Tiranë: Qytetarët protestojnë kundër rritjes së çmimeve

Disa qindra qytetarë protestuan të mërkurën para Kryeministrisë në Tiranë duke kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri.

Qytetarë, aktivistë e artistë u mblodhën në sheshin Dëshmorët e Kombit, duke kërkuar jetë më të mirë dhe duke thënë se me çmimet që janë sot, nuk do t’ia dalin të jetojnë një jetë normale.

Atyre iu bashkuan edhe fermerët e blegtorët të cilët thanë se përveç naftës, çmimet e plehrave kimike dhe inputeve bujqësore janë bërë të papërballueshme për ta, transmeton REL.

“Ne rrogën para se ta marrim na shkon në shpenzime. Na mjeruan”, tha një qytetare.

“Ai [kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama] tha se do ta kalojmë krizën bashkë. Si bashkë? Krizën po e kalojmë ne qytetarët e thjesht”, tha një protestues tjetër.

Dhjetëra protestues, që ende po protestojnë, kanë bllokuar rrugët kyçe të Tiranës për të mos lejuar makinat të lëvizin, teksa kanë brohoritur “fike makinën”.

Forca të shtuara të policisë dolën në rrugë dhe krijuan kordonë në përpjekje për të liruar rrugët. Protesta deri tani po zhvillohet e qetë.

Çmimet e naftës në Shqipëri kanë shënuar rritje të hovshme brenda natës, duke arritur të mërkurën në nivel rekord prej 260 lekësh (2.03 euro) për litër nga 230 lekë për litër (1.80 euro) një ditë më herët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button