Keq-menaxhimi institucional me peshkimin dëmton ekonominë dhe ekologjinë e RMV-së, kritikon dhe BE-ja

Keq-menaxhimi institucional në fushën e peshkimit ka bërë që në Maqedoninë e Veriut të merr hov peshkimi ilegal dhe masakrimi i botës endemike nënujore. Një sërë kritikash në këtë drejtim vendi mori edhe në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian. Kapitulli 13 kërkon nga Maqedonia e Veriut që sa më shpejtë të bëhet harmonizimi i kuadrit ligjorë nacional me Politikën e Përbashkët të Peshkimit të BE-së, më konkretisht vetëm me pjesën e rregullave që aplikohen në peshkimin liqenor dhe në lumenj, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse Maqedonia e Veriut nuk karakterizohet me një sipërfaqe të madhe ujore, peshkimi në liqenet dhe lumenjtë e vendit tonë është një fushë veprimi mjaftë me peshë. Përderisa ka një numër të madh qytetarësh që peshkimin e praktikojnë si sport rekreativ i lartë është edhe numri i atyre që jetesën dhe ekzistencën familjare e sigurojnë falë peshkimit. Keq-menaxhimi në këtë fushë veprimi është në dëm të ekonomisë së vendit por mbi të gjitha edhe në dëm të botës endemike ujore dhe natyrës në përgjithësi.

Liqeni i Ohrit / Foto: Shefkije Alasani

BE me disa rekomandime për kuadrin ligjor të RMV-së në fushën e peshkimit

Përshtatja e kuadrit ligjor kombëtar me Politikën e Përbashkët të Peshkimit të BE-së, është një ndër kushtet që vendi jonë duhet të përmbush në rrugën drejt integrimit në familjen evropiane. Në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian u vlerësua se Maqedonia e Veriut nuk është duke ecur në ritmin e duhur për sa i përket kësaj fushe veprimi.

“Kapacitetet administrative për menaxhimin e burimeve dhe flotës, inspektimet dhe kontrolli i politikës së peshkimit mbeten të pamjaftueshme. Kapacitetet për të kontrolluar peshkimin ilegal, të paraportuar dhe të parregulluar në përputhje me kërkesat e BE-së duhet të përmirësohen. Maqedonia e Veriut ende duhet të forcojë formulimin, zbatimin dhe kapacitetet e saj të politikave. Koordinimi i përgjithshëm, duke përfshirë edhe autoritetet mjedisore, në lidhje me mbrojtjen e biodiversitetit, duhet të përmirësohet”, theksohet në Raport.

Sa i përket faktit se në fushën e peshkimit nuk ka mjaftueshëm kontrolle dhe inspektime nga Inspektorati Shtetëror për Bujqësi (ISHB) shprehen se Kapitulli 13 i Raportit të Progresit i referohet vetëm një pjese të vogël të kompetencave të këtij institucioni dhe se në masë më të madhe i referohet institucioneve tjera. Nga ISHP pohojnë se ka pak inspektorë që punojnë në këtë drejtim por shprehen optimist për përmirësimin e situatës.

“Numri i pamjaftueshëm i inspektorëve për kontrollin në peshkim nuk është vërejtje kryesore por konkluzion dhe nuk varet nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë por nga politika e punësimit, pra plotësimi i vendeve të punës gjatë daljeve natyrore të inspektorëve. Megjithatë theksojmë se RMV, si një vend i vogël, mund të mos ketë aktualisht një numër të madh të inspektorëve që punojnë në këtë fushë. Gjithashtu theksojmë se ka nisur një procedurë për plotësimin e 9 inspektorëve, disa prej të cilëve do të punojnë në këtë fushë. Natyrisht, në përputhje me proceset e ecurisë së vendit drejt BE-së, e sidomos pas fillimit të negociatave, situata do të përmirësohet, deklaroi për Portalb.mk Zoran Shapuriq, drejtor i ISHB.

Nga ISHB thonë se përballen me sukses me fenomenin e peshkimit ilegal pasi mungesën e inspektorëve në këtë fushë e mbulojnë me inspektorë bujqësor.

Numri i pamjaftueshëm i inspektorëve nuk sjell ndërprerjen e punës në këtë fushë, sepse edhe në këtë fushë janë angazhuar inspektorë bujqësor për të mbikëqyrur, një praktikë e pranishme prej shumë vitesh. Pra, numri i pamjaftueshëm i inspektorëve të peshkimit, plotësohet nga inspektorë të tjerë shtetërorë të bujqësisë të vendosur në sektorë të tjerë kur ka nevojë dhe në çdo kohë për të ndalur peshkimin ilegal, kështu që pavarësisht kësaj mangësie, ne përballemi me sukses me peshkimin ilegal”, shtoi Zoran Shapuriq.

