Ekspert nga SHBA do të trajnojnë studentët e fakultetit juridik në USHT

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT) qëndroi për vizitë pune përfaqësuesi nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, e Ambasadës së SHBA-ve, Mark Lasser, si dhe FilipJaniceski, këshilltar juridik në këtë ambasadë. 

Ata u pritën nga Prorektori për arsim i USHT-së, Fehari Ramadani, dekani i Fakultetit Juridik, Mersim Maksuti, përgjegjësja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Hatibe Dehari dhe shefi i Kabinetit të Rektorit të USHT-së, Faton Shabani. 

Mark Lasser nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, në Ambasadën e SHBA-ve, (Bureau of International Narcotics and Laë Euforcenent Affairs) theksoi se vizita e sotme në USHT është në kuadër të fushatës që të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni, respektivisht fakultetet juridike, të zbatojnë punën praktike dhe klinike me studentët. 

Në këtë takim temë e bisedimeve ka qenë krijimi i klinikave ligjore në kuadër të fakulteteve juridike, ku do të vijnë ekspertë të kësaj fushe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të bëjnë trajnime me studentët për zgjidhjen e rasteve gjyqësore në bazë të modeleve dhe teknikave amerikane. 

Po ashtu, është shqyrtuar mundësia që në të ardhmen, në kuadër të Fakultetit Juridik të ndërtohet një gjykatore ku studentët do të mund të mbajnë seanca të improvizuara gjyqësore. 

Prorektori për arsim i USHT-së, Fehari Ramadani shprehu gatishmërinë për realizimin e të gjithë këtyre projekteve, pasi që tani edhe me Ligjin për arsim të lartë në Republikën e Maqedonisë të gjitha universitetet janë të obliguar që studentëve t’u ofrojnë mësim praktik dhe klinik.

Lajme të ngjashme

Back to top button