Shefja e diplomacisë gjermane: Nuk do ta lëmë Ballkanin Perëndimor nën ndikimin e Rusisë

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është një moment historik që tregon qartë se Evropa duhet të jetë e gatshme të investojë strategjikisht në sigurinë e saj afatgjatë, veçanërisht në marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock përpara vizitës në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë dhe më pas në Moldavi, transmeton Portalb.mk.

Në deklaratë, ajo theksoi se paqja e sotme në Ballkanin Perëndimor mund të mos jetë e përsosur, por është e çmuar.

“Duhet të themi hapur se vitet e fundit kemi zhgënjyer dhe lënë pas dore shumë prej atyre vendeve. Aktorë si Rusia po shtyjnë në këtë anë të hapur, të cilët nuk kanë interes për të ardhmen e Evropës dhe nuk hezitojnë të rindezin konfliktet e pazgjidhura. Tani po udhëtoj kryesisht në Ballkanin Perëndimor për të dëgjuar se çfarë presin njerëzit atje prej nesh tani, por edhe për t’u shpjeguar atyre se ne nuk do ta lëmë atë rajon në zemër të Evropës nën ndikimin e Moskës”, tha Baerbock.

Ajo thekson se Evropa ditëve të fundit ka treguar se është efektive dhe e vendosur për të kundërshtuar veprimet agresive të presidentit rus. Tani, konsideron ajo, është e nevojshme që Evropa të tregojë se është e gatshme me të njëjtën energji të angazhohet në mënyrë kreative dhe të orientuar drejt së ardhmes në vendet e fqinjësisë evropiane.

“Njerëzit në rajon do të na masin sipas asaj nëse fjalët tona pasohen me vepra. Gjermania ka interes thelbësor për një Ballkan Perëndimor stabil dhe me prosperitet ekonomik, vendet e të cilit janë të orientuara drejt Evropës. Ne do të angazhohemi për këtë në bisedimet e ardhshme politike, si dhe në investimet strategjike, veçanërisht në burimet e rinovueshme të energjisë”, tha shefja e diplomacisë gjermane.

Rusia pushtimin në Ukrainë e filloi më 24 shkurt. Shpërthime u dëgjuan herët të mërkurën pranë kryeqytetit ukrainas të Kievit, presidenti ukrainas Volodimir Zelenskyy tha se Rusia kishte kryer sulme në infrastrukturën ushtarake dhe mbi rojet kufitare në rajonin e Donbas. Ai e ftoi popullatën që ta mbështesë ushtrinë e cila po lufton me forcat ruse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button