Sa i përket pjesës së kuadrit ligjor, drejtori i ISHP-së thotë se miratimi i akteve ligjore dhe nënligjore në këtë fushë nuk është përgjegjësi e Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë.

“Nëse jemi të përfshirë nga institucionet, sigurisht që japim kontributin dhe pjesëmarrjen tonë aktive. Posaçërisht theksojmë se është duke u përgatitur versioni i punës i Ligjit të ri për peshkim dhe akuakulturë dhe me vendim të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është formuar grupi punues, ku marrin pjesë edhe përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi,” tha Zoran Shapuriq.

Megjithatë, Raporti thekson faktin se gjatë periudhës raportuese vendi nuk ka bërë aspak progres duke shtuar se masat strukturore rezultuan të pamjaftueshme për zhvillimin e akuakulturës dhe restaurimin e fondeve të peshkut. Sistemi i mbledhjes së të dhënave për peshkimin dhe akuakulturën duhet të zhvillohet më tej në përputhje me acquis të BE-së. Janë ndërmarrë hapa përgatitor për harmonizimin e politikës së tregut dhe ndihmës shtetërore. Maqedonia e Veriut, madje nuk ka bërë asnjë përpjekje për përafrimin i Rregullores së BE-së për Ngjalën.

Raporti rekomandon që vendi në veçanti të punojë mbi tre pika kryesore:

  1. Përafrimi i ligjit për peshkimin dhe akuakulturën me acquis të BE-së në fushën e politikave të tregut, masave strukturore dhe ndihmës shtetërore;
  2. Përmirësimi i sistemit të mbledhjes së të dhënave dhe raportimit
  3. Vendosja e një programi shumëvjeçar të masave strukturore

Politika e përbashkët e BE-së në fushën e peshkimit përcakton rregulla për menaxhimin e peshkimit, mbron burimet e gjalla të detit dhe kufizon ndikimin mjedisor të peshkimit. Kjo përfshin përcaktimin e kuotave të kapjes, menaxhimin e kapacitetit të flotës, rregullat për tregjet dhe akuakulturën dhe mbështetjen për peshkimin dhe komunitetet bregdetare. Meqenëse, Maqedonia e Veriut ka vetëm peshkim të brendshëm në liqene dhe akuakulturë, një pjesë e madhe e acquis të BE-së për peshkimin nuk është e zbatueshme.

Liqeni i Ohrit/ Foto: Shefkije Alasani

Ekspertët kërkojnë mbrojtje të veçantë të specieve të rrezikuara në Liqenin e Ohrit

Studimet e shkencëtareve të ndryshëm theksojnë që fauna e peshkut në liqenin e Ohrit, është një nga më të pasurat dhe më të larmishmet në Evropë. Liqeni i Ohrit ka shërbyer dhe shërben si “shtëpi” për 17 peshq vendas, ku përfshihen speciet endemike si korani dhe belushka e Ohrit të cilat janë specie edhe me vlerë ekonomike. Megjithatë, si pasojë e mungesës së një menaxhimi adekuatë peshqit në liqenin e Ohrit janë pre e peshkimit ilegal.

Studiuesi dhe eksperti i zonave të mbrojtura Arian Meroli, vlerëson se menaxhimi dhe përdorimi i qëndrueshëm i peshqve liqenorë paraqet sfida të shumanshme si për autoritetet përgjegjëse, ashtu edhe për peshkatarët e lokale qoftë ata që sigurojnë jetesën përmes tij por edhe ata amatore.

