrov, mes tjerash, akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për siç tha ai, përdorimin e territorit të Ukrainës, për të zhvilluar patogjenë që mund të përdoren për të krijuar armë biologjike, një pretendim ky që SHBA-ja e ka quajtur si të “çmendur”.

Lavrov tha se nuk beson se përplasja e Rusisë me Perëndimin për Ukrainën do të çonte në luftë bërthamore.

“Unë nuk dua të besoj dhe nuk besoj se një luftë bërthamore mund të fillojë”, tha ai.

Ministri i Jashtëm rus tha se Rusia shpreh gatishmëri për të vazhduar diskutimet me Ukrainën.

“Takimi i sotëm konfirmon se formati i takimeve Rusi – Ukrainë në Bjellorusi nuk ka alternativë tjetër”, deklaroi Lavrov.

Takimi që filloi mëngjesin e së enjtes, është ndërmjetësuar nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, ky është takimi i parë i ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba.

Takimi pason një ditë të gjatë të luftimeve në Ukrainë, ku si pasojë e bombardimit të një materniteti dhe klinike të fëmijëve, u vranë tre persona ndërsa u plagosën 17 të tjerë.

Autoritetet e Mariupolit njoftuan se në mesin e viktimave ishte një fëmijë.

Rusia e filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Që nga ajo kohë kanë humbur jetën qindra njerëz.

Pavarësisht sanksioneve ndaj Rusisë, kjo e fundit nuk është duke u zmbrapsur dhe po vazhdon aksionin e saj ushtarak brenda territorit të Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button