Mbi forcën dhe drejtësinë

Lufta në Ukrainë po hyn në javën e tretë. Humbje të mëdha në jetë njerëzish dhe dëme të mëdha materiale po përjeton një shtet që pa asnjë provokim u gjend në mes të zjarrit nga një autokrat që ka humbur kontrollin dhe po bën kërdinë. Ky autokrat dje sapo “denacifikoi” një spital akusherik, ku lindin fëmijë. Spitali u shkatërrua tërësisht nën peshën e bombave. Ky është shembull shkollor i krimeve të luftës për të cilat ekziston përgjegjësi mirë e definuar në aspektin ndërkombëtar penal.

Ajo që po ndodh është shembull eklatant i forcës që sundon mbi drejtësinë. Putini sillet si ai adoleshenti arrogant dhe i dhunshëm që i sulmon fizikisht pa asnjë arsye nxënësit më të vegjël, gjithmonë pa të drejtë. Nëse drejtoria e shkollës nuk reagon në kohë, bully-t e dhunshëm bëjnë kërdinë dhe ua gërdisin jetën nxënësve paqësorë. Bully-t nuk duhen lejuar të udhëheqin në një shkollë.

Bully-t nuk guxojnë të kalojnë pa u dënuar as në aspekt ndërkombëtar. Bulizmi i Putinit ndaj Ukrainës nuk ka filluar tani, por që në fund të vitit 2013, kur ai padrejtësisht dhe me forcë e aneksoi Krimenë. Që atëherë, Ukraina ngriti kërkesë deri te Gjykata Ndërkombëtare Penale për ta shikuar këtë rast në aspekt të krimit të agresionit për gjykimin e së cilit është kompetente pikërisht kjo gjykatë. Që atëherë e deri tani, ky rast ishte nën hetim nga ana e kësaj gjykate. Pra për plot 8 vjet Gjykata hulumtoi, shqyrtoi dhe analizoi dhe assesi nuk bëri përpara me këtë hetim. Plot 8 vjet drejtësia ndërkombëtare penale e injoroi këtë rast eklatant të agresionit që ndodhi në territor Evropian. Ishte shumë e zënë gjykata duke hetuar e vendosur përgjegjësi për raste tjera në Afrikë e gjetiu, por për të vendosur një përgjegjësi të tillë për krime ndërkombëtare në territor evropian, thjeshtë nuk kishte kohë!?

Tani dëgjojmë që kjo gjykatë do ti rihapë hetimet për Ukrainën dhe do të vazhdojë të shqyrtojë, analizojë dhe hulumtojë se a ka krime ndërkombëtare në Ukrainë apo jo. Epo kështu e ka kjo punë, kur nuk e ndaloni një të keqe me kohë, ajo vazhdon të metastazojë dhe të dëmtojë çdo vit më shumë deri sa të arrijë ta shkatërrojë tërësisht një organizëm. Kështu ka ndodhur edhe me përgjegjësinë penale ndërkombëtare e cila nuk ka arritur të vendoset pas Luftës së parë botërore, dhe prandaj dëmet në Luftën e dytë botërore kanë qenë shumëfish më të mëdha. Sepse kur nuk e ndaloni bully-n në kohë, ai vetëm merr krah dhe inkurajim për tu bërë një bully më i keq.

Në raportet ndërkombëtare duhet të mbisundojë drejtësia. Por aty de facto mbisundon forca. Deri sa shtetet e mëdha do ta pranojnë këtë realitet si të qenë dhe gjithmonë do të anojnë nga forca dhe jo nga drejtësia, situatat e padrejta dhe absurde do të vazhdojnë të lulëzojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button