Së pari, speciet e rrezikuara në liqenin e Ohrit, janë të mbrojtura si nga legjislacioni kombëtar i të dy shteteve që ndajnë këtë liqen, por dhe nga ai evropian për mbrojtjen e natyrës dhe kërkojnë përpjekje të veçanta për ruajtjen e tyre. Së dyti, speciet ekonomike të tilla si korani, belushka apo krapi dhe kleni pavarësisht se shfrytëzohen, ka pak ose aspak njohuri mbi gjendjen e rezervës dhe rendimentin maksimal të qëndrueshëm. Së treti, aktet rregullatorë për sektorin e peshkimit me gjithë përpjekjet dhe iniciativat e ndërmarra në vite ndryshojnë nga njëri vend tek tjetri. Po ashtu duhet theksuar se një pikë kritike në të dy vendet mbetet fakti që zbatimi i tyre nga organet përgjegjëse është i dobët. Së fundi, peshqit janë një nga katër elementët ose treguesit biologjikë të cilët, sipas Direktivës Kuadër të Ujit të BE-së, përcaktojnë gjendjen ekologjike të liqeneve. Direktiva kërkon që të mbahet apo rikthehet gjendja e mirë ekologjike p. sh gjendja e faunës së peshqve (dhe biotave të tjera) në kushte thuajse të pa shqetësuara dhe se duhen marrë masa specifike për të përmbushur këtë kërkesë. Sado komplekse dhe të ndryshueshme të jenë këto sfida, ato kanë një gjë të përbashkët: nevojën për të dhëna dhe informacion të plote mbi gjendjen e rezervës së peshkut në liqen. Për peshkun e Liqenit të Ohrit nuk është kryer kurrë inventari gjithëpërfshirës i peshkut dhe vlerësimi i rezervës së peshkut”, u shpreh për Portalb.mk Arian Meroli.

Për dy muaj në Liqenin e Ohrit u kapën 7 mijë metra rrjetë për peshkim të kundërligjshëm. Nga Inspektorati Shtetëror për Bujqësi njoftuan se vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti janë sekuestruar mija metra rrjet të peshkimit dhe 200 copa peshku. Ndërkohë, në fillim të muajt mars nga MPB njoftuan se në Ohër, rreth 1000 metra nga bregu i liqenit, policia ka gjetur një rrjetë peshkimi me 119 copë troftë të Ohrit, me peshë të përgjithshme prej 45.5 kilogramë.

“Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë ka bashkëpunim të mirë me disa institucione shtetërore për ndalimin e peshkimit të paligjshëm, e posaçërisht do ta theksojmë me pjesë të MPB-së, përkatësisht me Qendrën Rajonale për Kontroll Kufitar Perëndim dhe Policinë e Liqenit në Liqenin e Ohrit. Përmendim se vetëm në janar dhe shkurt 2022 janë sekuestruar 192 rrjeta peshkimi me gjatësi 10445 m. Peshku i gjallë i konfiskuar (trofta) kthehet në ujërat e liqenit për të cilin është bërë dokumentacioni nga Ministria e Brendshme dhe Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë, ndërsa peshqit e mbetur i dorëzohen Agjencisë për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara. Duam të theksojmë se për më shumë se dy vjet Liqeni i Ohrit nuk ka koncesionar për peshkim rekreativ dhe tregtar, që do të thotë se në këtë periudhë kërkohet mbrojtje shtesë e liqenit, që është një sfidë reale për Inspektoratin Shtetëror të Bujqësisë dhe Ministria e Brendshme”, u shpreh Zoran Shapuriq, nga ISHB.

Sipas ligjit për peshkim dhe akuakulturë nëse nuk ka një koncensioner peshkimi në liqen nuk lejohet. Sipas ekspertëve dhe peshkatarëve lokal kjo është një ndër faktorët kryesor që e rëndon situatën me peshkimin ilegal në liqenin e Ohrit. Vitin e kaluar zhytësit në Liqenin e Ohrit publikuan pamje tmerruese të troftës së ngordhur dhe të ngatërruar në rrjetat e peshkimit. Ata thanë se e gjithë kjo është rezultat i peshkimit të paligjshëm që ndodh gjatë hedhjes dimërore të vezëve të troftës, kur ajo edhe shumohet. Në fakt, saga e masakrës së peshkimit ilegal në liqenin e Ohrit zhvillohet me vite të tëra.

Arian Meroli sqaron për Portalb.mk se sezoni i ndalimit të peshkimit për speciet ciprinide në liqenin e Ohrit është 30 ditë, kohë gjatë së cilës peshqit lëshojnë vezët. Kjo periudhë mund të ndryshojë nga viti në vit, si dhe nga njeri shtet ne tjetrin, pasi kjo periudhe varet nga kushtet specifike qe ka ekosistemi në të dy anët e liqenit, por duhet të ndodhë brenda kuadrit kohor të përcaktuar nga ekspertet e peshkimit. Po ashtu është përcaktuar edhe gjatësia trupore minimale që duhet të arrijnë speciet para se ato të jenë të lejuara që të peshkohen ligjërisht. Në tabelat më poshtë po ju paraqesim këto të dhëna të specifikuara për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Tabela me të dhëna rreth peshkimit në liqenin e Ohrit

 

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button