Artisti Alkent Pozhegu: Qëllimi i mozaikut të Zelenskit ishte të përcjell një mesazh paqeje (VIDEO)

Përderisa e gjithë bota e ka fokusin te agresioni rus ndaj Ukrainës, artisti Alkent Pozhegu tërhoqi vëmendjen e medieve botërore me mozaikun e presidentit Volodimir Zelenski. Arti i tij dallon nga të tjerët dhe është i veçant, pasi që mozaiqet i punon nga drithërat dhe farat. Alkenti është nga Gjakova e Republikës së Kosovës dhe me profesion është gastronom. Artin e ka të trashëguar nga familja e tij dhe ai është munduar që ta ruajë gjatë gjithë jetës,  shkruan Portalb.mk.

Gjithçka nisi para 15 vitesh me artin e frutave, ku Alkenti e provoi veten të garojë për të hyrë në Librin Guinness, por, rekordi nuk u pranua. Më pas ai provoi veten në artin e mozaikëve, ku arriti të thyej tre rekorde Guinness me portrete të Donald Trampit, Rita Orës dhe ai i Messit me Kristiano Ronaldon.

Të gjitha veprat e Alkentit janë në përmasa tejet të mëdha dhe të punuara me drithëra dhe fara. Rekordin e parë Guinness e theu në vitin 2014 me portretet e Messit dhe Kristiano Ronaldos, në vitin 2017 theu rekord me portretin e Rita Orës e cila ishte 300 m2 dhe duke vijuar në vitin 2019 me përmasa 500 m2 me portretin e Donlad Trampit. Të gjitha këto projekte, Alkentit i kanë marrë kohë dy deri në tre vjet për t’u përgatitur.

This slideshow requires JavaScript.

Punimet e tij kanë arritur të shkojnë edhe në veshin e artistëve të cilët i ka punuar. Ai tregoi historinë me Rita Orën, kur gjatë punimit të mozaikut, Alkenti ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me babain e saj dhe ai ia ka përcjell ecurinë e punës edhe Ritës. Në fund, Alkenti vendosi që medaljen e Guinness-it t’ia dërgojë Rita Orës për dhuratë. Një rast tjetër ishte edhe me Donald Trampin, kur vajza e tij e publikoi mozaikun nëpër rrjetet sociale.

“Për të qenë pjesë e Guinness-it duhet që ta shfaq idenë te ata, më pas nisim komunikimin për disa muaj ose vite dhe kur ta marr dritën e gjelbër nga Libri Guinness, ma dërgojnë projektin, ku unë duhet ta zbërthej. Më pas, në ditën finale duhet t’i zbatoj të gjitha detyrat që më kërkohen në projekt. Për ditën finale punojmë me ekipin 10-12 orë dhe më pas e dërgoj projektin për verifikim.” tha Alkent Pozhegu.

Ndërsa, sa i përket punimit të tij të fundit të presidentit Volodimir Zelenski, qëllimi i Alkentit ishte të përcjellë një mesazh paqeje. Në mozaik u përdorën kokrra të misrit të bardhë, të kuq dhe portokalli, grurë, oriz, farë luledielli dhe fasule. Të gjitha këto kanë peshuar rreth 100 kg dhe përmasat kanë qenë 3/2,5 metra. Për ta realizuar këtë mozaik, Alkenti punoi rreth një javë.

Në muajin mars Alkenti planifikon që ta hapë ekspozitën e tij në Prishtinë, në Muzeun e Kosovës. Kurse kur u pyet se a planifikon të garojë përsëri në një prej garave të Guinness-it, ai tha që po!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button